Imuniteti, mblidhet Këshilli i Legjislacionit

Këshilli i legjislacionit nis sot nga puna për të shqyrtuar nismën e maxhorancës për heqjen e imunitetit. Partia Socialiste ka dorëzuar tashmë në Kryesinë e Kuvendit draftin e saj për heqjen e imunitetit ndërsa mazhoranca heqjen e imunitetit pritet ta realizojë nëpërmjet ndryshimeve në Kushtetutë.
Në fjalën e saj, kryeparlamentarja Topalli ftoi opozitën të tregojë vullnetin politik dhe të miratojë heqjen e imunitetit. “Çështja e imunitetit është ndër kriteret për integrimin, është muri kundër korrupsioni, është çështje e standarteve dhe na bën që të jemi më transparent. Është një çështje e shtetit ligjor dhe sot ka ardhur momenti që të tregojmë vullnetin politik, pa kushtëzime dhe të ecin përpara” theksoi Topalli.
Gjithashtu Topalli rikujtoi se nisma për heqjen e imunitetit është bërë që nga viti 2003 dhe tashmë ka marrë edhe dakortësinë e EURALIUS dhe PACA që heqja e imunitetit të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.
Kryeparlamentarja Topalli gjithashtu njoftoi anëtarët e Këshillit se janë depozituar dy nisma për heqjen e imunitetit, ku njëra është e LSI-së për të cilën është shprehur se, “Shkresa e LSI nuk pranon kriteret” dhe nga PS-ja qwësipas saj është një draft që qëndron përtej imunitetit.
Deputeti demokrat Edi Paloka tha se maxhoranca ka marrë këtë vendim, me qëllimin e vetëm për të arritur atë që është e domosdoshme, konsensusin. “Ne si maxhorancë, për të mos i lënë kohë dhe rrugë përplasjeve, vendosëm të paraqesim para parlamentit projektin tonë, që është një projekt i bazuar në ekspertizën e Këshillit të Europës, PACA-s, dhe i BE-së, EURALIUS” shtoi ai.
Nga ana e tij, deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj theksoi se heqjes së imunitetit duhet t`i kushtohet një vëmendje e veçantë për të garantuar një proces sa më transparent. Xhafaj tha se ndryshimet duhet të vijnë duke mbajtur në konsideratë realitetin tonë, shkallën e demokracisë, kulturën politike etj, duke shtuar se, ndryshimet duhet të japin efektet e kërkuara, të zgjidhë një problem, dhe jo të hapë një tjetër.”
“Është hera e parë që ka një nismë kushtetuese për heqjen e imunitetit. Në realiten shqiptar ka pasur një qëndrim të përbashkët për kufizimin e imunitetit. Shumica reflektori dhe pas 8 vjetësh erdhi tek varianti ynë. Ne kemi shprehur qëndrimin tonë për domoshmërinë për heqjen e imunitetit dhe situata aktuale e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë e imponon një hap të tillë” shtoi Xhafaj.
Xhafaj tha se që ndryshimet duhet të shërbejnë edhe për ruajtjen e garancive për rolin e çdo opozite, për të mos goditur kundërshtarët politikë apo gjyqtarët për qëllime të caktuara. Ai ka theksuar më tej se PS-ja nuk do të ndërhyjë më në Kushtetutë me nxitimin e 4 viteve më parë duke shtuar se duhet të vendoset një standart i ri në funksionimin e demokracisë parlamentare dhe vendosjes së shtetit ligjor.
I menjëhershëm ka qënë reagimi i kryeparlamentares Topalli e cila i cilësoi deklaratat e Xhafës si justifikime që opozita nxjerr për të mos votuar heqjen e imunitetit. “Përpara shqiptarëve si deputetë ne kemi detyrën të tregojmë se ne nuk jemi ndryshe nga deputetët e tjerë dhe të mbrohemi me imunitet. Ne nuk kemi frikë për të hequr imunitetin dhe bashkë me kolegët e tjerë djathtas dhe majtas të votojmë për heqjen e imunitetit. Mua më duket bllokim, është justifikim sot për mosheqjen e imunitetit. Unë nuk kam frikë të më hetosh për çështje të korrupsionit. Është koha që sot të majtë dhe të djathtë të votojmë për heqjen e imunitetit. Ta fillojmë nga vetja jonë. Hajde të shofim nenin për imunitetit, dhe është i rëndësishëm dhe na bën që kuvendi i shqipërisë të shihet ndryshe në sytë e shqiptarëve dhe është një nga kriteret për integrimin” shtoi Topalli.