E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pretenca për Gërdecin: Burgim të përjetshëm për Delijorgjin, Pinarin e Minxollin, 8 vjet për Luan Hoxhën

Share

Prokuroria ka kërkuar sot dënimin me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit kryesorë për shpërthimin e ndodhur në Gërdec, që u mori jetën 26 personave.

Pas disa shtyrjeve me radhë, prokuroria ka mundur më në fund që të lexojë konkluzionet e hetimeve, duke kërkuar kështu burgim të përjetshëm për Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin dhe Dritan Minxollin. Këta të fundit akuzohen për vrasje.

Prokuroria ka kërkuar gjithashtu edhe dënimin e ish-kreut të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, me 8 vjet burg. Të njëjtin dënim ka kërkuar prokuroria edhe për ish-gjeneralin Shpëtim Spahiu.

8 vjet burg është kërkuar edhe për  Shkëlzen Madanin e Dashnor Çaushin, 7 vjet burg për Ardian Mullain, 6 vjet burg për Zija Bajën dhe 4 vjet burg për Agim Lalën.

Gjithashtu prokurorët kanë kërkuar nga 4 vjet burg për Ilmi Laçajn dhe Ilir Babameton, 4 vjet e 6 muaj burg për Armand Tartarin dhe 3 vjet burg për Ndue Markun.

Tashmë pritet që të dëgjohen konkluzionet e mbrojtjes dhe më pas të jepet vendimi nga ana e gjykatës, duke i dhënë fund kështu një prej proceseve gjyqësore më të gjatë, që është zvarritur qëllimisht nga ana e avokatëve.

E ndërsa prokuroria ka dhënë konkluzionet përfundimtare të hetimeve, dy prej personave kryesorë për krijimin e Gërdecit, Fatmir Mediu dhe Shkëlzen Berisha, kanë dalë të palagur nga kjo histori.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›