E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca, jo rritjes së taksës së sheshtë

SHKRUAN: Sabina Veizaj 28-10-2011 11:40

Një rritje të paktën 2% ka kërkuar Fondi Monetar Ndërkombëtar për taksën e sheshtë, duke u nisur nga suksesi i kësaj takse në Shqipëri për të rritur të ardhurat në arkën e buxhetit të shtetit, në mënyrë që të ushqehet borxhi publik. FMN ka propozuar rritjen e taksës së sheshtë prej 2%. Burimet konfidenciale pranë këtij dikasteri kanë bërë me dije për MAPO-n se qeveria shqiptare e ka lënë të hapur këtë propozim, ndoshta për vitin e ardhshëm, pasi vendimi për të implementuar këtë taksë në momentin që buxheti i 2012-ës ka përfunduar së u hartuari, është tepër vonë. FMN gjithashtu ka propozuar rritjen e taksës së sheshtë edhe në raportin voluminoz për ekonominë shqiptare të publikuar në faqen e saj të internetit disa ditë më parë. Ndërkaq, deputetë të mazhorancës, specialistë të fushës së ekonomisë mohojnë prezencën e një misioni të FMN-së në Tiranë, por e quajnë të natyrshëm këtë propozim, i cili nuk vjen për herë të parë. Sherefedin Shehu dhe Subi Hida gjykojnë se nuk është momenti për të rritur taksën e sheshtë. “Një rishikim i saj, - shprehen ata për MAPO-n, - lihet i hapur për një kohë tjetër. “Taksa e sheshtë është një taksë suksesi në vend, nga e cila janë shtuar të ardhurat në arkën e shtetit. Tani nuk është momenti për t’u riparë, por do të lindte nevoja atëherë kur të mungonin kapacitetet administrative. Madje as politikisht nuk është momenti për t’u rishikuar një rritje e mundshme e nivelit të taksës së sheshtë”, – u shpreh për MAPO-n deputeti demokrat, njëkohësisht ekspert në fushën e financave, Sherefedin Shehu. Ai nënvizon se edhe politikisht nuk është momenti për t’u riparë mundësia e rritjes së taksës së sheshtë, duke marrë parasysh se kjo taksë ishte revolucioni i politikës fiskale të qeverisë ‘Berisha’ dhe vitit 2013 është një vit i rëndësishëm elektoral. Në të njëjtën kohë edhe Subi Hida mendon se taksa e sheshtë është një histori suksesi. “FMN nuk është hera e parë që propozon rritjen e taksës së sheshtë, por kjo taksë ka sjellë rezultate të drejtpërdrejta në të ardhurat e buxhetit të shtetit, në këtë mënyrë nuk ka asnjë arsye që ajo të rritet”, - tha Hida për MAPO-n.

Por, revista “Forbes” i ka bërë herë pas here jehonë suksesit të taksës së sheshtë në Shqipëri, duke theksuar se nga implementimi i kësaj takse të ardhurat u rritën me 18.4%, edhe pse 2008-ta ishte një vit krize ekonomike kudo në botë. Sipas “Forbes”, aplikimi i taksës së sheshtë në Shqipëri, pavarësisht periudhës së krizës mbarëbotërore ka sjellë për vendin rritje të lartë, të ardhura të qëndrueshme/masa e PBB-së, rritje të të ardhurave qeveritare. Pak ditë më parë, në raportin e saj për ekonominë shqiptare, FMN-ja rekomandoi qeverinë për të rritur nivelin e taksave administrative dhe sidomos atë të taksës së sheshtë. FMN të njëjtin propozim ka bërë edhe një vit më parë, ku vetë kreu i FMN-së në Tiranë, Bell, në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin Bode dhe guvernatorin Fullani propozoi një rritje deri në 15% të taksës së sheshtë, duke u shprehur se rritja prej deri në 5% e taksës së sheshtë nuk e ul reputacionin si vend me taksat më të ulëta të Shqipërisë në rajon e më gjerë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›