E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca i hap rrugën importit të plehrave, PS: Përfiton mafia italiane

NNT: Debat i fortë në Kuvend për projektin e importit të plehrave, që mazhoranca e miratoi me votat e saj pavarësisht kundërshtimit të fortë të opozitës, e cila hodhi dyshime për përfshirjen e mafies italiane në këtë biznes

Shqipëria së shpejti mund të bëhet një vend i përpunimit dhe riciklimit të mbetjeve nga gjithë Evropa. Me projektligjin e miratuar dje nga mazhoranca aktuale lejohet importi i plehrave nga vendet e BE-së me qëllim përpunimi dhe riciklimi në vendin tonë. Firma të mëdha, kryesisht italiane, ku kriza e menaxhimit të plehrave është prej vitesh një problem i madh, tashmë do të investojnë në disa qytete të Shqipërisë për të ndërtuar impiante të përpunimit të plehrave. Opozita e quan këtë projekt katastrofik për mjedisin shqiptar.  Ajo ka akuzuar deputetët e maxhorancës për lejim të importit të mbetjeve, mes tyre dhe të rrezikshme, duke argumentuar se vendi ynë ka mungesë kapaciteti për kontrollin e tyre. “Nismat tuaja i janë prezantuar vendit, duke nisur nga propozimet për përpunimin e mbetjeve të vendit me impiante djegëse, por duke sjellë mbetje edhe nga jashtë, si dhe për depozitim lëndësh deri radioaktive në minierat e braktisura.  Camorra dhe Ndrangheta, sytë për plehrat i kanë nga Shqipëria, sepse në Shqipëri po miratohet një pr/ligj për trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe se qeveria shqiptare po i hap dyert këtij projekti të vendit. Vende të varfra si i yni, janë targete të mafias që operon fuqishëm për të nxjerrë përfundime marramendëse nga depozitimi dhe asgjësimi i mbetjeve të rrezikshme. Për fat të keq, tranzitimi i mbetjeve përmes territorit tonë, mbart rreziqe për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe predispozicionit të lartë korruptiv që është kthyer në një problemet e shoqërisë shqiptare. Ndonjë ditë nuk është cudi të mësojmë se problemi i ndotjeve po zgjidhet me ndonjë nga klientët e pushtetit të lidhur, kur dihet se grupe te ndryshme e shohin Shqipërinë, si një oaz ku mund të fitohet në mënyrë marramendëse nga depozitimi i lëndëve të rrezikshme”, tha deputeti Ethem Ruka. Ndërsa deputeti Arben Malaj iu drejtua deputetëve të mazhorancës duke u shprehur se me ligjin e propozuar prej tyre, çdo investitor shqiptar ka të drejtë, të ngrejë një fabrikë sa më të madhe dhe pas gjashtë muaj t’i  vërtetojë qeverisë se nuk ka më kapacitet sepse dihet teorikisht kapaciteti maksimal i mbetjeve në Shqipëri.

Deputeti Taulant Balla solli fakte sipas të cilave në biznesin e importit të mbetjeve drejt Shqipërisë është e përfshirë mafia italiane. “Ju do të nxisni investimet në këtë industri, e cila nuk do të ketë në thelb pastrimin e ambientit shqiptar, por biznesin me mbetjet”, tha Malaj. Në fjalën e tij, deputeti tjetër socialist Taulant Balla u shpreh se projektligji është i porositur nga interesa mafioze nga vende të tjera që duan medoemos, që të ndërtojnë në Shqipëri impiante të përpunimit dhe të groposin plehrat e tyre. “Sipas projektit Skorja, volumi i dytë i hartuar nga Agjencia Rajonale për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Ambientit, me qendër në Pulja, Shqipërisë i duhen shumë impiante jo vetëm për plehrat e veta, por edhe për plehrat e Europës. Në këtë raport thuhet që në planet e parashikuara, të konsultuara me qeverinë shqiptare, janë këto ndërmarrje të mëdha, për ndërtimin e vendpërpunimit të plehrave. Si vende përpunimi janë Vlora, Elbasani, Berati, Gjirokastra, me vlerë totale janë 120 milionë euro”, tha Balla. Sipas tij, të dhënat e Wikileaks tregojnë ndër të tjera edhe se çfarë ka shkruar konsulli amerikan në Napoli. “‘Camorra dhe Ndrangheta, sytë për plehrat i kanë nga Shqipëria, sepse në Shqipëri po miratohet  një pr/ligj për trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe se qeveria shqiptare po i hap dyert këtij projekti’. Konsulli i shkruan Departamentit të Shtetit që të merren masa, që të njoftohet qeveria shqiptare që të marrë masa për këtë rrezik që i kanoset nga dy grupet më të mëdha mafioze në Itali”, tha Balla.

Përfaqësuesi i qeverisë duke sqaruar këtë ligj tha se ligji për menaxhimin e mbetjeve ka një kosto prej 132 milion euro, një pjesë e të cilave do të shkojë për ndërtimin e landfilleve. “Ky ligj parashikon importimin e mbetjeve vetëm për qëllime riciklimi dhe ndalon importimin e mbetjeve për qëllime të tjera, depozitim, grumbullim të mbetjeve të rrezikshme”, tha Drejtori i Politikave ne Ministrinë e Mjedisit, Pëllumb Abeshi. Deputetët e opozitës kanë kundërshtuar 50 % te neneve te këtij ligji dhe kane theksuar se lejimi i importit të mbetjeve ne vend po shtyhet nga biznese të mëdha që merren sot me këtë industri. Ligji për menaxhimin e mbetjeve është pjesë e rekomandimeve të Bashkimit Europian

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›