E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luajaliteti përballë absurditetit

30-07-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Në demaskim të politikës së ngërçit

Marrëdhëniet pozitë- opozitë në vendin tonë, qysh nga viti 2005 e këtej, kanë qenë gjithmonë konfliktuale. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, ndonëse në progres të qartë në krahasim me zgjedhjet e tetëvjeçarit 1997 - 2005, nuk kanë qenë më të mirat, për shkak të listave zgjedhore me pasaktësi tronditëse, për të mos folur për të tjerat. Listat e Finos (siç e morën emrin), meqë ngërthenin në fletët e tyre falsifikime të hatashme, ishin tendencioze, me diskriminime që favorizonin forcat politike të majta. Zyrat e gjendjes civile, të orientuara nga e majta e skajshme, i jepnin me lopatë “dokumentet” familjare për identifikim në përgatitje të listave zgjedhore, atyre që donin të votonin së dyti apo së treti! Ndërsa nga njëra anë shtohej numri i “tanëve”, me “liberalizimin” e dublikimeve që merreshin me kollajllëk për persona të veçantë në zyrat e gjendjes civile ndërsa, nga ana tjetër, anëtarët e së njëjtës familje, ndaheshin skaj më skaj, gjë që  shtonte artificialisht abstenimet e paracaktuara për një pjesë të zgjedhësve. Protestat e mëdha për njerëzit që nuk e gjenin veten në listën zgjedhore, u mbyllën me një marifet mashtrues: “Bëni sugjerimet, bashkojini anëtarët e familjes dhe do të përmirësohen listat”. Në të vërtetë listat u shpallën një ditë para zgjedhjeve, pa asnjë rregullim.
Megjithatë zgjedhjet e 2005-s i dhanë goditjen e parë atij tetëvjeçari, që mori goditjet edhe nga propaganda e E. Ramës. Ishte synimi për ta zëvendësuar paraardhësin dhe njëherësh bamirësin, madjé. Zgjedhjet e tjera, të përmirësuara ndjeshëm, për çudi u quajtën më të dobëta se ato të 2005-s. Ndërsa më të mirat fare në shkallë krahasimi, ato 2011-s, me një transparencë të paparë në të gjitha zgjedhjet në Shqipëri, pa asnjë përjashtim, ato duheshin nëmur, duheshin mallkuar tërë mllef, vetëm e vetëm për rezultatin e papranueshëm të ish-kryetarit të bashkisë. Se e kishin përmbysur monopolin e administrimit të Ramës, që e kishte me hak dështimin e dukshëm, qoftë edhe për një arsye të vetme: se, veçanërisht në mandatin e fundit, e kishte braktisur dhimbshëm bashkinë, me përjashtim të interesimit të pamunguar për lejet e ndërtimit. Bashkia, me të gjithë ekipin e saj të stërzmadhuar, mbetej jofunksionale. Por 15 %-shi, me gjithë inercinë që përmendëm, ishte në pikun e fitimeve. 5 %-shi u gradua në 20 %!
I shkoi huq atij që mezi u fut në garë dhe që nuk guxoi të bënte një përballje zgjedhore në një ballafaqim elektoral  kandidat me kandidat, se kapadaiu Rama ia njihte vetes inferioritetin e tij përkundrejt elokuencës arsyetuese të L. Bashës. Si kurdoherë, Rama bëri fushatë sloganesh, nënvleftësimesh, fyerjesh të kundërshtarit. Veçse u kujtua si me vonesë që të fliste për një program konkret, se çdo të behej me atë kryeqytet të braktisur, ekologjikisht në gjendje vajtuese, me rrugë ende gropa-gropa dhe me qarkullim të pamundur automjetesh. Ku e gjeti në mbarim të mandatit që ta bënte gërmadhë qendrën e qendrës së kryeqytetit, sheshin para kryeministrisë! Kërkonte të jepte përshtypjen e një kantieri ndërtues, por arteria kryesore u paralizua dhe drejtuesit e automobilave filluan të përdornin biçikletat se veturat përplasnin turinjtë njëra me tjetrën, ndonëse ecnin me hapat e breshkës.
Ky nihilist i sëmurë turivarur për të gjitha sukseset e qeverisjes, nuk donte t’ia dinte as për plehrat kapakhapur, as për tymosjen e makinave që ecnin me marsh të parë e të dytë, as për mungesën e parkimit të tyre, as për lulishtet që e pakësonin muaj pas muaji sipërfaqen e tyre, as për ngushticën e rrugëve ku s’kalojnë dot autocisternat zjarrfikëse dhe zjarri le të bënte kërdinë. Asnjëri ndër ithtarët fanatikë të Edit, nuk ka guximin të flasë për “sukseset” e ithtarit të tij, në drejtimin e art-kulturë-sportit, gjatë kohës që ishte kryetar i dikasterit që duhej të merrej me aktivitet e shumta që do të  duhej të gjallëronin Tiranën. Palé të krahasohen “aktivitetet”  e asaj kohe letargjike me ato të ditëve të sotme, në të cilat s’di ç’të përmendësh më parë: Këngët e vallet popullore, baletin klasik, operat e operetat, disa degë të aktivitetet sportive ku nuk kanë munguar medaljet e arta e të argjendtat, në rang europian. Në kohën kur ministrinë përfaqësuese e drejtonte E. Rama, artistët përbuzeshin, fyheshin dhe liheshin pa punë. S’duhet harruar kurrë që sot teatri, filmi, kompeticionet e këngëve, të kërcimtarëve, e artistëve të rinj, për të mos folur për galeritë e pikturave e të skulpturave, sallat e të cilave mbushen përplot dhe i presin radhës njëra-tjetrës. Në atë kohë aktivitetet kishin ngrirë dhe njerëzit e artit e të kulturës u ngujuan në një grevë të përgjithshme. Përse nuk flasin përkrahësit e sotëm të Ramës, sesi u nxorën nga greva me një agresivitet të pashembullt këta njerëz të talentuar?
Në të njëjtën mënyrë u soll ky prepotent edhe në fushatën zgjedhore të 8 majit.  Kundërshtarët e tij e përmendin gjithmonë me “zoti” para emrit të tij. Ai nuk pati respekt as për kandidatin e tij të drejtpërdrejtë, të cilit gjasme i ngatërronte edhe emrin: Lulëzim Saliu! Tani mundohet ta përligjë atë disfatën e tij zgjedhore me refrenin e bërë bozë, tashmë, të vjedhjes së votave! “Vjedhur” është një folje që të lë në qorrsokak, pa treguar se si e qysh u vodhën, kush i vodhi (me emër e mbiemër), në ç’mënyrë? Se, sa për hafije dhe për çimka, e majta jonë e skajshme, që quhet e majta e Edit, i ka me të tepërt. Njerëzit me mend dhe kompetentë thonë se është e pamundur ndërhyrja e njëanshme në votimet për të cilat po flasim. Ka shumë indekse sigurie. Bukur, le të shtohen elementet e sigurisë në zgjedhjet e ardhshme. Dhe përsëri humbësit e kryesuar nga Rama do ta përdorin atë shabllonin e mërzitshëm: “Na i vodhën!”.
Tani sikur po flasim për Kodin Zgjedhor. Gjithmonë socialistët e Ramës i bishtnojnë bashkëpunimit në kohën e duhur për ta bërë sa më transparent këtë kod. Por ER-ja, nga njëra anë është vonues i pandreqshëm dhe, nga ana tjetër, thotë se s’kishin kohën e duhur! Nga njëra anë e shpall troç që më 20 janar, atë që do të ndodhte më 21, nga ana tjetër kërkon që përgjegjësinë ta mbajnë të tjerët. Nga njëra anë është autor me firmë i Kodit Zgjedhor, nga ana tjetër nuk tregon interes për ta përmirësuar, në bashkëpunim më palën tjetër. Kërkon mënyrat ekstreme të zgjidhjes së problemit. Ndërhyrje në Kushtetutë! Me siguri ai ka për të mbetur i pakënaqur édhe në çdo zgjedhje të ardhshme. Atëherë, në çdo herë u dashka bërë ndërhyrje në kushtetutë? Nga njëra anë ka bërë shpenzime marramendëse për të shëtitur karvanë me manifestues në të gjitha fshatrat e Shqipërisë, për propagandë retorike boshe, apo na mohon të ardhura me miliona për të qenë i pranishëm në parlament për plotësimin e kritereve për anëtarësimin në BE. Nga ana tjetër, na u dhimbskan paret që të kemi një parlament dinjitoz, si edhe institucionet e larta shtetërore pranë tij. Rama e ka tepruar me ngërçet që i shkakton vetë dhe kërkon, pastaj, konsensusin që të dalim nga ngërçet e tij. Por djallëzia e një tekanjozi nuk mund të jetë kurdoherë e suksesshme.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›