E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PD ka të drejtën e përzgjedhjes së presidentit të ri

16-12-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha kujtoi mbrëmë në intervistën dhënë Tv Klan se “sipas kushtetutës, PD kishte të drejtën të propozonte kandidaturën e ardhshme për president, dhe se mazhoranca kishte votat e duhura për këtë procedur”. Ai konfirmoi gjendjen e mirë shëndetësore dhe theksoi se axhenda e tij s’do kushtëzohej nga fakti se kundërshtari i tij bënte ciu-ciu në Twitter, për t’u hyrë shqiptarëve pas dere

Deklaratat e forta të intervistës
“Rama, po të kishte pasur instrumentet e Enverit, Nanon, Islamin dhe Metën do t’i kishte ekzekutuar njësoj si diktatori kundërshtarët e tij”
“Bamir Topi rrënoi Presidencën për partinë e re – s’do e kandidojmë për mandat të dytë”
Si Avokat të Popullit, Rama po u jep shqiptarëve avokatin e interesave të Koço Kokëdhimës

Kryeministri Sali Berisha konfirmon edhe njëherë, një ditë pas mbledhjes së Qeverisë, se është në gjendje shëndetësore plotësisht optimale, ndërsa organizmi ka reaguar fuqishëm kundër virozës, duke çuar edhe në zvogëlim e fuqisë së tyre, në krahasim me dy herët e kaluara.
Gjatë emisionit “Opinionit” të gazetarit Blendi Fevziu, në TV Klan, Berisha tha se vijon normalisht axhendën politike dhe qeveritare, pas kapërcimit të situatës virale. “Unë jam këtu në këtë studio dhe vazhdoj axhendën time të zakonshme. Kjo ishte hera e tretë që prekem nga viroza. Gjendja virale nuk më ka penguar të vazhdoj axhendën time. Ajo që pësova në datën 12 dhjetor, ishte një episod lipotimie i lidhur me një virozë. Ky ishte i treti që unë kam pësuar gjatë jetës sime. I pari ka ndodhur në vitin ’88 dhe rasti tjetër ka ndodhur në Vlorë, dhjetë vjet më vonë, në vitin ’98. Ambienti atje ishte shumë nxehtë dhe kjo kombinoi me virozën, për të shkaktuar atë. Bëra të gjitha analizat dhe në sistemin e të gjitha enëve të gjakut nuk rezultonte asnjë pllakë e vetme ateromatoze, ateroskleroketike gjë e cila është shumë e veçantë sepse ateroskleroketike është një sëmundje që frekuencën e cilësisë e rrit në raport me moshën, por në të gjitha ekzaminimet që kam bërë, kanë dalë njësoj. Ç’ka përbën një avantazh dhe më lejon të ndërmarr veprimtarinë fizike. Po të duash, mund të bëjmë një ngjitje në malin e Dajtit”, u shpreh Berisha, duke i sugjeruar drejtuesit të emisionit të zgjasë emisionin deri në orën 01:00 pasmesnate.
Berisha komentoi dhe urimin e Ramës, duke theksuar se konkurrenti ka humbur komunikimin me publikun, duke u marrë me cicërima.
Sipas Berishës, Rama përdor Twitterin për të hyrë pas dere.
“Konkurrenti im ka humbur komunikimin me publikun dhe ka filluar të komunikojë me zogj, se pasi dështoi në të gjitha format e komunikimit po bën ciu-ciu në Twitter, i cili është jo domethënës në shumë aspekte sepse një lider mund të komunikojë në Twitter, por përdorja e Twitterit për të hyrë pas dere, nuk të ndihmon dhe as nuk të frymëzon”- tha kreu i qeverisë.
Berisha tha se ai personalisht, kundërshtarit politik do t’i përgjigjet vetëm publikisht dhe kurrsesi me mesazhe në Twitter apo Facebook.
“Kundërshtarit tim i përgjigjem publikisht, sepse dhe unë dhe kundërshtari në raport me qëndrimet tona ne jemi persona publikë dhe jemi të detyruar që qëllimet tona t’ia bëjmë të qarta njëri-tjetrit për të gjithë qytetarët si për ata që janë në Twitter si për ata që janë në Facebook dhe në të gjitha rrjetet sociale”, tha kryeministri.
“Unë nuk mund të lëviz qeverinë për kureshtje gazetarësh. Ka një test, zgjedhjet janë testi më absolut për qeverinë. Zgjedhjet e 2011-ës shënuan suksesin më të madh të kësaj mazhorance. Ministritë nuk janë ruleta, secili ministër vlerësohet për performancën e treguar. Nëse paraardhësit e mi qarkulluan në karriget e ministrave plot 74 ministra, vendosën modelin e mos qeverisjes. Mazhoranca respekton çdo anëtar të saj. Kjo mazhorancë është shumë solide dhe më lejoni t’ju them se një nga gabimet trashanike të Edi Ramës, që ende s’e ka kuptuar, është se koalicioni është rruga që të çon drejt fitores”, komentoi Berisha, midis tw tjerave.

Kryetari i KLSH/ Presidenti vazhdoi të injorojë Parlamentin – s’mund të linim institucionet vakante
Votimi i djeshëm i mazhorancës në parlament, “pro” dekretit të Presidentit për emërimin e Bujar Leskajt në krye të KLSH, është komentuar nga kryeministri Sali Berisha, i cili u shpreh se shumica parlamentare dha votat për Bujar Leskajn pasi ai në tërësi plotëson kriterin ligjor, si pedagog në Fakultetin Ekonomik, ndryshe nga kandidatura paraardhëse, ajo e Sali Shehut, si oficer policie. “Porsa i takon kritereve ligjore, Leskaj është pedagog në fakultetin ekonomik. Shehu është oficer policie dhe nuk mund të them se mund të kishte profilin e duhur për kryekontrollorin e financave të shtetit. Ne nuk kemi bërë zgjedhje, zgjedhjen e ka bërë Presidenti i Republikës. Midis momentit për të lënë institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit pa kryetar, si pasojë e mos pranimit të Presidentit për t’u konsultuar me parlamentin, ne vendosëm të plotësojmë këtë vakancë”, tha Berisha.
Kryeministri ngriti edhe njëherë shqetësimin se Presidenti vazhdon të mos konsultohet me Parlamentin, për institucionet vakante. “Zoti Topi edhe këtë herë nuk pranoi të konsultohej me parlamentin, duke shkelë kështu vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Midis këtyre dy rrethanave, u zgjodh kjo e fundit dhe mazhoranca votoi një kandidaturë, për të cilën zoti Topi nuk është konsultuar me parlamentin”- theksoi kryeministri.

Presidenti/ Topi rrënoi Presidencën për partinë e re – s’do e kandidojmë për mandat të dytë
“Nuk mund të ketë asgjë më rrënuese për atë institucion që është institucioni qendror i shtetit, se sa deklarimi i tij, në detyrë, dhe përpjekja e tij për të krijuar parti”.
Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, duke komentuar partinë e re të paralajmëruar nga Presidenti Topi dhe mundësinë e rikandidimit të tij për një mandat të dytë si President i Republikës. Berisha tha se Topi e ktheu Presidencën në vatrën e partisë politike dhe si i tillë ka shkelur betimin e bërë mbi kushtetutën si dhe ka shkelë ligjin.
“E vërteta është që, një kundërshtar nuk të ndihmonte më shumë se kaq, po të jetë puna për kundërshtar. Po të jetë puna për dinjitet shtetëror, kjo padyshim që është një gjë shumë e rëndë. T’i je president qartësisht jashtë forcave politike dhe në një republikë parlamentare presidenca nuk mund të jetë një parti politike. Imagjino sikur këtu të ketë dy forca politike dhe ai në presidencë të thotë se jam dhe unë një partiçkë. Dinjiteti i atij posti nuk të lejon kurrë që ti të shpallësh atë të anësuar politikisht. Ti je betuar në kushtetutë, ke dhënë një dorëheqje nga funksionet partiake. Një kryetar shteti, një republikë parlamentare s’mund të përdoret në këtë lloj peng marrje. Nuk mund të ketë asgjë më rrënuese për atë institucion që është institucioni qendror i shtetit, se sa deklarimi i tij, në detyrë, dhe përpjekja e tij për të krijuar parti”, tha Berisha.
Kryeministri tha gjithashtu se mazhoranca s’do e propozojë Topin për një mandat të dytë si President të vendit.
 “Për Presidencën s’ka pazare politike. Po, ai mund të krijojë partinë politike, por më parë duhet të japë dorëheqjen. Se do ketë ai një forcë politike me 0.2 për qind apo 12 për qind, është diçka tjetër, por këtë e ka bërë në kundërshtim me frymën, dinjitetin dhe ligjet e shtetit”, theksoi kryeministri.
Kreu i qeverisë komentoi edhe mungesën e Topit në festën e 12 dhjetorit, 21 vjetorin e themelimi të PS, duke theksuar se protokolli ka menduar që Topi e ka më të lehtë të marrë pjesë në festimet e PS-së.
“Për zotin Topi është më e lehtë të shkojë te Partia Socialiste sesa te Partia Demokratike dhe është vota kjo që e fakton. Ata që bënë protokollin e kanë menduar se Topi e ka më të lehtë të shkojë te PS”. 
“Fatos Nano është lider i së majtës politike. Ndërsa Partia Demokratike ka të drejtën e saj të kandidojë çdo drejtues të saj për President të Republikës. Kemi një numër të madh personalitetesh që mund t’i promovojë në atë post. S’ka asnjë pengesë për të përzgjedhur kandidatin më të mirë për atë post. Votat i kemi si koalicion. Pavarësisht nga ato çka unë thashë këtu për Topin, ai është president i vendit deri ditën që i skadon afati, padyshim që s’do ketë asnjë emër deri ditën që do përfundojë mandati. Topalli dhe shumë zonja dhe zotërinj të tjerë, drejtues të PS, kanë të gjitha kualitetet dhe cilësitë për të qenë në atë post, por nuk ekziston asnjë dhe s’do ekzistojë asnjë kandidaturë deri kur të fillojë gara presidenciale. Ndërsa unë si kryetar i PD-së, e kam bërë deklaratën time të mëparshme dhe padyshim që i qëndroj asaj. Presidenti i Republikës do të zgjidhet sipas kushtetutës së vendit”, komentoi më tej Berisha.

Avokati i Popullit/Rama po u jep shqiptarëve avokatin e interesave të Koço Kokëdhimës
Kryeministri Sali Berisha reagoi ashpër ndaj kandidaturës së shpallur nga Partia Socialiste për Avokatin e Popullit, duke e cilësuar atë si një proces farse dhe se kandidatura në fjalë nuk mbron interesat e qytetarëve, por ato të eprorit të tij, Koço Kokëdhima. Berisha tha se pavarësisht propagandimit që Rama i bëri procesit të përzgjedhjes së Avokatit të Popullit, ai ishte kryekëput produkt personal i tij, duke politizuar kështu një institucion Kushtetues. “Ky ishte procesi më i veçantë në këto 20 vite. Mazhoranca i dha të drejtën e propozimit opozitës. Avokati i Popullit duhet t’i përkasë opozitës dhe ai duhet të jetë një avokat i vërtetë i qytetarëve, pa ndikime nga qeveria, fuqimisht të denoncojë administratën dhe çdo institucion që cenon të drejtat e qytetarëve. Por çfarë bëri Rama? E përdori në mënyrë të veçantë. A pati ndonjë qytetar shqiptar në atë sallë, përveç drejtueseve të Partisë Socialiste? Jo, asnjë. Të përdorësh zyrat e PS për të zgjedhur Avokatin e Popullit, bën politizimin ekstrem të një posti që s’duhet të jetë politik. Në mënyrë të civilizuar ky proces mund të bëhej në një nga sallat e parlamentit, aty mund të ishin edhe deputetë të forcave të tjera politike, pa të drejtë vote por thjesht dëgjues. Kush është ky zotëria? Ky ishte një propozim direkt i Koço Kokëdhimës. Ne besonim se do vinte një Avokat që do të mbronte interesat e opozitës, interesat e qytetarëve shqiptar dhe jo një avokat që mbron interesat e klanit të Ramës. Ky është avokat i Koços në të gjitha proceset gjyqësore të tij. Problemi është i thjeshtë, a vjen ky për të mbrojtur cenimin e të drejtave të qytetarëve shqiptarë apo interesat e kompanive që përfaqëson, kjo mbetet për t’u parë. Partia Socialiste nuk vuan për juristë. Lexoni një shkrim të këtij, ky ia kalon edhe Lorenc Vangjelit ndonjëherë, aq militant është. Unë s’e qortoj se është militant, por është avokat i një grupi problematik të PS”, u shpreh Berisha. Megjithatë, sipas kryeministrit, mazhoranca do respektojë marrëveshjen me PS, duke votuar kandidaturën e sjellë prej saj. “Ne jemi zotuar se s’do votojmë asnjë prej atyre që gjatë diktaturës kanë qenë persekutorë të regjimit, zotëria nuk është i tillë dhe sigurisht që do të marrë votat e mazhorancës”, tha më tej ai.

“Kurban”-i/ Rama obsesiv që unë t’i lexoj librin - memoriet shkruhen kur je në prag pensioni politik
“Ai është bërë tërësisht obsesiv që unë t’ia lexoj librin”. Kështu e cilësoi kryeministri Berisha, sjelljen e Edi Ramës në takimet e tij, ku gjithmonë thotë se kryeministri ka lexuar librin “Kurban”. “Kudo që shkon thotë se unë ia kam lexuar librin. Ai vdes që unë t’i lexoj librin. Ndershmërisht, po ta kisha lexuar do të thosha se e kam lexuar”, u shpreh Berisha. Ai shpjegoi dhe arsyet se pse nuk e gjen me vend që të lexojë “Kurban”-in. Sipas Berishës, Rama përshkruan personazhet e tij në libër, njësoj si Enveri kundërshtarët e tij, të cilët i çoi njëri pas tjetrit në ekzekutime.
“Mund të them se kam lexuar pjesët e botuara të librit, të botuara në shtypin e shkruar. Dhe çfarë gjeta? Një klishe të vjetër. Qëndrimin e tij ndaj dy personaliteteve të PS, me të cilët ai kishte pasur bashkëpunimin më të ngushtë. Një ditë, më thotë një miku im, se ky njeri po të kishte pasur instrumentet e Enverit, Fatos Nanon, Kastriot Islamin dhe Ilir Metën do t’i kishte ekzekutuar si diktatori kundërshtarët e tij. Një njeri që s’ka mirënjohje është një njeri jo njerëzor, pa botë njerëzore. Të marrësh dhe të dejonizosh Ilir Metën në mënyrën më të paimagjinueshme, duke ditur se ky zotëri ishte një nga aktivistët e lëvizjes studentore, u tha shokëve të vet se unë do vij në PS për ta reformuar. Ai mund të ishte në një krah tjetër, bashkë me Majkon dhe të tjerë. Nga viti 92 deri në 97-ën, kur në parlament bëheshin rezolutat anti- NATO, Meta dhe Majko protestonin kundër. Të shkosh deri në këtë fazë sa të kopjosh atin shpirtëror, është tmerrësisht e rëndë në shpirtin e tij. Ka mungesë totale të njerëzisë. Ai merr qëndrim ndaj Fatos Nanos, i cili e bëri ministër, e kandidoi 3 herë kryetar bashkie, edhe punove kundër tij në 2005-ën, ai s’të doli kundër në 2007-ën, ndërsa ai e demonizon deri në atë pikë. Kjo do të thotë se ai është i pashpresë”, u shpreh Berisha.
Për t’i dhënë përgjigjen përfundimtare kryesocialistit Rama, Berisha iu drejtua publikisht, duke shtuar se ai s’mund të lexojë një libër i cili miqtë dhe bashkëpunëtorët i ka kthyer në armiq. “Z. Rama nuk e kam lexuar librin. Po lexoj Stiv Jobs-in, i cili ndryshoi botën. Po lexoj gjithashtu edhe George Sorosin që njeh financat. Prandaj, s’mund të lexoj unë librin që ka shpallur armiq bashkëpunëtorët e tij”, deklaroi kryeministri Berisha.
I pyetur nga drejtuesi i emisionit, nëse është duke shkruar ndonjë libër, kryeministri Berisha u përgjigj se s’është në natyrën e tij që të punojë memorie, sepse memoriet ushtrohen për politikanët që janë në mbyllje të karrierës. Berisha tha se në PS, librat janë shndërruar në një betejë e egër mes Blushit dhe Ramës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›