Mazhorancë e fortë për buxhetin e investimeve të mëdha

Parlamenti i ka dhënë mbrëmë mbështetjen projekt-buxhetit të 2009-s, buxhetit më të madh në historinë e vendit, duke konfirmuar njëkohësisht edhe mbështetjen e fortë që gëzon kabineti “Berisha”, edhe pas përpjekjeve të verës për krijimin e iluzionit që politika e djathtë nuk kishte koherencën e duhur brenda koalicionit
Me 77 vota pro, 45 kundër dhe 1 abstenim, është miratuar dje në parim, gjatë punimeve të seancës plenare, buxheti i vitit 2009. Gjatë seancës, deputetët e opozitës kanë vijuar kontestimet lidhur me zërat e buxhetit, dhe e kanë cilësuar atë një buxhet elektoral, ndërkohë që deputetët e mazhorancës janë shprehur se ky është buxheti më i madh i ardhur ndonjëherë për shqiptarët. Ky votim duhet të bëhej që gjatë seancës së javës së kaluar, por në seancës e së enjtes u zhvilluan rreth 12 orë debat mes mazhorancës dhe opozitës. Ndërkohë, votimi nen për nen do të bëhet seancën e së enjtes. Buxheti i vitit 2009 bën të mundur që qeveria qendrore t’u akordojë qeverive vendore rreth 37 përqind më shumë financime. Qeveria ka përcaktuar për vitin 2009, buxhetin më të madh, për arsimin e lartë prej 100 milion dollarë. Buxheti i shtetit është buxheti i dytë i çdo qytetari dhe prej tij përfitojnë direkt 800 mijë familje shqiptare. Me këtë buxhet, pensionisti i fshatit që ka marrë 34 mijë lekë pension, do të marrë 72 mijë lekë, pensionisti i qytetit të cilit do t’i kalojë në një mesatare prej 130 dollarë, infermierja që merrte 150 mijë lekë, nuk do të marrë më pak se 310 mijë lekë, pra ka një mbi dyfishim të rrogës, mjeku që merrte 190 mijë deri në 200 mijë lekë, nuk do të marrë më pak se 420 mijë lekë, mësuesi që merrte 220 mijë lekë, do të marrë së paku 440 mijë lekë. Buxheti i 2009-s është edhe buxheti i infrastrukturës evropiane të Shqipërisë. Megjithë kontestimet e bëra nga deputetët e opozitës, buxheti ka marrë shumicën e votave gjatë seancës së djeshme plenare. Në dy seanca radhazi, deputetët kanë debatuar lidhur me investimet dhe shpenzimet publike të planifikuara për vitin e ardhshëm. LSI e ka quajtur këtë projekt-buxhet, si elektoral, të hartuar me qëllim fitimin e zgjedhjeve. Ndërkohë deputetët e PS-së kanë kontestuar fjalën e Berishës, të mbajtur gjatë seancës së kaluar parlamentare, ku Berisha është shprehur se rrogat e Shqiptarëve janë të krahasueshme dhe ndoshta më të mëdha se të vendeve ballkanike. Deputeti demokrat, Pal Dajçi, referuar projektbuxhetit, tha se është më i madhi që i ofrohet vendit ndonjëherë. “Me këtë projektbuxhet unë si deputet përmbush mandatin tim ne rritjen e pagave dhe i them elektoratit, se deri në maj të 2009-ës kontrata jonë do të përmbushet dhe qeveria do të përmbushë premtimet”, përfundoi Dajçi.
...