E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca miraton paketën fiskale për faljen e taksave

22/07/2011  Kuvendi zhvilloi dje seancën e fundit plenare. Legjislativi rifillon punimet në shtator

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi dje seancën e fundit të sesionit të katërt, ku ndër të tjera miratoi projektligjet e paketës së re fiskale të propozuar nga qeveria. Me 71 vota pro në mungesë të opozitës, deputetët e mazhorancës miratuan dje paketën fiskale, në të cilën parashikohet heqja e tarifave doganore për konfeksionet, hiqet taksa e makinave të përdorura, taksa vjetore e qarkullimit si dhe taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve. Rëndësia e kësaj pakete fiskale, e veçanërisht e ndryshimeve në ligjin “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore” qëndron në faktin se synohet bërja 0% e tarifës së lëndëve të para të industrisë së konfeksioneve të këpucëve dhe të produkteve të gatshme të veshjeve, bazuar në propozimet dhe shqetësimet e ngritura nga grupet e interesit që operojnë në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve nga përfaqësuesit e sektorit të shitjeve me pakicë të veshjeve të gatshme. Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha nga foltorja e Kuvendit veçoi miratimin në Parlament të ligjit për faljen fiskale, e cila, sipas tij, u dha mundësi mijëra familjeve shqiptare të përfitonin prej saj. Ai tha se vetëm nga falja e detyrimeve në energji elektrike dhe ujësjellës kanë përfituar mbi 260 mijë familje shqiptare. “Me këtë vendim që merrni sot (dje) ju bëni të mundur krijimin e mijëra dhe mijëra vendeve të reja pune nga kjo industri, në të cilën Shqipëria në rrafshin ndërkombëtar po merr një peshë gjithnjë e më të madhe. Por ky vendim është gjithashtu i domosdoshëm, pasi qeveria vendosi dje të rrisë rrogën minimale në 220 dollarë. Rritje kjo e domosdoshme për këta punëtorë, me një punë relativisht të vështirë. Ky është një hap tjetër shumë i rëndësishëm”, - tha Kryeministri Berisha. Ndërsa ministri i Financave Ridvan Bode bëri të ditur se heqja e taksave të makinave të përdorura synon vendosjen e disa politikave aktive për të mbështetur industrinë e fasonëve dhe industrinë që përdorin mazutin dhe solarin si lëndë djegëse. Ai vlerësoi gjithashtu se ndryshimi i taksës së makinës së përdorur bëhet për të vendosur rregullat e një tregu më funksionues.

Seseri thyen bojkotin për të shpëtuar mandatin

Bojkoti i shpallur nga kreu i selisë rozë është thyer nga deputetja socialiste Rudina Seseri, e cila ishte e pranishme në seancën e fundit parlamentare të zhvilluar dje. Me pjesëmarrjen e saj Seseri befasoi të pranishmit në sallë, por arsyeja e vërtetë nuk ka qenë një mosbindje ndaj vijës së partisë, por shpëtimi i mandatit të saj. Deputetja e Durrësit për 6 muaj rresht nuk merrte pjesë në seancat e Kuvendit për shkak të qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara. Ndryshe nga kolegët e saj, të cilët bojkotin e rivendosën pas 8 majit, deputetja Seseri kishte dje afatin e fundit për t’u paraqitur në Kuvend, pasi rrezikonte djegien e mandatit. Sipas Kodit Zgjedhor dhe rregullores së brendshme kuvendore, nëse nuk paraqitej dhe në këtë seancë, asaj i hiqej e drejta e ushtrimit të detyrës si deputete. Pavarësisht se ajo ishte e ulur në fund të sallës, larg objektivit të kamerave, Seseri votoi kundër të gjitha ligjeve të miratuara dje.

Seanca e fundit plenare

Ndryshimet në komisionet parlamentare

Kuvendi miratoi dje edhe disa ndryshime në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit. Kështu, me propozim të grupit parlamentar të Partisë Demokratike deputetët Rajmonda Bulku dhe Ilir Bano u zgjodhën anëtarë të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, deputeti Viktor Gumi sekretar, ndërsa deputetët Fatbardh Kadilli dhe Florion Mima si anëtarë zëvendësues të këtij komisioni. Për sa i përket Komisionit për Integrimin Europian, deputetja Mesila Doda u caktua zëvendëskryetare e këtij komisioni, deputeti Gerti Bogdani sekretar dhe deputeti Viktor Gumi anëtar. Sipas të njëjtit propozim, deputeti Gjokë Uldedaj u caktua anëtar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe deputeti Ismail Hoxha anëtar zëvendësues në këtë komision. Deputeti Luan Skuqi u caktua anëtar zëvendësues në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputeti Ndue Paluca anëtar zëvendësues në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Ndryshime pësoi edhe komisioni hetimor për ngjarjet e 21 janarit, ku deputeti Fatbardh Kadilli u caktua anëtar i këtij komisioni dhe zoti Gent Strazimiri kryetar i tij.

Dekretet

Deputetët e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë miratuan dje edhe dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e deputetit Aldo Bumçi në postin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Deputetët miratuan dhe emërimin e deputetit Eduard Halimi në postin e ministrit të Drejtësisë. Kuvendi miratoi gjithashtu dekretin e shkarkimit nga detyra të deputetit Ferdinand Xhaferri si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Shkarkimi i Xhaferrit erdhi për shkak të angazhimit të tij në garën elektorale të 8 majit për postin e kreut të Bashkisë së Durrësit. Me këto votime u plotësua dhe vakumi dymujor në qeveri, që u krijua pas kadidimit të Xhaferrit përballë Vangjush Dakos dhe Lulzim Bashës, i cili u shpall fitues në garën përballë kreut të PS-së Rama për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›