E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për herë të parë vendosen normat higjieno-shëndetësore

Autori i Lajmit: red.
Projektligji "Për shëndetin publik" synon mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga efekte të drejtpërdrejta apo të tërthorta nga faktorët mjedisorë. Drafti i p/ligjit u prezantua disa ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ky p/ligj, i cili aktualisht është në proces miratimi, konsiderohet nga MSH si ndër më të rëndësishmit e sistemit shëndetësor. Ligji paraqitet për herë të parë në Shqipëri dhe synon të rregullojë dhe të harmonizojë të gjitha problemet e shëndetit publik. Ai është përgatitur me asistencën teknike të OBSH. "Shëndeti mjedisor përfshin tërësinë e masave për mbrojtjen e shëndetit nga efektete të drejtpërdrejta në shëndet nga faktorët mjedisorë, si agjentët fizikë, kimikë dhe biologjikë, si dhe efektet e tërthorta në shëndet dhe mirëqënie nga faktorët psikosocialë, ku përfshihen stresi, strehimi, zhvillimi urban, përdorimi i tokës dhe transporti", pohuan burime nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas MSH, "tërësia e masave në shëndetin mjedisor përfshin monitorimin e mjedisit, sigurinë ushqimore, mbikqyrjen e normave higjeniko-shëndetësore, vlerësimin e ndikimit të mjedisit në shëndet, edukimin qytetar për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit dhe ndërhyrjet për eliminimin apo minimizimin e ndikimit të efekteve mjedisore të drejtpërdrejtë, apo të tërthorta në shëndet". Tërësia e masave në shëndetin mjedisor, sipas projektligjit, ushtrohen në sektorët shtetërore, privatë, veprimtaritë e ndryshme të ushtruar nga persona fizikë e juridikë, vendas e të huaj, në objektet e prodhimit, të ruajtjes, magazinimit e transportimit, si dhe tregtimit të produkteve të të gjitha llojeve dhe në të gjitha kategoritë e punimeve minerale. Gjithashtu, "këto masa ushtrohen në objektet, ku ushtrohet veprimtari social-kulturore, shëndetësore, arsimore dhe kërkimore-shkencore, në repartet dhe strukturat vartëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ato të Ministrisë së Rendit, në pikat kufitare, portet, aeroportet, doganat, si dhe në mjetet e transportit tokësor, hekurudhor detar e ajror, vendas e të huaj". P/ligji përcakton se "Drejtoria e Shëndetit Publik pranë MSH, në bashkëpunim me Institutitn e Shëndetit Publik, harton normat higjieno-shëndetësore, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave". KM miraton rregulloren higjieno-sanitare të detyrueshme për zbatim nga ministritë dhe organet e tyre vartëse, si dhe nga personat fizikë e juridikë vendas e të huaj. Ndërsa, ISHP, në bashkëpunim me strukturat rajonale të shëndetit publik, evidenton shkencërisht faktorët e dëmshëm për shëndetin e popullatës në fushat e përcaktura në ligj dhe pasojat që rrjedhin prej tyre. Sipas MSH, "të gjithë personat fizikë e juridikë, vendas e të huaj, që kërkojnë të ushtrojnë veprimtari dhe që mund të ndikojnë në shëndet, si pasojë e faktorëve mjedisorë apo psikosocialë, i nënshtrohen vlerësimit të ndikimit në shëndet, përpara miratimit dhe zbatimit të tyre". Vlerësimi i ndikimit në shëndet realizohet periodikisht nga ISHP, nga strukturat rajonale të shëndetit publik dhe persona juridikë të licencuar.
Ky lajm është publikuar: 06/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›