Mazhoranca mbështet shkurtimet buxhetore
Parlamenti shqiptar miratoi dy ditë më parë ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2010-të, për të anashkaluar efektet e krizës ekonomike botërore. Vendimi i qeverisë, për t’i dhënë një shtysë të re projekteve të nisura, përmes financimit, pritet të konkretizojë efektet e para gjatë 6 mujorit të dytë të vitit. Megjithëse u kundërshtua fort nga opozita gjatë seancës parlamentare, kundërshtime këto që s’kishin as bazën më minimale të përputhjes së tyre me realitetin, u shuan dhe u faktuan si fallto në momentin që opozita doli nga salla e kuvendit. Shumica i përmbahet qëndrimit se pakësimi i shpenzimeve buxhetore është një masë e zakonshme, e këshilluar nga FMN për të ulur deficitin buxhetor, dhe për t’u mbrojtur nga pasojat e krizës botërore. Ekonomia shqiptare nuk u përfshi në vorbullën e egër të krizës ekonomike botërore, por edhe efektet e saj deri më tani kanë qenë të papërfillshme, por sidoqoftë garancia e buxhetit të shtetit duhet të ishte gjithmonë në nivele optimale. Përmes politikave nxitëse, përdorimit të stimujve fiskalë nga ana e qeverisë, ekonomia shqiptare performoi pozitivisht në të dy vitet, 2008 dhe 2009, duke përbërë kështu, jo vetëm një rast pozitiv në rajon, por, njëkohësisht, duke krijuar një mundësi për politikë bërjen në Shqipëri, një mundësi për qeverinë shqiptare, që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar një rritje ekonomike pozitive në të ardhmen, për të përshpejtuar këtë rritje ekonomike pozitive dhe për të mos lejuar financat e vendit të shkojnë në një situatë të vështirë.
Pavarësisht angazhimit maksimal të Qeverisë dhe Ministrisë së Financave, opozita vazhdon të sulmojë në mënyrë të pamëshirshme shkurtimet buxhetore, duke i quajtur ato katastrofike, në një kohë kur vendet e rajonit kanë shkurtuar pagat dhe pensionet, ndërsa në Shqipërisë është demonstruar e kundërta; janë rritur paga e pensioneve periudhë pas periudhe. Në këtë sens, kambanat e alarmit të opozitës së Edi Ramës, i cili si gjithmonë i lexon mbrapsht shifrat ekonomike dhe indikatorët e rritjes proporcionale të sektorëve ekonomikë, janë të destinuara të hidhen poshtë dhe të mos shkasin as efektin më minimal.