E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria ul kërkesën, bien interesat e bonove të thesarit

Interesat e Bonove të Thesarit po bien. Shtimi i mëtejshëm i likuiditeteve në administrim të sistemit bankar ka bërë që interesat e huamarrjes publike të bien gjatë muajit tetor dhe qeveria të ulë kërkesën për të marrë borxh. Në ankandin e fundit, norma mesatare e ponderuar e interesit për Bonot me afat maturimi 12-mujor ra në 7.5%, nga 7.67% që kishte qenë në muajin shtator. Vlera e borxhit të emetuar ishte 4.7 miliardë lekë, ndërkohë që oferta për financim ishte mjaft e lartë, në vlerën e 8.6 miliardë lekëve. Për Bonot me maturim 12-mujor, vlera prej 4.7 miliardë lekësh është shuma e dytë më e ulët e kërkuar nga Qeveria në një ankand të vetëm, gjatë këtij viti. Në përgjithësi, vlera e borxhit për ankand ka qenë më e ulët në gjysmën e dytë të vitit, pas rishikimit të buxhetit.

Bonot me afat maturimi 6-mujor u emetuan me një normë interesi të ponderuar 6.49%, nga 6.77% që ishte në muajin Shtator. Interesat e Bonove të Thesarit janë një tregues kyç në tregun e brendshëm, sepse, përveçse përcaktojnë koston e borxhit publik, orientojnë edhe interesat e kredive në monedhën vendëse.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›