E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wolfarth: Partitë të gjejnë konsensus për ligjet në Kuvend

TIRANË Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, zhvilloi dje një vizitë në vendgrumbullimin e mbeturinave në komunën Bushat, ku deklaroi se partitë politike duhet të bashkohen dhe të vihen në lëvizje për zhvillimin dhe integrimin e vendit. I pyetur në lidhje me situatën politike në vend, Wollfarth u shpreh se duhet dialog mes partive politike dhe se ky proces duhet të realizohet në Kuvend. "Të gjitha diskutimet kryesore duhet të bëhen në Parlament, disa nga ligjet kërkojnë shumicën e cilësuar prej 3/5-at e votave dhe për këtë duhet pjesëmarrja e opozitës dhe mënyra më e mirë është bashkimi në Parlament. Palët duhet të lëvizin drejt dialogut dhe integrimit, partitë politike duhet të dalin nga transhetë e tyre dhe të vihen në lëvizje të bëjnë diçka për zhvillimin dhe integrimin në BE", - tha Wolfarth. I pyetur mbi kthimin e ligjit për mbetjet, në Kuvend, nga presidenti Topi, ambasadori i OSBE-së u përgjigj: "Ky është një proces demokratik dhe këto hapa janë pjesë e këtij procesi. Dhe kjo është një mundësi për të rishqyrtuar gjërat në mënyrë që të përmirësohen edhe më tej", - tha Wolfarth.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›