Mblidhet Asambleja, Rama: Nuk ka më deputetë fuqiplotë
Kryesocialisti Edi Rama i kërkoi dje anëtarëve të rinj të Asamblesë Kombëtare të kësaj force të dhëna për eksperiencën profesionale dhe për prejardhjen e familjes së tyre. Për herë të parë në një takim pune me të zgjedhurit e Asamblesë, 120 anëtarët e rinj morën orientimet për detyrat që do të kryejnë në muajt e ardhshëm. Mësohet se lideri i opozitës i kërkoi anëtarëve të asamblesë që të angazhohen maksimalisht me strukturat e PS-së në zonat e tyre. Duke i cilësuar ata si drejtuesit e ardhshëm të politikave qeveritare, por edhe të kësaj force, kryesocialisti Edi Rama kërkoi që secili anëtar të dërgojë në postën elektronike personale një CV të plotë. Por, e veçanta e porosisë së kreut të selisë rozë lidhet me prejardhjen e familjes.
Secili nga anëtarët do të prezantojë historikun e familjes së tij, ku do të jenë përfshirë zona, veprimtaria e tyre gjatë viteve si dhe angazhimet në jetën publike. Duke i garantuar se emaili do të mbetet konfidencial, kryesocialisti Edi Rama kërkoi nga anëtarët e sapozgjedhur në Asamblesë Kombëtare t’i dërgojnë drejtpërdrejtë propozimet e tyre të mundshme për kryesinë e re të partisë, e cila do të zgjidhet në dhjetor. Kryetari i PS, kërkoi angazhim të çdo anëtari e anëtareje të Asamblesë Kombëtare në debatin e brendshëm të forumit dhe në debatin publik, në qendër e në lokalitetet e vendit. Kryesocialisti u ka kërkuar anëtarëve të rinj të asamblesë që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe të lënë pas debatet e brendshme të cilat sipas tij dëmtojnë forcën e kësaj partie. Të ndalet lufta brenda llojit dhe te mos konsumohet energji duke u marrë me njëri-tjetrin?, mësohet të ketë thënë kryesocialisti Rama gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura me anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare.
Edi Rama i kushtoi një vend të veçantë në fjalën e tij programit të ri dhe aksionit të parë të politik të Asamblesë së re Kombëtare për diskutimin e gjerë publik të programit në çdo zonë e njësi të banuar të Shqipërisë. Në fjalën e tij, rikthimin e figurave të njohura në PS-së, kryetari Rama e argumentoi me angazhimin tyre në zgjedhjet vendore të 8 majit. Sipas kreut socialist, pavarësisht divergjencave në të shkuarën, shumë prej tyre kanë ndihmuar në zgjedhjet e fundit. Vendosja në listë e shumë prej të larguarve gjeti mbështetje edhe nga delegatët në Kongresin e kësaj partie. Këto emra, të ndihmuar edhe nga lobingu i fortë i deputetëve socialist të cilët kanë punuar me delegatët e qarqeve të tyre për ti votuar ato, janë radhitur ndër të parat e listës.
Ish-deputetët socialist Bukurosh Stafa që votoi në vitin 2007 për Presidentin Topi dhe Musa Ulqini i cili nuk është vendosur në listat e deputetëve në zgjedhjet e fundit parlamentare, janë sërish anëtarë të Asamblesë. Nga kritikët e kryesocialistit kanë hyrë në Asamblesë vetëm Mimoza Hafizi dhe Ilir Zela. Në njoftimin e zyrës së shtypit bëhet e ditur se Kryetari Rama i uroi të pranishmit për zgjedhjen dhe u bëri një panoramë të situatës politike e ekonomike të vendit duke u kërkuar angazhim të plotë. Sipas tij, Asambleja e mëparshme nuk ishte gjithnjë në lartësinë e detyrës dhe veçanërisht mbulimi i territorit që është një nga funksionet kryesore të asamblesë. Si forum drejtues i partisë, Rama deklaroi se ajo la jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar, duke e lënë tërë barrën mbi deputetët. Më pas e morën fjalën diskutantë, të rizgjedhur apo zgjedhur rishtaz në asamble, të cilët shprehën gatishmërinë për të ndërtuar një forum me frymëmarrje të gjerë, angazhim të plotë. L.T
Mbulimi i zonave
Pas analizës së zgjedhjeve të fundit, Partia Socialiste ka menduar që të rrisë rolin e strukturave të tjera duke zvogëluar ato të deputetëve. Vetë kryesocialisti Edi Rama i ka lajmëruar anëtarët e rinj të Asamblesë që të përgatiten për të mbuluar zonat elektorale në zgjedhjet e përgjithshme 2013. Lideri i opozitës udhëzoi që në zbatim të ndryshimeve të reja statutore, ku anëtarët e asamblesë ngarkohen me përgjegjësinë, ata të jenë drejtpërdrejtë mbikëqyrës të zonave elektorale të cilave iu përkasin. Votat ne i kemi, na duhet vetëm të organizohemi për fitore. Do fitojmë duke u organizuar me moral. Fitorja nuk duhet të vijë me iluzionin se do marrim gjysmën e Saliut. Asambleja do marrë peshë specifike në mbulimin e gjithë territorit. Nuk ka më deputetë fuqiplotë, ata do të jeni ju, mësohet të ketë thënë kryetari i PS-së. Por, kreu socialist i paralajmëroi anëtarët e rinj se puna e tyre në terren do të matet. Sipas kryetarit Rama, do të ketë indikatorë që do të shërbejnë për të kontrolluar punën e secilit prej kandidatëve dhe kjo do të ndikojë edhe në karrierën e tij brenda strukturave të PS-së.
