E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia e reformës në sistemin e Drejtësisë, Nishani: Forcimi i shtetit ligjor dhe çmontimi i korrupsionit

Ministri Bujar Nishani prezantoi sot Strategjinë Sektoriale të Drejtësisë


Qeveria e konsideron jetike vazhdimin e kursit reformator në sistemin e drejtësisë. Kështu u shpreh sot ministri Bujar Nishani, gjatë prezantimit të strategjisë së reformës në Drejtësi, ku deklaroi se mbetet i rëndësishëm përmirësimi i sistemit të drejtësisë, si një detyrim me karakter absolut dhe i pakushtëzuar ndaj qytetarëve shqiptarë, por edhe si angazhim i ndërmarrë nga Shqipëria në strukturat euro-atlantike. “Prezantimi i kësaj Strategjie synon jo vetëm kristalizimin e parimeve, qëllimeve dhe objektivave mbi sistemin e drejtësisë, por mbi të gjitha bashkërendimin dhe koordinimin institucional në një të vetëm. Me anë të këtij dokumenti strategjik synohet përsosja më tej e sistemit të drejtësisë, rritja e aksesit në drejtësi, rritja e besimit të publikut në drejtësinë shqiptare duke e forcuar dhe rritur më tej kontributin e këtij sektori në zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe duke nxitur e përshpejtuar integrimin evropian”- u shpreh ministri Bujar Nishani. Ministri Nishani shpalli parimet kryesore të strategjisë që prezantoi që janë pavarësia dhe paanësia e pushtetit gjyqësor, përgjegjshmëria e gjyqtarëve dhe aktorëve të tjerë ndaj Kushtetutës dhe Ligjit; rritja e aksesit për qytetarët në drejtësi; rritja dhe konsolidimi i transparencës së të gjithë veprimtarisë së sistemit të drejtësisë. Ministri i Drejtësisë shtoi se në hartimin e draft strategjisë sektoriale të drejtësisë kanë kontribuar të gjithë institucionet e përfshira në sistemin e drejtësisë si dhe organizatat e tjera që operojnë në fushën e drejtësisë, duke formuar në këtë mënyrë një dokument unik, i cili do të shërbejë si një udhërrëfyes për punën e të gjithë këtyre aktorëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›