E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, PS i dorëzon PD-së projekt-vendimin për reformën

TIRANË Ekspertët e Partisë Socialiste për reformën zgjedhore kanë hedhur hapin e parë konkret duke iu dorëzuar ekspertëve të PD-së një projekt-vendim, ku përcaktohen tri çështje kryesore; përcaktimi i detyrës së komisionit parlamentar, përbërja dhe kohëzgjatja e saj. Në këtë projekt-vendim, ekspertët e PS-së saktësojnë se detyra e komisionit do të përqendrohet në 52 rekomandimet që OSBE/ODIHR parashtroi në raportin përfundimtar për zgjedhjet e 8 majit. Për pasojë, socialistët kanë lënë qartazi të kuptohet se nuk do të kërkojnë ndryshim të sistemit zgjedhor apo pajisjen me një aparaturë të veçantë për kartat e identitetit sa kohë që këto dy kërkesa nuk janë të përfshira në rekomandimet e fundit të vëzhguesve. Deri këtu duket se gjërat po shkojnë mirë mes ekspertëve të dy partive kryesore në vend. Ajo që në fakt hap debat dhe që është theksuar edhe në projekt-vendimin e socialistëve është koha se kur PS-ja duhet t’i drejtohet Komisionit të Venecias për çështje, për të cilat PD-ja nuk bie dakord. Pra nuk është përcaktuar ende se kur socialistët mund t’i drejtohen Venecias, përpara apo gjatë punës së komisionit parlamentar. Demokratët pretendojnë përpara fillimit të punës, pasi rregullat, sipas tyre, nuk mund të ndryshojnë gjatë diskutimit. Ndërsa PS-ja kërkon që t’i drejtohet rast pas rasti përmes komisionit parlamentar, pasi vetëm kjo e fundit në bazë të ligjit mund t’i drejtohet Venecias. Vetë PS-ja si forcë politike nuk ka tagrin ligjor për t’iu drejtuar Venecias.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›