Berisha: Mirënjohje partnerëve evropianë - shqiptarët respektuan rregullat “Schengen”
1-vjetori i udhëtimit pa viza në BE
Kryeministri Sali Berisha kujtoi dje 15 dhjetorin, ditën e liberalizimit të vizave me zonën “Schengen” për shqiptarët, duke e quajtur atë si një arritje të madhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.
Gjatë ceremonisë për kremtimin e 45 vjetorit të themelimit të Akademisë së Arteve, kreu i qeverisë Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj partnerëve evropianë, të cilët, sipas tij, “morën këtë vendim iluminist të vërtetë për Shqipërinë. Sot është një ditë shumë e veçantë, gjithashtu, është dita kur një vit më parë, ne shqiptarët, për herë të parë në historinë tonë, lëvizëm të lirë pa viza në Europë. Kjo përbën një arritje të madhe për të gjithë, një arritje të madhe për ju artistët, të rinjtë, për të gjithë vendin. Ndaj dua të shfrytëzoj rastin t’u shpreh mirënjohjen më të thellë partnerëve evropianë, të cilët morën këtë vendim iluminist, të vërtetë, për Shqipërinë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri shprehu gjithashtu kënaqësinë se ky vit vërtetoi seriozitetin e autoriteteve shqiptare në trajtimin e këtij vendimi bujar që u mor për të gjithë shqiptarët.
“Shpreh gjithashtu kënaqësinë se ky vit ka dëshmuar seriozitetin e qeverisë shqiptare, në trajtimin e këtij vendimi bujar që u mor ndaj nesh. Uroj të gjithë shqiptarët në këtë njëvjetor, ju uroj ju, të gjithë artistët e vendit, për suksese të mëtejshme”, tha më tej kreu i qeverisë, Sali Berisha.