E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDGSH zgjedh forumet drejtuese

Kukës Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë zhvilloi dje Kuvendin e degës Kukës, në vijim të procesit për zgjedhjet e forumeve drejtuese në të gjitha degët e saj. Punimet e Kuvendit me pjesëmarrjen e mbi 200 aktivisteve, u ndoqën nga afër nga kryetarja e LDGSH-së, deputetja Albana Vokshi; prefekti i Qarkut Kukës, Elez Maci; dhe kryetari i Partisë Demokratike, dega Kukës, Ibsen Elezi. Gjatë fjalës, Vokshi tha se LDGSH po i nënshtrohet një procesi riorganizmi dhe se dita-ditës po shndërrohet në organizatën më të madhe politike në vend. “Përcaktimi i kuotës 30% të përfaqësimit të gruas në listat për kandidate për deputete dhe në listat për këshillat bashkiakë dhe këshillat komunalë, ka rritur rolin e gruas në vendimmarrje”, - tha Vokshi. Në fund të punimeve të Kuvendit u votua për kryetaren e LDG-së dhe Kryesinë e saj. Për postin e kryetares kandiduan dy aktiviste të njohura të Lidhjes Demokratike të Gruas në Kukës, zonjat Teuta Cengu dhe Lebibe Tota. Me shumicë votash, kryetare e LDG-së Kukës u zgjodh Lebibe Tota, e cila mban edhe postin e Sekretares se Përgjithshme të Prefekturës së Qarkut, Kukës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›