“Mazhoranca nuk cakton emrat e opozitës, Islami anëtarë i delegacionit deri në përzgjedhjen e emrave të rinj”
Delegacioni shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës, Kuvendi sqaron akuzat e PSNjë ditë përpara mbledhjes së sesionit të dimrit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka ftuar Partinë Socialiste të përcaktojë përfaqësuesit e saj në këtë delegacion, por kjo kërkesë u ironizua. Megjithëse që, përfaqësuesit socialistë të marrin pjesë në asamble, duhet të kryejnë më parë betimin në parlament, kryetarja e Kuvendit, i është drejtuar përfaqësuesve të opozitës që të caktojnë vendet për delegacionin shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Socialistët jo vetëm që nuk caktuan asnjë emër, por dje dolën në deklarata për shtyp, duke akuzuar për grabitje të vendeve të tyre në delegacion. Në këtë drejtim, shumica parlamentare ka hedhur poshtë spekulimet e opozitës se është ajo që po cakton emrat e pakicës në Asamblenë e Këshillit të Europës. Përmes një njoftimi për shtyp nga zyra e shtypit të Kuvendit, sqarohet se pretendimi i PS është i pabazë, pasi emrat e opozitës nuk i cakton mazhoranca. Për sa i takon Kastriot Islamit, Kuvendi sqaron se përfaqësuesi socialist ka qenë anëtar i delegacionit dhe do të mbetet deri në momentin që opozita do të caktojë emrat për këtë delegacion.“Mazhoranca nuk cakton emrat e opozitës në Asamblenë e Këshillit të Europës. Kastriot Islami ka qenë anëtar i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe mbetet deri në momentin që opozita do të caktojë emrat për këtë delegacion. çdo interpretim tjetër është spekulativ dhe abuziv. Kuvendit fton opozitën të përcaktojë emrat e saj për delegacionin e Asamblesë së Këshillit të Europës, Asamblesë së NATO-s, Asamblesë së OSBE-së dhe institucione të tjera”, thuhet në njoftimin për shtyp, të shpërndarë dje nga zyra e Kuvendit.Në këtë sesion të Asamblesë së Këshillit të Evropës, një nga pikat e axhendës është diskutimi dhe më pas votimi i projekt-rezolutës për zgjedhjet në Shqipëri, ku i kërkohet qeverisë ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet dhe në të njëjtën kohë, siç thuhet në draft, i kërkohet opozitës t’i japë fund bojkotit dhe të futet në parlament....