E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca miraton buxhetin e Bashes

29/12/2011  Pranvera Kola

Pas një seance maratonë, këshilli bashkiak i kryeqytetit i ka thënë “po” buxhetit të ri të Tiranës. Janë dashur më shumë se pesë orë diskutime dhe debate ndërmjet palëve të këshillit deri në kalimin për miratim të buxhetit, të cilit i kanë thënë “po” vetëm përfaqësuesit e së djathtës në këshill. Buxheti është miratuar me 29 vota pro dhe 25 kundër, nëpërmjet të cilave këshilltarët e majtë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me projektet e detajuara për t’u zbatuar gjatë vitit të ardhshëm. Pas buxhetit janë aprovuar edhe një sërë projektvendimesh të tjera, që kanë të bëjnë me uljen e taksave për bizneset që hapin vende të reja pune, aprovimin bursave për nxënësit e studentët e kryeqytetit, emërtimin e një rruge të re etj. Mbledhja ka nisur me debate të shumta sa i takon procedurës së votimit të rendit të ditës dhe nisjes së diskutimeve të pikës më të përfolur: miratimi i buxhetit. Kjo pasi këshilltarët e majtë kanë deklaruar se nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme jo vetëm ata, por edhe qytetarët, që të njihen dhe të japin mendimet e tyre në lidhje me detajet e parashikuara në buxhet. Kreu i këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, ka deklaruar se ka pasur shqetësime të shumta nga ana e drejtuesve të njësive bashkiake se gjatë diskutimeve nuk u është paraqitur asnjë material në lidhje me risitë që do të përmbajë buxheti i ri për vitin e ardhshëm. Pas diskutimeve ndërmjet palëve, mbledhja ka vijuar me prezantimin nga kryebashkiaku Basha të projekteve më të rëndësishme që përmban buxheti për zhvillimin e kryeqytetit. Pas detajimit të këtij plani nga Basha mbledhja është ndërprerë për më shumë se gjysmë ore, pasi palët janë tërhequr për të hartuar pyetjet që do t’i drejtonin kryebashkiakut në lidhje me parashikimet e bëra. Edhe kjo procedurë ka shkaktuar debate dhe tensione të shumta ndërmjet palëve në këshill, pasi këshilltarët e majtë nuk pranuan të regjistrojnë pyetjet me shkrim. Ata donin që ato të ishin të drejtpërdrejta, dhe kjo kërkesë u mor parasysh, duke sjellë edhe vijueshmërinë e seancës. Këshilltarët e majtë më pas kanë adresuar dhjetëra pyetje ndaj kryebashkiakut, duke ngritur akuza për një hartim jokorrekt të buxhetit, realizimi i të cilit jo vetëm nuk ka marrë për bazë kërkesat e qytetarëve, por në zëra të veçantë është hartuar duke vënë në dukje një shpërndarje të pabarabartë fondesh ndërmjet njësive bashkiake, veçanërisht ato në arsim. Po ashtu këshilltarët e majtë kanë ngritur edhe akuza për shtim të shpenzimeve në nivelet e administratës, fonde këto që sipas tyre duhej t’u drejtoheshin qytetarëve. Të gjitha këto pretendime janë hedhur poshtë nga kryebashkiaku Basha, i cili ka deklaruar dhe shifrat konkrete të uljes së shpenzimeve të administratës deri në 15 për qind nga 22 që ishte më parë, po ashtu edhe të shtimit të investimeve në adresë të qytetarëve deri në 33 për qind, sikundër nuk ka ndodhur asnjëherë në buxhetet që janë aprovuar për kryeqytetin. Sipas Bashës, buxheti synon rritjen ekonomike dhe punësimin, cilësinë e jetës dhe zhvillimin e infrastrukturës. Sipas tij, në buxhet parashikohet trefishim i investimeve publike krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës në këta 20 vjet dhe shpërndarjen e tyre anembanë qytetit.

Përjashtohen nga taksa e pasurisë, tabelës identifikuese e tarifës së pastrimit e trajtimit të mbeturinave

Bizneset që përfitojnë faljen e taksave

Përfitimet edhe për subjektet e ndërtimit, taksa ulet me 30 për qind

Pranvera Kola

Bizneset që hapin vende të reja pune do të mund të shpëtojnë nga një sërë taksash dhe detyrimesh vendore, të cilat i kanë kaluar për miratim gjatë ditës së djeshme këshillit bashkiak të kryeqytetit. Sikundër ishte premtuar nga kryebashkiaku Lulzim Basha, këshilli është njohur me taksat e tarifat vendore që do të hiqen për të gjitha subjektet që do të tërheqin nga zyrat e punës të papunë. Për këtë është propozuar që të përjashtohen nga pagesa e taksës mbi pasurinë, taksës së tabelës identifikuese dhe tarifës së pastrimit dhe trajtimit të mbeturinave për katër vjet të gjitha subjektet e reja të biznesit në kryeqytet që arrijnë të punësojnë mbi 50 punonjës të marrë nga lista e të papunëve në zyrat e punësimit të Tiranës. Në vendimin e paraqitur në këshill bëhet me dije se lehtësira krijohen edhe për subjektet e ndërtimit, të cilët do të punësojnë një numër të konsiderueshëm punonjësish mbi 75 të marrë po nga listat e zyrave të punësimit në kryeqytet. Për këto subjekte do të ulet detyrimi në masën 30 për qind për taksën e ndikimit në infrastrukturë nga leja e ndërtimit në rastet kur punësojnë më shumë se 75 punonjës të marrë nga listat e zyrave të punës. Lehtësirat e parashikuara diktojnë si kushte të domosdoshme që të gjithë punonjësit e punësuar nga biznesi duhet të jenë të konfirmuar dhe të pajisur me dokumentacionin përkatës nga zyrat e punës. Po në zbatim të këtyre lehtësirave për përkrahjen e nismës së punësimit të mbi 50 punonjësve do të përgatitet dhe të nënshkruhet aktmarrëveshja me subjektet që do t’i përgjigjen kësaj nisme duke përcaktuar të drejtat dhe detyrimeve e parashikuara nga palët në periudhën e caktuar. Për zbatimin këtij vendimi ngarkohet drejtoria juridike, ajo e planifikimit strategjik dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore. Duke iu përgjigjur shqetësimit të ngritur nga këshilltari i majtë Lorenc Vangjeli mbi evidentimin apo krijimin e listave të bizneseve që do të aplikojnë për të përfituar faljen taksave nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës, kryebashkiaku Lulzim Basha ka konfirmuar se kjo nismë shihet me seriozitet dhe ka propozuar që të shkohet më tej në lehtësimin e këtyre kushteve, duke bashkëpunuar në këtë rast edhe me qeverinë. Për këtë është menduar që në një fazë të dytë t’i propozohet qeverisë që për ato subjekte, siç janë bankat apo rrjetet e mëdha telefonike, që do të punësojnë mbi 500 persona, të mund t’u kthehet gjysma e tatimeve. Kjo me qëllim lehtësimin e nismës së lirë dhe biznesit, duke synuar uljen e papunësisë, që i shërben rritjes së mirëqenies dhe komunitetit kryeqytetas. Basha ka konfirmuar se bizneset kanë treguar interes për këtë nismë, ndonëse nuk është bërë ende një listë zyrtare e kompanive që do të listohen për të hapur vende të reja pune dhe për të shpëtuar nga taksat.

Përjashtohen nga pagesa e taksës mbi pasurinë, taksës së tabelës identifikuese dhe tarifës së pastrimit dhe trajtimit të mbeturinave për katër vjet të gjitha subjektet e reja të biznesit në kryeqytet, që arrijnë të punësojnë mbi 50 punonjës, të marrë nga lista e të papunëve në zyrat e punësimit të Tiranës. Po ashtu lehtësira ka edhe për subjektet e ndërtimit, që do të punësojnë mbi 75 punonjës, për këto subjekte do të ulet detyrimi në masën 30 për qind për taksën e ndikimit në infrastrukturë nga leja e ndërtimit në rastet kur punësojnë më shumë se 75 punonjës të marrë nga listat e zyrave të punë.

Mbi 6 mijë prona të papërdorura do vihen në gjendje pune

Vetëm legalizimet shtojnë minimumi

20 milion euro të ardhura në buxhet

Këshilltarët e majtë kanë akuzuar administratën bashkiake për hartimin e një buxheti euforik dhe të pabazuar në kushtet reale të kryeqytetit shqiptar. Kjo veçanërisht në detajimin e të ardhurave dhe shpenzimeve që do të realizohen. Detajimet e bëra në buxhet për realizimin e të ardhurave, disa herë më të larta se parashikimi, janë klasifikuar si thënie euforike dhe të pamundura për t’u realizuar. Kundrejt këtyre akuzave kryebashkiaku Lulzim Basha ka deklaruar se mbledhja e të ardhurave të parashikuara është tepër optimiste. Kjo pasi nga evidentimet e bëra deri tani në kryeqytet janë gjetur mbi 6 mijë asete publike që nuk janë vënë në punë apo përdorim asnjëherë, pavarësisht ekzistencës së tyre. Sipas kryebashkiakut, të gjitha këto asete publike do të vihen në përdorim dhe do të prodhojnë vlera për kryeqytetasit, pasi administrimi i 6 mijë pronave të papërdorura apo administruara më parë shton nivelin e të ardhurave, duke krijuar edhe fonde rezeve në buxhet për të realizuar projektet strategjike të përmendura. Më tej Basha ka sqaruar se edhe procesi i legalizimit gjatë vitit 2012 do të përfundojë për kryeqytetit, duke çliruar dhe një sërë të ardhurash të mira që do të shihen si rezerva në buxhet për të përmbushur premtimet e bëra. Kështu, vetëm nga procesi i legalizimeve pritet të arkëtohen minimumi 20 milionë euro vetëm nga taksa e ndikimit të këtyre ndërtimeve në infrastrukturë. Fonde këto që të gjitha do të shkojnë në realizimin e projekteve strategjike të zhvillimit të kryeqytetit.

Lufta ndaj informalitetit

Vetëm në një muaj evidentohen mbi

400 biznese të paregjistruara

Duke iu përgjigjur pyetjeve të bëra nga anëtarët e këshillit, krybeashkiaku Lulzim Basha ka deklaruar se ulja e informalitetit do të rrisë të ardhurat nga biznesi, të ardhura të cilat do të shkojnë për realizmin e projekteve dhe investimeve të parashikuara. "Ne e bazojmë projeksionin tonë në luftën kundër informalitetit. Mbi 400 biznese të palicensuara janë konstatuar në Tiranë vetëm në një muaj ndërkohë kontrollet do të vijojnë për të evidentuar edhe të tjerat. Me luftën kundër informalitetit ne do të rrisim të ardhurat dhe do të nxitim konkurrencën e ndershme. Në këtë drejtim do të investohet për të rritur performancën", - tha Basha. Seanca e pyetjeve për kryebashkiakun Basha nisi e tensionuar për shkak të procedurës së drejtimit të pyetjeve. Kryetari i këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi, e konsideroi të pabazuar kërkesën e mazhorancës që pyetjet t’i drejtohen kryetarit të Bashkisë me shkrim, pasi, sipas tij, nuk ka rregullore që e parashikon këtë çështje. Nga ana e tij kryetari i këshilltarëve demokratë, Ferdinand Pone, tha se kjo mënyrë e të drejtuarit të pyetjeve vjen për të shmangur polemikat pa fund. Ndërkohë kryebashkiaku Lulzim Basha theksoi se është i gatshëm t’u japë përgjigje pyetjeve, duke ndarë qartë fazën e pyetjeve me fazën e përgjigjeve.

Shqetësimet për mbarimi i vendeve në varreza

Nis puna për shpronësimet

pranë zonave përkatëse

Një tjetër shqetësim i ngritur nga këshilltarët bashkiakë ishte mungesa e vendeve në varrezat e kryeqytetit, të cilat tashmë kanë nisur të spostohen drejt zaptimit të rrugëve. Ky shqetësim, sipas këshilltarëve të majtë, jo vetëm që kërkon një zgjidhje emergjente, por nuk gjen vendin e duhur në buxhetin e ri të hartuar për kryeqytetin. Pavarësisht këtyre pretendimeve, Basha ka sqaruar para këshillit se tashmë ka nisur puna për zgjidhjen e kësaj problematike, e cila është rënduar së tepërmi gjatë vitit të fundit. Fillimisht është menduar për gjetjen e një zgjidhjeje emergjente për dy tre vjetët e parë, ku në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Brendshme është arritur edhe marrëveshja për nisjen brenda një kohe tepër të shkurtër të shpronësimeve në zonat pranë dy varrezave. Kjo në mënyrë që t’u jepet zgjidhje mungesës së vendeve të varrimit për një afat kohor prej tre vjetësh. Ndërkohë gjatë kësaj periudhe, ka konfirmuar kryebashkiaku Lulzim Basha, grupet e punës do të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë të këtij problemi. Për secilin rast në buxhet janë bërë detajimet përkatëse se si do të veprohet nga strukturat përgjegjëse në zgjidhjen e këtij problemi.

Projekte të reja

Rikualifikime urbane = 100 ha

- Sheshi te pazari ri dhe sheshi “A.Rustemi”, njësia bashkiake nr. 2

- Blloku te Kodra e Priftit, 9.5 ha, njësia bashkiake nr.3

-Bllokut “Sadik Petrela”, 5 ha, njësia bashkiake nr.3

-Blloku “Qemal Stafa” dhe rikonstruksioni i rrjetit KUZ, njësia bashkiake nr.3

-Bllokut 6/1, 5 ha, njësia bashkiake nr. 4

-Qendra e Kinostudios, 2,3 ha + sheshi Kinostudio, njësia bashkiake nr.4

-Blloku i banimit të ndodhur në territorin e njësisë nashkiake nr.7

-Blloku i doganës, njësia bashkiake nr.7

-Blloku 34/1 dhe sheshi pranë Medresesë, 2,3 ha, njësia nr.8

- Blloku 46 me një sipërfaqe prej 4,7 ha, njësia bashkiake nr.9

-Blloku 53, njësia bashkiake nr.9

-Blloku mbi shina (sipërfaqe prej 30 ha), njësia bashkiake nr.11

-Ndërtimi i kanalit nga rr. “Dalip Topi”, rr. “Marije Kraja” (Rr. E Kokonozëve)

Njësia bashkiake 1

Ndërtim i rrugës, segmenti vazhdimi i rrugës "H. Sufa" deri te materniteti i ri

Ndërtimi i urës në Shkozë

Rikonstruksioni i rrugës “Agush Gjergjevica”, Shkozë

Rikonstruksioni i rrugës “Pasho Hysa”

Njësia bashkiake nr.2

Ndërtimi i bulevardit “P.N.Luarasi”

Ndërtimi i rrugës "Arben Broci”,

Ndërtimi i rrugës “Bajram Allaraj”

Rikonstruksion i rrugës “28 Nëntori”

Njësia bashkiake nr.3

-Rikonstruksioni i rr. "Bajram Çela”

-Rikonstruksioni i rrugës "Odise Grillo”,

Rikonstruksioni i rrugës "Endri Keko”

Njësia bashkiake nr. 4

Ndërtim i rrugës që lidh rrugën "5 Maji" me rrugën "Selaudin Zorba"

Ndërtimi i rrugës "Kahreman Ylli" (pjesa e parealizuar)

Rikonstruksioni i rrugës "Teki Selenica”

Njësia bashkiake nr. 5

Ndërtimi i rrugës "Marko Boçari"

Ndërtimi i rrugës "Robert Shvarc"

Rikonstruksioni i rrugës "Qemal Butka"

Rikonstruksion i rrugës "Ilia Dilo Sheperi"

Rikonstruksioni i rrugës “Brigada VIII”

Ndërtim i Rrugës së Kosovarëve, rreth 600 ml

Rikonstruksion i rrugës “Pjetër Bogdani”

Njësia bashkiake nr. 6

Rikonstruksioni i rrugës te fabrika e qelqit

Rikonstruksioni i rrugës "Hamdi Cenoimeri"

Rikonstruksioni i rrugës "Llambi Ziçishti”

Njësia bashkiake nr. 7

Rikonstruksioni i rrugës "Mic Sokoli"

Rikonstruksioni i rrugës "Preng Jakova"

Rikonstruksioni i rrugës "Viktor Hygoi”

Njësia bashkiake nr. 8

Rruga e Dibrës, trotuaret + ndriçimi

Rruga "Gjon Buzuku"

Rruga "Xhemal Tafaj"

Rruga "Pandi Stillo" dhe "Pandi Stillo"

Asfaltim i rrugëve të brendshme të bllokut të kufizuar nga Rruga e Dibrës, rruga “Bardhyl”, “Katër Dëshmorët”

Njësia bashkiake nr. 9

Ndërtimi i segmentit, fillimi i rrugës "Mahmut Fortuzi", ndërprerja me unazën

Ndërtimi i segmentit të kryqëzimit, ish-kombinati "Josif Pashko", ish-uzina “Dinamo” e re

Ndërtimi i rrugës te Filanto

Rruga "Llazar Shapatini"

Rruga "Isuf Balta”

Rruga "Don Bosko", trotuaret e krahut të djathtë

Rruga "Siri Kodra" trotuaret.

Njësia bashkiake nr. 10

Rikonstruksioni i rrugës “Bogdani”

Rikonstruksioni i rrugës "Islam Alla"

Rikonstruksioni i rrugës "Mujo Ulqinaku"

Rikonstruksioni i rrugës "Him Kolli"

Rikonstruksioni i rrugës "Gjon Muzaka"

Rikonstruksioni i rrugës "Mine Peza"

Rikonstruksioni i rrugës "Mihal Duri"

Rikonstruksioni i rrugës "Hajdar Hidi

Njësia bashkiake nr. 11

Unaza në Kodër-Kamzë rreth 1300 ml

Ndërtimi i rrugës që lidh rrugën "Don Bosko" me rrugën “Egnatia”.

Të tjera investime

Në rrugën "Irfan Tomini"

Ndërtimi rrugës lidhesh midis rr. “Elez Isufi” dhe rr. “Ali Gjuzi”.

Zhvendosja e linjave elektrike dhe të telefonisë në rrugët e rikonstruktuara.

Studim i kapaciteteve të parkimit të qytetit të Tiranës.

Studim projektim i projekteve për programin e menaxhimit të rrugëve.

Investimet në transport

Projekti i transportit multimodal, koristë e dedikuara dhe rritja e sigurisë rrugore.

Projekti për sinjalistikën horizontale në qytetin e Tiranës.

Projekti për sinjalistikën vertikale në qytetin e Tiranës.

Rikonstruksioni dhe rehabilitimi i sinjalistikës së ndritshme të qytetit.

Investimet në arsim

Rikonstruksion i 11 kopshteve të reja.

Ndërtimi i një kopsht të ri.

Ndërtimi 1 kopeshi dhe një çerdheje

Rikostruksion i plotë i 8 shkollave, prej të cilave 6 të sistemit 9-vjeçar dhe 2 shkolla të mesme.

Ndërtimi i 7 shkollave të reja, prej të cilave 5 të sistemit 9-vjeçar dhe 2 shkolla të mesme

Bonuse financiare për nxënësit e shkëlqyer të shkollave nëntë-vjeçare e të mesme

Shkolla verore.

Programi i kujdesit social

Do të ngrihen 6 qendra të reja sociale me bazë komunitare.

-Përmirësimi dhe zgjerimi i shërbimeve në qendrat ekzistuese.

Bonusi i qirasë për familjet në nevojë.

Programi i integrimit të të pastrehëve, fillon më 2012, funksionimi i banesave sociale.

Lehtësira fiskale për shtresat në nevojë, pensionistët dhe veteranët.

Studim, projektim për ndërtimin e banesave të reja sociale nëpërmjet Partneritetit Publik Privat.

Krahas buxhetit në mbledhjen e djeshme këshilli ka miratuar edhe një sërë vendimesh të tjera, që kanë të bëjnë me miratimin e listave zyrtare të nxënësve e studentëve që plotësojnë kushtet për t’u trajtuar me bursë shtetërore nga ky institucion për vitin shkollor 2011-2012, vendimin për faljen e taksave për të gjitha bizneset e reja që do të hapin vende pune, vendimi për disa ndryshime në vendimin e këshillit bashkiak nr. 3 "Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, e cila përcakton modalitet e reja të dredhjes së detyrimeve për familjarët. Kanë kaluar për miratim edhe vendimet që kanë të bëjnë me disa ndryshime në nivelin e pagave të punonjësve të institucioneve të varësisë, projektvendimi për emërtimin "Ibrahim Rugova" të një prej rrugëve kryesore të qytetit të Tiranës; një ndryshim në vendimin e këshillit bashkiak "Për miratimin e komisionit të strehimit" (i ndryshuar); termat kryesorë të kontratës koncesionare mbi parkimin nëntokësor në sheshin "Italia".

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›