Mazhoranca rrëzon kandidaturën e Sali Shehut në Komisionin e Ekonomisë
(E PERDITESUAR)- Kandidati i presidentit për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Sali Shehu, ka dalë përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë për të raportuar. Sali Shehu është përballur, ashtu siç pritej, me një mazhorancë agresive, e përgatitur për të votuar kundër emrit të tij. Qëllimi i mazhorancës ka qenë që të tregojë se ai nuk ka përgatitjen e duhur për të drejtuar këtë institucion, pasi ka mbaruar shkollimin për oficer policie dhe ka ndjekur dhe më pas juridikun. Sali Shehu ka thënë se do reformojë institucionin, do e pastrojë atë nga korrupsioni. Gjatë fjalës së tij ai ka ngritur shqetësimin e dublimit të punës së KLSH nga grupet e auditimit që ngre kryeministri Sali Berisha. Pas deklaratave, Shehu u pyet nga deputetët e mazhorancës se si do e pastronte korrupsionin, se si do plotësonte standardet e BE etj. Deputetët e opozitës në komision thanë se mazhoranca nuk është treguar e zellshme për tia bërë këto pyetje kreut aktual, Robert Çeku.
Pas kësaj seance, Komisioni i Ekonomisë përgatit një raport për kandidaturën e tij, e cila i dërgohet Kuvendit për miratim. Ashtu siç ka paralajmëruar edhe kryeministri Sali Berisha, Shehu nuk do marrë votën e mazhorancës. Berisha tha se nuk duhet kontroll policor në KLSH, por kontroll tjetër, duke nënkuptuar këtu formimin e Sali Shehut. Deputetët e PD kanë deklaruar se ai nuk plotëson kriteret profesionale. Ata shtuan se presidenti duhej të ishte konsultuar me Kuvendin përpara se të caktonte Sali Shehun si kandidat. Ata i referohen një vendimi të Kushtetueses, që sipas tyre detyron presidentin të konsultohet për kandidatët e institucioneve kushtetuese. Vetë presidenca thotë se Kushtetuta nuk e detyron presidentin të bëjë një gjë të tillë.
