E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca propozoi dje që deri në 1 gusht ALUIZNI të dorëzojë listën e plotë në Qeveri

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Brenda datës 1 gusht, Agjencia e Legalizimeve i kalon listën e parë të ish–pronarëve, Këshillit të Ministrave dhe brenda tre muajsh AKKP duhet të bëjë kompensimin e ish–pronarëve”

Mazhoranca pranon disa nga vërejtjet e Kreut të Shtetit për sa i përket ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Deputetët demokratë paraqitën në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese disa ndryshime thelbësore lidhur me ligjin e legalizimeve duke kërkuar konsensus nga opozita. Për herë të parë parashikohen afate konkrete për kompensimin e ish-pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje, proces që pritet të nisë nga muaji gusht. Në bazë të propozimeve të bëra nga mazhoranca parashikohet saktësisht që deri në 1 gusht Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të ketë dorëzuar në Qeveri listën e ish-pronarëve dhe brenda tre muajsh të bëhet dëmshpërblimi i tyre. Ndërkohë që një tjetër propozim i mazhorancës synon që bashkitë dhe komunat të kenë afat një muaj për të bërë kualifikimet e ndërtimeve pa leje dhe, nëse nuk zbatohet ky afat, kompetencat t i kalojnë ALUIZNI-t. Ky propozim nuk u mirëprit nga deputetët e opozitës, të cilët nuk duan kurrsesi që të preken kompetencat e njësive vendore.
Diskutimet
“Kompetencat duhet t i ketë pushteti vendor, siç i ka pasur, sepse një agjenci qeveritare nuk mund të marrë të gjitha kompetencat dhe ato përgatitore të dokumentacionit dhe ato të ekzekutimit të vendimeve të marra”, - tha kryetari socialist i Komisionit, Ylli Bufi, ndërsa shtoi se në këtë mënyrë ajo do të kthehej në qeveri të legalizimeve, gjë që është antikushtetuese. Por deputeti demokrat Ardian Kollozi, i cili bëri prezantimin e propozimeve të mazhorancës, tha se në ligj ritheksohet e drejta e njësive të qeverisjes vendore për të bërë kualifikimin edhe një herë të ndërtimeve pa leje, por natyrisht që jepet një afat kohor njëmujor që ato ta kryejnë këtë proces. “Moskryerja brenda këtij afati i jep të drejtë angjencisë së legalizimeve të marrë këto kompetenca dhe ta vazhdojë ajo këtë proces”, - tha ai. Ndërkohë, lidhur me ish–pronarët, Kollozi sqaroi se ka një përmirësim të ndjeshëm dhe cilësor. Sipas tij, përfundimisht në ligj përcaktohen afate konkrete të procesit të kompensimit të ish-pronarëve. “Brenda datës 1 gusht, Agjencia e Legalizimeve i kalon listën e parë të ish–pronarëve Këshillit të Ministrave dhe, brenda tre muajsh, AKKP duhet të bëjë kompensimin e ish-pronarëve. Ndërkohë që brenda këtij afati kohor Agjencia e Legalizimeve ka përgatitur të gjithë dokumentacionin që ndërtimet pa leje të pajisen me certifikatë”, - sqaroi ai. Çështja është tepër delikate, në një moment kur flitet për një projekt të Ministrisë së Financave që parashikon kompensimin e ish-pronarëve në toka pyjore, rrokadë që konsiderohet tërësisht e pavend nga shtresa e qytetarëve që kërkojnë medoemos kompensimin e pasurisë së tyre në vlerën e vërtetë financiare ose fizike. Moszgjidhja prej kaq kohësh e çështjes së pronave dhe mungesa e interesit të qeverive ndër vite, për t i dhënë dritën jeshile një prej bazave kryesore të një shteti demokratik, ka penguar Shqipërinë për integrimin në strukturat evropiane. Presidenti i Republikës ktheu për rishqyrtim ligjin e legalizimeve duke kundërshtuar pikërisht ato nene të tij që kanë të bëjnë me kompetencat e njësive vendore si dhe me përcaktimin e afateve për dëmshpërblimin e ish-pronarëve. Një kërkesë e tillë është mbështetur edhe nga republikanët, të cilët kanë këmbëngulur që të jepet një afat për kompensimin e ish-pronarëve dhe për këtë arsye ata votuan kundër projektit të qeverisë. Kuvendi miratoi me vetëm 52 vota ndryshimet në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.
Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›