Rama: Jam entuziast për Programin politik dhe ndryshimet në Statut
Pavarësisht refuzimit të prerë të mazhorancës për të diskutuar për ligjet me 3/5-at jashtë institucionit të Kuvendit, socialistët nuk rreshtin së shprehuri gatishmërinë e tyre për të biseduar me kundërshtarët politikë për një reformë të thellë për të gjitha çështjet që trajtojnë ata. Duke e vënë theksin tek propozimet e Partisë Socialiste dhe tryeza e drejtësisë e bojkotuar nga mazhoranca, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama duke folur para grupit të tij parlamentar tha se opozita do të vazhdojë të ndjekë atë që e quajti ‘politikë e dorës së shtrirë në emër të integrimit të vendit në Bashkimin Europian’. “Ishte një aktivitet shumë cilësor, gjithëpërfshirës, e kuptimplotë, ku mungesa e palës tjetër mbeti e pajustifikuar. Por edhe më e pajustifikueshme ishte shprehja brutale e deputetëve të Partisë Demokratike që janë në komisionin e Ligjeve, të cilët përmes një deklarate të turpshme, fyese dhe njëkohësisht penguese për procesin politik që duam të ndërtojmë për të mirën e vendit, dhanë dje një mesazh të shëmtuar. Megjithatë, ne do të vazhdojmë politikën e dorës së shtrirë. Do të vazhdojmë të shohim përpara, do të vazhdojmë të jemi zëri dhe forca e së ardhmes, sepse vendit i duhet garancia e së ardhmes dhe statusi i kandidatit është një provë e kësaj garancie, ashtu sikundër shqiptarëve u duhet një ndryshim i ri, rrënjësor, europianizues”, - tha Rama. Gjatë fjalës së tij ai u ndal edhe te një ndër pikat kryesore të propozuara nga Partia Socialiste: ulja e kostos së jetesës së shqiptarëve përmes heqjes së taksës për bukën, qumështin, vezët dhe ilaçet, uljen 6 për qind të taksës për energjinë elektrike, si dhe heqjen e taksës që u merret bujqve dhe fermerëve për inputet bujqësore. “Me këto masa radikale të domosdoshme, ulja e kostos së jetesës së familjeve të zakonshme do të jetë shumë e ndjeshme. Ne do ta bëjmë atë realitet sapo të vijmë në qeveri. Qeveria sot vazhdon ta refuzojë marrjen e këtyre masave, duke folur përçart dhe duke gënjyer gjithë kohën për këto taksa hileqare që ia merr nga xhepi çdo shqiptari që ha bukë, që mbush një gotë qumësht, blen një vezë apo pi një aspirinë”, - tha Rama. Këto masa, sipas liderit të opozitës janë të domosdoshme për t’u ardhur në ndihmë të gjitha atyre familjeve që sot vuajnë çmimet e larta që vijnë si rrjedhojë e asaj që ai e konsideroi ‘politikë e gabuar e qeverisë’. “Këto taksa duhen hequr. Ne do t’i heqim. Do heqim dhe taksën e inputeve të prodhimeve bujqësore që sot u kushtojnë bujqve e fermerëve sa qimet e kokës, dhe nuk do ta prekim TVSH-në e prodhimeve të fushës, siç gënjen Saliu, sepse do t’i mbrojmë dhe stimulojmë këto prodhime duke mbrojtur e stimuluar fshatin shqiptar që sot është në mëshirë të fatit”, - u shpreh Rama. Kreu i Partisë Socialiste është ndalur edhe te rëndësia që ka në këtë drejtim, por në veçanti për jetën politike të PS-së, miratimi në Kongresin e 5 nëntorit i ndryshimeve në statut dhe programi politik i PS-së. “Bazuar në të dyja produktet që tanimë janë gati, jam shumë entuziast. Kemi në dorë dy instrumente që na duhen për të shkuar të sigurt drejt fitores së zgjedhjeve dhe për të bërë me fitoren ndryshimin që i kemi borxh Shqipërisë. Do t’u japim shqiptarëve një program bazë, plot vizion, ide, alternativa konkrete, të cilin do ta shtjellojmë bashkë me ta në çdo qytet e në çdo fshat, derisa ta përsosim në çdo detaj për të mirëqeverisur Shqipërinë, duke dalë nga kriza dhe duke u ndarë më në fund nga politika e vjetër e së shkuarës. Nga ana tjetër do t’u japim socialistëve dhe progresistëve përmes risive organizative një mundësi të re për ta energjizuar, hapur, forcuar Partinë Socialiste, si një parti të çdo shqiptari që dëshiron të bëhet pjesë e ndryshimit të domosdoshëm”, - tha Rama.