E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Berisha nuk ka moral të flasë për Kushtetutën

Deputeti socialist, Taulant Balla, iu rikthye dje deklaratës së Kryeministrit Berisha, se Kushtetuta nuk e lejon të hapë kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas Ballës, referuar edhe vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Berisha është i fundit njeri që mund të flasë për Kushtetutën. “Hapja e kutive të 28 qershorit është transparencë kushtetuese e ligjore dhe për asnjë moment kjo domosdoshmëri nuk bie ndesh as me Kushtetutën, as me ligjet dhe as me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Shumëkush mund të ketë të drejtë të bëjë interpretime të Kushtetutës për këtë çështje, vetëm Sali Berisha jo”, tha ai. Në arsyetimin e Ballës, Sali Berisha është i fundit njeri që merret me politikë në Shqipëri, që mund të flasë për Kushtetutën, sepse ai nuk e njeh Kushtetutën, përndryshe nuk do ta kishte shkelur me dhjetëra herë në 4 vjet. “20 vendime të Gjykatës Kushtetuese kanë gjetur fajtor Sali Berishën si shkelës të saj, ndërkohë që pas çdo vendimi të marrë kundër tij Sali Berisha ka derdhur vrer kundër këtij institucioni”, deklaroi Balla.
Në këtë mënyrë, kur në të gjitha rastet Sali Berisha i është kundërvënë Gjykatës Kushtetuese dhe asnjëherë nuk ka pranuar fajësinë e 20 atentateve kushtetuese, deputeti socialist shtroi pyetjen se si mundet Sali Berisha të na tregojë ne dhe shqiptarëve Kushtetutën si pengesë për transparencën e zgjedhjeve. “Hetimi parlamentar lidhur me çdo çështje që ka të bëjë me demokracinë, me shtetin e së drejtës, me ekonominë, me të mirën publike në këtë vend, është një e drejtë kushtetuese e Parlamentit. Hapja e kutive të votimit është një e drejtë që buron drejtpërdrejt, jo vetëm nga fuqia kushtetuese e Parlamentit, por edhe nga fuqia e çdo qytetari në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që e gëzon të drejtën e patjetërsueshme për informim”, deklaroi Balla.
Sipas tij, është e vërtetë, sepse kjo krizë politike është një krizë degraduese për institucionet e vendit dhe problemi qëndron në themelin e kësaj krize, legjitimiteti i zgjedhjeve është një problem që duhet zgjidhur për të ndalur këtë degradim.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›