PS, dialog në vend të protestave
Strategjia e re, deri në fund të negociatave nuk ka tubime në rrugë
Në prag të negociatave mes mazhorancës dhe opozitës në selinë e kreut të shtetit, Partia Socialiste “heq dorë” përkohësisht nga protestat e lajmëruara qysh në muajin dhjetor për t’iu përkushtuar një tjetër strategjie. Në vëmendjen e partisë, anëtarësisë dhe opinionit publik, Rama ka rikthyer dialogun, një formë e përafërt me turin e tij dyvjeçar “Dialog me Shqipërinë”, por këtë herë për të dhënë sqarime e për të bërë shpjegime ku në fokus janë gazetarët dhe anëtarësia dëgjon. Paralelisht me shpjegimet që jep ndaj pyetjeve të gazetarëve, kryesocialisti ka analizuar politikisht arsyet e këtij turi, të cilin ai e ka konsideruar të qetë, deri në një moment të caktuar. Për të mos shkëputur kontaktet me anëtarësinë dhe publikun, dialogu përmes pyetjeve të gazetarëve, është gjetja origjinale ku PS-ja bën të ditura qëndrimet e saj politike, pavarësisht zhvillimeve të ditës. “Ky është një udhëtim shpjegues në të gjithë Shqipërinë lidhur me gjendjen e vendit me krizën që kalon sot Shqipëria, si edhe me të gjitha arsyet e protestës sonë. E pamë të udhës ta ndërtojmë këtë udhëtim në këtë formë të re, duke dashur qetësisht, butësisht dhe qartësisht, me ndihmën e zëdhënësve të opinionit publik, disa prej të cilave janë këtu në këtë tavolinë, të shpjegojnë sa më thjesht dhe sa më në detaje jo vetëm situatën në të cilën ndodhet vendi, por edhe të gjitha arsyet për çka kemi bërë deri sot dhe çka dëshirojmë të bëjmë nesër e më tutje”, është shprehur Rama në takimin e parë në Tiranë disa ditë më parë. Më tej, ai sqaroi se ky dialog do të vijojë paralelisht me negociatat në tryezën e Presidentit, por strategjia ndryshon menjëherë nëse tryeza e kreut të shtetit dështon. Zhvillimi i protestave të selisë rozë u lajmërua në fund të muajit dhjetor, por përmbytjet në Shkodër sollën një vendim të ri, shtyrjen e tyre për në fund të muajit janar. Në fundit të këtij afati, faktori ndërkombëtar ndërhyri dukshëm në zgjidhjen e krizës në Shqipëri duke imponuar një takim te Presidenti i Republikës. Menjëherë selia rozë shprehu vullnetin për të zgjidhur krizën në këtë tryezë, por, nga ana tjetër, përpiloi një strategji të re në mënyrë që ajo të mos shkëputej nga kontakti me anëtarësinë apo popullin opozitar siç e konsideron Rama. Mënyra e re e komunikimit është sulmuar nga selia blu, e cila ka bërë me dije se mënyra e re e komunikimit të Ramës s’është gjë tjetër veç një tjetër mënyrë për të kontrolluar mediat. Në ditët në vijim pritet zhvillimi i takimit mes Ramës e Berishës, në mes të cilëve qëndron Bamir Topi si negociator. Deri më tani, palët nuk janë tërhequr nga pozicionet e tyre fillestare. Rama ka bërë me dije se shkon në atë tryezë për të hapur kutitë, ndërsa Berisha që Kushtetuta nuk e lejon hapjen e kutive. Ndër të tjera, kryesocialisti ka renditur disa kushte të tjera, por ato nuk negociohen me kushtin e hapjes së kutive.
#