Mazhoranca mbron rishikimin e buxhetit: Shmangen presionet e recensionit global, Rama quan krizë bilancet negative të tij dhe Koços

UPDATE- FMN dhe institucionet e tjera financiare kanë vlerësuar projektligjin. Kreu i financave thekson se me anë të këtyre ndryshimeve do të korrigjohen disa elementë të buxhetit, të cilat përballen me tensione të krizës së gjatë ekonomike botëror. Ksera: Shkurtohen shpenzimet, jo bllokim të programeve baz. Ruli: Ekonomia është solide, Rama ka vetë bilance me humbje
Ministri i Financave, Ridvan Bode mbrojti sot në Kuvend, vendimin e Qeverisë për të rishikuar buxhetin e 2010-ës, duke e konsideruar këtë si paraprirje e efekteve të krizës ekonomike botërore. Bode i bëri thirrje deputetëve që të votojnë ligjin, pasi siç u shpreh ai vendimi është vlerësuar nga FMN dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. “Ndryshimet në buxhetin e vitit 2010 synojnë mbajtjen e ekonomisë shqiptare në ritmet më të larta të mundshme të zhvillimit ekonomik. Këto ndryshime kondicionohen nga një numer zhvillimesh në tregjet lokale dhe ato ekonomiko-rajonale”- u shpreh ministri Bode. Ai deklaroi para ligjvënësve se ekonomia shqiptare i shpëtoi krizës financiare falë politikave fiskale që ndoqi qeveria shqiptare dhe se u morën të gjitha masat për të përshpejtuar rritjen ekonomike pozitive dhe financat e vendit të mos shkojnë dëm. “Shqipëria shmangu uljen ekonomike gjatë vitit 2008-2009. Nga të dhënat dhe idikatorët ekonomikë, vendi ynë ka një ekonomi të qëndrueshme dhe në rritje progresiste. “Gjatë vitit 2009-ë ekonomia shqiptare pati një rritje prej 3.3% dhe në tre mujorin e parë të vitit 2010-ë pati një rritje prej 2.2%, pra në këtë periudhë të rëndë stresi ekonomik në të gjithë botën”- tha më tej ministri i Financave. Bode, duke krahasuar ekonomitë e vendeve të rajonit dhe efektet e krizës globale në këto vende si dhe efektet në ekonominë shqiptare, tha se parashikohet që borxhi i prodhimit të brendshëm bruto të ulet nga 4 në 3 %. Sipas tij borxhi është më i lartë në vendet në rajon, por është më i miri. “Kostoja është më e ulëta, se në të gjithë vendet e rajonit. 2/3 e borxhit publik është i brendshëm, është borxh në lekë i cili administrohet në mënyrë më të mirë dhe në paramentart më të mirë të mundshëm. Borxhi i jashtëm mbështetet në Bankën e Zhvillimit i cili ka financuar dhe vazhdon të financojë projekte në Shqipëri. Ky borxh ka normë interesi shumë të ulët të butë dhe me një afat krediti që kalon mesatarshi 15 vite”- tha ai. Buxheti i rishikuar parashikon uljen e shpenzimeve në masën 25 përqind.
Ministri i Punës dhe çështjeve Sociale, Spiro Ksera: Buxheti nuk cenon programet bazë, reduktohen shpenzimet
Ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, sqaroi sot në Kuvend para ligjvënësve, se ndërhyrjet në buxhetin e shtetit janë bërë me qëllim shkurtimin e shpenzimeve dhe jo për të cenuar programet bazë të mbështetjes sociale. Ndryshimet në ligjin për buxhetin 2010, nuk prekin programet bazë të mbështetjes sociale, por kryesisht reduktojnë shpenzimet. Ndryshimi i fondeve buxhetore nuk do të prekë dhe as deformojë sektorët bazë. Ndryshimet kanë të bëjnë kryesisht me reduktimin e shpenzimeve operative, dietat, udhëtimet, telefonatat, kursimet në energji brenda dikastereve tona etj”- u shpreh ministri Ksera. Reagimi i ministrit Ksera erdhi pas akuzave të opozitarëve se me ndryshimet në buxhet, qeveria ka bllokuar funksionimin e programeve bazë të Ministrisë së Punës, për mbështetjen sociale. Ksera tha se në vitin 2010 Ministrisë së Punës, i është akorduar në total fondi në vlerën 42 miliardë e 596 milion lekë. Me buxhetin e rishikuar ai është në vlerën 41 miliardë e 426 milionë lekë, pra me një diferencë prej 1 miliardë e 170 milion lekë.
Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli: Ekonomia solide, Rama ka vetë bilance me humbje Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli deklaroi sot në Kuvend se opozita nuk e pranon impaktin pozitiv të reformave në ekonominë e vendit. Ministri Ruli, duke mbrojtur draftin e propozuar nga qeveria për rishikimin e buxhetit, akuzoi opozitën për retorikën agresive të përdorur ndaj ecurisë pozitive të ritmeve të ekonomisë së vendit. “Ishin reformat që e shkëputën Shqipërinë në vitin 2006 nga rreziku i hyrjes në orbitën e rritjes ekonomike të ulët. Në fjalën e tij në parlament Ruli reagoi dhe ndaj akuzave të vazhdueshme që kryetari i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama ka adresuar ndaj qeverisë lidhur me situatën ekonomike në vend. “Duke qenë se ky lider po pëson humbje, në vend të ndryshojë strategjinë e taktikën përsëri po vijon sjelljen e tij të parapëlqyer që është kriza. Ju kujtoj se këshilltari më i besueshëm ekonomik për Edi Ramën nuk është asnjë nga ekspertët e ekonomisë së PS-së, por miku i tij biznesmen, i cili prej 10 vitesh u jep leksione shqiptarëve në rubrikën si “Të bëheni milioner”, ndërkohë që prej 20 vjetësh ka bilance me humbje në të gjithë aktivitetin e tij”- përfundoi ministri Ruli fjalën në Kuvend.
...