E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazzarrit nuk i pëlqeu Napoli

Nga Express më 19 shtator 2011 në ora 20:45

Skuadra e tij mposhti kampionin aktual të Italisë, Milanin, me rezultat 3-1 të dielën, por trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, nuk është ndarë i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij.

Pavarësisht fitores mbresëlënëse të siguruar falë het-trikut të sulmuesit uruguaian Edinson Cavani, Mazzarri ishte larg nga të qenit i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në San Paolo. Ai beson se ekipi ishte nervoz dhe tregoi respekt të tepërt për Milanin.

“Të jem i sinqertë, nuk më pëlqeu paraqitja jonë kundër Milanit. Starti ishte dëshpërues dhe nuk guxojmë më të hyjmë në fushë me atë qëndrim”, tha Mazarri në konferencë për shtyp pas ndeshjes.

“Kemi qenë nervozë në fazën fillestare dhe duhet të përmirësohemi në atë aspekt. Duhet të ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj ekipeve të ashtuquajtura të mëdha. Ne u kushtojmë shumë respekt. Qartë, duhet të llogarisim se u takuam me njërin prej ekipeve më të mira në qarkullim, por është dashur të shkaktojmë më tepër probleme me qëndrimin e duhur. Ne duhet të shfaqim paraqitje shumë më të mira se kjo”, theksoi ai.

Napoli qëndron në krye të renditjes në Serie A me gjashtë pikë nga dy ndeshje, aq sa kanë edhe Juventus, Udinese dhe Cagliari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›