E Enjte, 5 Nëntor 2026

Mazi: Vendet anëtare të BE dakord me kuadrin negociues për Shqipërinë, procesi i anëtarësimit do të jetë i vështirë!

Kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi ka shprehur pakënaqësinë për proceset integruese të rajonit të Ballkanit gjatë vitit të kaluar, por tha se të 27 vendet janë dakord me kuadrin negociues për Shqipërinë

Deklaratat e tij zoti Mazi i bëri gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, ku foli edhe për përgatitjen mbi zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE. “Viti që lamë pas nuk ka qenë mjaft i mirë dhe duhet të jemi fare të çiltër në këtë Këshill” tha zoti kryenegociatori shqiptar, ndërsa paralajmëroi se procesi gjatë negociatave të anëtarësimit do të jetë i vështirë.

Mazi kujtoi se “Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk iu hapën negociatat, për mes Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Kosovës nuk iu liberalizuan vizat. Mali i Zi kaloi në një krizë qeveritare serioze deri sa ditët e fundit ra edhe qeveria. Bosnja është në një konflikt politik më i madhi që nga marrëveshja e Dejtonit. Ndërsa Serbia përfitoi hapjen e klasterit të katërt, pasi bëri disa reforma të vogla Kushtetuese, mbi të cilat ekspertët mendojnë se do të ngelen më shumë në letër se sa do të bëhen realitet”, tha zoti Mazi.

Ai tha se sa i përket kuadrit negociues për Shqipërinë, “sot pritet miratimi i kuadrit negociues të BE-së për Shqipërinë”. “Unë kam pasur komunikime të ngushta me një numër prej ambasadorëve të vendeve të Unionit në Bruksel, gjatë gjithë procesit të përpunimit të këtij kuadri. Njoftoj Këshillin se të 27 vendet janë dakord me kuadrin negociues për Shqipërinë. Është mbyllur diskutimi i saj. Ka mbetur miratimi formal“ këmbënguli Kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi.

Sepse po të miratohet formalisht, çka disa vende të Unionit nuk e këshillojnë, nuk mundet më Unioni, Këshilli, të mos miratojë datën e Konferencës së Parë. Pra janë të dyja të lidhura. Por për ne është mbyllur. Të gjithë janë dakord. Ne e kemi përgatitur kuadrin tonë negociues për Konferencën e Parë ndërqeveritare. Ky dokument ka kaluar përmes konsultimesh të gjata, midis grupit tim, midis MEPJ, dhe grupit negociator në tërësi. Ky dokument është pothuajse gati”.

Zef Mazi theksoi se, “situata aktuale sot nuk është shumë premtuese, pavarësisht shenjave për një ecuri të shpejtë. Ndërkohë që kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut flet për një mbyllje të negociatave dypalëshe me Bullgarinë për 4-5 muaj, Presidenti i Bullgarisë thotë nuk është çështje muajsh, por çështje e bërjes të punëve siç duhet realisht”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›