E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca: Rama sheh ëndrra me sy hapur

Rusmali: Kjo lidhje e dialogut me kërcënimin për protesta është e papranueshme

Përfaqësuesit e mazhorancës vijuan dje akuzat e tyre ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, mbi mënyrën sesi ai e lexon rezolutën e Këshillit të Europës për zgjidhjen e krizës në Shqipëri. Kryetari i delegacionit shqiptar në KiE, njëkohësisht deputeti i Partisë Demokratike, Ilir Rusmali, deklaroi dje se pas daljes së kësaj rezolute është përpjekur të bëjë një lidhje, një binjakëzim midis nevojës për dialog politik dhe kërcënimit për protesta. “Ky binjakëzim, kjo lidhje e dialogut me kërcënimin për protesta, është e papranueshme nga këndvështrimi i Rezolutës së Asamblesë KiE”, deklaroi Rusmali. Sipas tij, kryetari i PS-së deklaroi se ky lloj interpretimi është i mbrapshtë dhe kjo vjen vetëm nga një vullnet i sëmurë, i cili nuk kërkon zgjidhjen e situatës së krijuar në vend. Rusmali deklaroi para medias se, e vërteta është që Asambleja thekson faksin se ndërmarrja e bojkotit ka dëmtuar seriozisht funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore. “Asambleja konfirmon faktin që bojkoti ka dëmtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me vetë Asamblenë, sikurse i bën thirrje Partisë Socialiste që të heqë dorë nga bojkoti”, theksoi deputeti i PD-së. Sipas tij, në gjysmën e neneve të rezolutës, theksohet dënimi i bojkotit nga ana e opozitës. Nga ana tjetër, Rusmali theksoi se mazhoranca, nga ana e saj, është e gatshme të ngrejë komisionin parlamentar për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit, edhe sipas rekomandimeve të Këshillit të Europës. Po dje, zëvendëskryeministri, njëkohësisht kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se kryetari i PS-së, me qëndrimet që po shpreh, po shikon ëndrra me sy hapur. “Cilido që del jashtë realitetit, jashtë normalitetit dhe jashtë logjikës demokratike dhe njëkohësisht që i lexon së mbrapshti mesazhet e qytetarëve shqiptarë dhe të komunitetit ndërkombëtar, veçse vetë dëmtohet”, deklaroi Meta në lidhje me qëndrimet e Ramës për të vijuar protestat dhe kërkesat për hapjen e kutive. Por, sipas tij, këto mënyra sjellje nuk arrijnë dot të ndalojnë proceset demokratizuese, europianizuese dhe integruese të Shqipërisë në realizimin e mëtejshëm të aspiratave të tyre. Nga ana tjetër, Meta siguroi se mazhoranca ishte e hapur për të plotësuar ato kërkesa që ishin legjitime të opozitës. Po kështu, Meta dha garanci se mazhoranca ishte e vendosur për të plotësuar kërkesat që Rezoluta e Këshillit të Europës kishte shprehur për të. “Asnjëherë nuk ka munguar vullneti për dialog nga ana e qeverisë, përkundrazi qeveria ka qenë e hapur për dialog dhe do të thosha se ka qenë tepër zemërgjerë në drejtim të plotësimit të shumë prej kërkesave dhe pretendimeve nga ana e lidershipit të opozitës”, theksoi Meta. Sipas tij, dialogu kërkonte dy palë dhe se ai ishte i domosdoshëm në kushtet kur Shqipëria priste ngjarje të rëndësishme për sa i përket integrimit të saj, si liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit kandidat për në BE.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›