Mazhoranca: Privatizimi 100 për qind sjell më shumë investime për interesat e vendit

Kuvendi miraton formulën e privatizimit të “Albpetrol”
Shqyrtimi i projektligjit “Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” u shoqërua me debate mes shumicës dhe opozitës, e cila e kundërshtoi këtë privatizim. Megjithatë, Kuvendi miratoi me 72 vota “pro” dhe 61 kundër, privatizimin e kompanisë shtetërore. Gjatë seancës plenare, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço kërkoi votën e deputetëve, për miratimin e projektligjit për privatizimin e “Albpetrolit” ndërsa shtoi se privatizimi nuk nxjerr njerëz në rrugë, pasi sipas projektligjit, punëtorëve u jepet paga e një viti dhe vjetërsia e punës. Ai tha se në bazë të programit të Qeverisë për privatizimin e pronës publike dhe sidomos për sektorët strategjikë është marrë vendimi që shoqëria anonime “Albpetrol”, ku shteti shqiptar është 100 për qind aksionar, të kalojë në procedurat e privatizimit.
“Fondet që do të përfitohen nga privatizimi do të përdoren për rrugë, investime, tunele. Nga shitja e menjëhershme nuk do përfitohen vetëm këto fonde, por do vazhdohen të merren të ardhurave nga tatim-fitimet”, u shpreh Naço.
Sipas tij, procedurat filluan me përzgjedhjen e një konsulenti ndërkombëtar, nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore në vitin 2010. Nga 7 kompanitë që konkurruan, kompania “Patton Boggs” u shpall fituese dhe aktualisht është duke bërë raportin përfundimtar të kësaj konsulence.
“Kjo kompani do t’u japë zgjidhje problemeve ekonomike, financiare dhe ligjore që ka sot kompania shtetërore “Albpetrol”, duke përcaktuar termat e referencës dhe dokumentet për shpalljen e tenderit ndërkombëtar për shitjen e aksioneve të kompanisë. Sipas draftit të paraqitur, forma e privatizimit e përcaktuar në këtë ligj është transferimi i të drejtës së pronësisë nga shteti tek investitorët strategjikë dhe formula e këtij privatizimi, nëpërmjet kontratës së shitjes, do të jetë shitja 100 për qind e aksioneve të shoqërisë ‘Albpetrol’”, tha ai.
Ministri i METE, Nasip Naço tha se është parashikuar që investitorët strategjikë të përzgjidhen në bazë të disa kritereve dhe kushteve për të marrë pjesë në këtë privatizim, me qëllimin kryesor që të marrim maksimumin në favor të shtetit shqiptar. Ndërkohë, deputetët e opozitës e kundërshtua draftin e qeverisë për privatizimin e “Albpetrolit”, duke theksuar se pas këtij procesi “fshihen afera korruptive”.
Deputetja Mimi Kodheli, duke kritikuar formulën që parashikon ligji ndërsa ka nënvizuar se aty nuk ka asnjë mbrojtje për qindra punëtorë që pas privatizimit do të nxirren në rrugë.
“Ne nuk jemi kundër privatizimit, sikundër thoni ju, ne jemi kundër mënyrës së paraqitur, pasi mbrojmë interesin e shqiptarëve. Prona publike është pronë e të gjithë qytetarëve dhe u takon atyre të vendosin nëse duhet të shiten ose jo pronat publike”, ka deklaruar deputetja e PS-së Mimi Kodheli.
Rendi i ditës i seancës plenare vijoi me votimin e Bujar Leskajt për kryetar të KLSH-së si dhe interpelancën me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, e kërkuar nga deputetja socialiste, Arta Dade.
Po ashtu, Kuvendi miratoi dhe disa ligje të rëndësishme në fushën ekonomike, sociale dhe në drejtësi. Me shumicë votash deputetët miratuan ligjin “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”; një shtesë në ligjin “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, disa ndryshime në ligjin “Për noterinë”, si dhe disa shtesa në ligjin “Për arsimin e lartë”.
Gjithashtu, Kuvendi miratoi me 112 vota pro dhe 18 kundër kandidaturën e Adrian Civicit në detyrën e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë.