E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antropo-anatomia e LIRISë!

Historikisht, në rrugëtim drejt lirisë si një antropologji që kërkonte ndërtimin e shtetit kombëtar. Prej 20 vjetësh në provën e të qenit të papenguar për ta ndërtuar lirinë. Ky do të ishte formulimi ekzistencial mes antropologjisë sonë dhe lirisë. Mungesa e gjatë antropo-institucionale dhe deformimi, ku ndërtimi i një shteti dhe shoqërie me kahje nga demokracia perëndimore qëndronte përball një antropologjie analfabete, të lejojnë të kuptosh si meritën e atyre që e sendërtuan këtë orientim pas 1912-ës, ashtu edhe për të vlerësuar pengesat reale në ndërtimin e njeriut mik me lirinë, duke e zotëruar atë si edukatë, si mënyrë të sjelluri, si kulturë, si bashkëjetesë, si aftësi për të shprehur aspiratat dhe karizmën demokratike! Periudha komuniste nuk e shtroi dhe nuk e lejoi antropo-individin të njihte lirinë! Shtetet totalitare dhe regjimet që ato krijojnë i godasin të tri liritë themelore: lirinë e jetës, lirinë e pronës, lirinë e shprehjes! Ky lloj deformimi e denatyroi njeriun e komunizmit dhe e la të kuptohej se ai nuk posedonte dinjitetin që vjen nga iniciativa ekonomike dhe liria për të shprehur aftësitë e ndryshimit! Varësia ekonomike nga shteti i kishte ngrirë të gjitha energjitë për të shpërfaqur aftësitë krijuese si njeri i lirë. Siç vë në dukje Henry Kissinger, mungesa e pronës private bën që individi të mos kujdeset për zhvillimin ekonomik! Krijimi, bazuar edhe në mjete represive, ligjore dhe morale i “njeriut të dogmatizuar”, që pasi humbi pronën, pasi iu ndalua të mendonte dhe të shprehej në mënyrë të lirë sipas arsyetimit personal, si dhe pasi u izolua në një ngrehinë parciale lokale, për të mos lëvizur i lirë, pasi u klasifikua dhe u rreshtua në klasa që hyrjet dhe daljet i kishin të klasifikuara ideologjikisht dhe politikisht, njeriu në atë sistem-regjim nuk mbeti pa provuar edhe ndarjen me besimin fetar në saje të një deformimi të thellë përmes krijimit me forcë të një antropologjie kolektive ateiste. I vetmi mjet shpëtimi ku “kandili i lirisë u ushqye” ishte dixhitaliteti njerëzor në formën e kriptokulturës dhe kriptoreligjionit! Hapësirat e brendshme të shpirtit nuk u dorëzuan. Ato e mbajtën dinjitetin vleror të humanizmit dhe lirisë. Antropologjisë sonë asokohe i erdhi në ndihmë një ritual historik, që në shekuj e kishte ndihmuar për të mbijetuar, “konvertimi”. Kjo lloj mënyre e të sjellurit fal anëve pozitive si ruajtja, mosasgjësimi dhe mbajtja e identitetit, sjell deri në ditët tona edhe një profil antropologjik të deformuar dhe jo homogjen. “Të gjitha këto mungesa epokale kanë lënë gjurmë, ndaj edhe sot e gjithë ditën ato përcaktojnë konstitucionin shpirtëror, filozofinë e jetës dhe mekanizmat veprues të individit shqiptar. Tiparet e tij të qëndrueshme historike janë: Lufta për mbijetesë, ruajtja tradicionale e autenticitetit, pranimi me skepticizëm i formave të reja ekzistenciale, oportuniteti i konvertimit, nënshtrimi ndaj kultit të autoritarizmit dhe së fundi, simbiozimi i jetës natyrore me atë të disiplinuar, gjithnjë në favor të antirregullit dhe antishtrëngimit ligjor”. Ndryshimet demokratike pas viteve ‘90-të edhe pse janë përpjekur të standardizojnë legjislacionin dhe strukturat shtetërore si një uniformitet që thirret rëndom “integrimi europian i vendit”, fal kësaj peshe të rëndë historike tek antropo-individi, nuk kanë mundur që në saje të “galvanizimit antropo-institucional”, ta sillnin kuptimin mbi demokracinë dhe lirinë, si filozofi qytetare të jetës. Në 8 dhjetorin e vitit 2009, në një konferencë shtypi, një nga personazhet më prezente në këto dy dekada, deklaroi në kujtim të 8 dhjetorit 1990, se asokohe “portat u hapën, por ne rrugën nuk e dinim”! Brenda këtij përkufizimi sintetik i gjen të gjitha argumentet dhe alibitë, keqkuptimet dhe mungesën e aftësisë për të ndërtuar një rrugëtim ndryshe, pa të gjitha këto pasoja negative që përpiqemi t’i korrigjojmë sot, të cilat, në të shumtën e rasteve nuk janë rrjedhoja logjike të ndryshimit të sistemit, por se shpërfaqen si “keqkuptime të thella” me demokracinë dhe LIRINë! Madje, liria që solli shoqëria e hapur lejoi pa pengesa për çdo antropo-individ turravrapin në “lugina dhe humbëtira” të shoqërive dhe sistemeve parakomuniste. Ndaj tek këto dy dhjetëvjeçarë më shumë gjen nacionalizëm që i ka kaluar koha, populizëm pa vlerë, makiavelizëm të shpëlarë (këtë e ngatërrojnë me pragmatizmin duke treguar se filozofikisht nuk e njohin as njërën dhe as tjetrën), por gjen gjithë po aq edhe folklorizëm e rapsodizëm si dhe modernizëm provincial, që më shumë të kujton mburrjet princërore në kufijtë e bujtinës së izoluar. Mungon mendimi demokratik funksional. Ka paqartësi në kuptimin mbi lirinë. Nuk funksionon pluraliteti dialogues. Nuk ushqehet kultura e zhvillimit përmes emancipimit dhe autoritetit të shoqërisë civile. Demokracia tek ne në shumë aspekte, ende të kujton “autokratët populistë”. Nëse zbresim virtualisht me një “sondë historike” në kohën e revolucioneve borgjeze, do duhet të shpotisim shpejt e shpejt, se në Angli mbreti shkoi në sëpatë sepse mblidhte taksime të paligjshme. Ndërsa Gjermania, me gjithë zhvillimin shtetëror dhe social, po pengohej në rrugën e demokracisë sepse ende biznesi vijonte të kërkonte favore nga shteti, burokracia shtetërore e mbyti mirëfunksionimin, ndërsa nepotizmi në dhënien e titujve risillte jehonat e sistemit feudal. Por edhe “kampioni historik i modelit francez”, shpreh se sa e vështirë ka qenë që demokracia të takohej në një unitet funksional me lirinë. “Francës, me traditën e saj të shtetit të fortë dhe të një shoqërie civile të dobët, gjithashtu iu desh të përshkonte një rrugë të gjatë e plot kthesa për të mbërritur tek demokracia liberale. Forcat shoqërore që përshpejtuan këtë proces në Mbretërinë e Bashkuar, ishin të dobëta në Francë, e cila kishte një aristokraci të ndërvarur dhe një klasë tregtarësh….Cambridge Economic History of Europe liston tiparet dalluese të qeverisë përfaqësuese të borgjezisë: sundimi i ligjit, barazia përpara ligjit, prona private, tregu i lirë, liritë civile, etj - dhe më tej shton se të gjitha këto mungonin në Francën e pararevolucionit”.(Fareed Zakaria “E ardhmja e LIRISë”, botimi shqip faqe 61).
Ja përse një antropologji si jona me revolucion borgjez të munguar, me shoqëri borgjeze në disa breza të patakuar dhe të pajetuar, nuk është e aftë dhe nuk e ka ende fatin për të krijuar kulturën e LIRISë, si kushtin primordial të një “demokracie funksionale”. Akoma për mentalitetin tonë antropologjik (mendësia e njeriut të zakonshëm), demokracia është dhuratë e shtetit. Le të sjellim në vëmendje slogane si,” ujin ua sollëm, rrugën ua asfaltuam...kjo është demokracia”! Ose, “sa të na votoni ne, do ju rriten rrogat dhe pensionet”! Këtyre miklimeve politiko-propagandistike iu përgjigjen si “dialog i fatit” thirrjet e njerëzve në nevojë si, “shteti të vërë dorë që të na ndihmojë”! Keqkuptimet me lirinë dhe keqinterpretimet me demokracinë nuk kanë lejuar tash e 20 vite që, së paku të krijohet tek të gjithë aktorët politikë një vlerësim serioz, shkencor, koherent dhe ligjor për liberaldemokracinë! Madje edhe si term dëgjohet rrallë, për të mos thënë hiç fare! Tek të dy krahët kryesorë politikë tek ne, sikur janë në pushtet edhe kur janë në opozitë, ka më shumë revolucionarizëm se sa liberalizëm. Kuptimi dhe kujdesi për lirinë është i vakët! Ato kanë mbetur pengje të një “demokracie totalitare”(j akobinizmi, shembulli i parë i demokracisë jo liberale) se sa bartës të liberaldemokracisë. Kjo situatë prapambetjeje ka rrënjë historike, por edhe shkaqe të afërta gjithë po aq. Në vendet ish-komuniste si Poloni, çekosllovaki, Hungari, qysh në vitet ‘80-të takojmë me rol të ndjeshëm emancipues, “kishën dhe sindikatat në Poloni, grupet e shoqërisë civile në çekosllovaki, një elitë reformiste në Hungari dhe një klasë të mesme të vogël në të tria vendet”. Në ato vende kanë ndryshuar elitat politike drejtuese 3-4 herë, duke sjellë në skenën politike drejtues të rinj (jo në kuptimin e moshës), ndërsa tek ne ende drejtojnë partitizmin dhe politikat zyrtare, kontrollojnë sistemin e drejtësisë dhe të tjerë pushtete, në shumë raste (njolla është e gjerë) po ata njerëz që kanë qenë në poste në shoqërinë e djeshme komuniste. Më keq akoma, sjellja e shumë individëve dhe masës njerëzore në tërësi ndaj shtetit apo institucioneve, është minimizuar në sjelljen ndaj drejtuesve sipas hierarkisë dhe prijësve. Mentalitet i principatës është gjallëruar sepse sjell leverdishmëri edhe kur hapur duket si një mënyrë sjelljeje që krijon neveri. Të habit fakti që edhe “luftëtarë të mendimit të lirë”, sa po iu afrohet posti në majat e principatës, e qepin gojën, heshtin ose lypin strehë tek eufemizmi!
Ata cedojnë në shpinë të lirisë dhe në mbështetje të princit! Hipokrizia ndaj pushtetit dhe princit dhe Liria nuk mund të bashkëjetojnë! Kështu ndihmohet një udhëheqësi që i ka kaluar koha.
Në politikën zyrtare gjejmë ende “liderët politikë dhe ushtarakë, të cilët shpesh janë mbetjet e rendit të vjetër autoritar, duhet të mbështesin një çështje kombëtare për të pasur mbështetjen e masës. Rezultati është gjithnjë një retorikë dhe politikë agresive…,paqja demokratike është reale, por duket se ka fare pak të bëjë me demokracinë”. (Fareed Zakaria “E ardhmja e Lirisë, faqe 117). Realiteti ynë antropologjik shpërfaq përball lirisë një tërësi keqkuptimesh, sepse, antikomunizmi në tranzicionin shqiptar u identifikua me demokracinë, anarkia u njësua me lirinë, antirregulli u pa si e drejta për ndryshim, populizmi si institucioni suprem vendimmarrës. Antropologjia shqiptare u soll shumë ashpër me lirinë. Nuk është krijuar ende mentaliteti që e sheh lirinë si ‘shtëpinë tonë të përbashkët’, me rregulla ligjore dhe autoritet institucional. Nuk kuptohet se shoqëria e hapur nuk është shoqëria e shqyer për të braktisur në masë atdheun, por është shoqëria e hapur për ndryshim, duke e vlerësuar këtë proces si vet-ndryshim, si investim vlerash të reja, si ngritje të një institucionalizmi të ri ekonomik, social, politik, religjioz, kulturor dhe edukativ. Krahët politik pretendojnë se përfaqësojnë popullin, dhe me pushtet të pakufizuar kanë mënjanuar mekanizma të tjerë progresivë që duhet të kontrollojnë shoqërinë duke ushqyer në të humanizmin, demokracinë dhe oponencën civile. Gjen në mekanizmat zyrtare edhe uzurpim horizontal të pushteteve dhe uzurpim vertikal. Nuk mbahet në vëmendje se edhe demokracia si pushtet kur përqendrohet dhe kontrollohet në pak duar, e minon lirinë, sepse e mbyt atë dalëngadalë! “Prirja e një qeverie demokratike për të besuar se ajo ka një sovranitet absolut (pra pushtet) mund të rezultojë në një centralizim të autoritetit, shpeshherë përmes mjetesh kushtetuese dhe me pasoja të zymta. Ajo çka përftohet ndryshon pak nga diktatura, ndonëse do të ketë më shumë legjitimitet”.(Fareed Zakaria, libri cituar faqe 100-101).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›