I akuzuari rrëfen "trafikun" e drogës drejt Italisë

Flamur Xeka, i arrestuar në portin e Durrësit iu ka treguar hetuesve se malli do shitej 2 mijë euro kg, e ai do merrte 300 euro për çdo kile
TIRANË- Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet, iu deshën 40 ditë kohë për të zbardhur trafikun e hashashit nga Mamurrasi drejt Italisë, me ndihmën e makinave të emigrantëve shqiptarë me banim në shtetin fqinjë.
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtarë të organit të akuzës, të cilët sqaruan se me arrestimin e shtetasve Ernest Alia dhe Flamur Xeka, prokuroria ka zbardhur mënyrë e trafikut të hashashit nga Mamurrasi në Itali.
Sipas prokurorisë, shtetasi Flamur Xeka, i arrestuar në portin e Durrësit mbrëmjen e 22 janarit 2010 pasi brenda makinës së tij u gjetën dhe sekuestruan 14 kg hashash, ka pranuar të "rrëfejë" për pronarin e kësaj sasi droge.
"Menjëherë pas arrestimit të shtetasit Flamur Xeka, ky i fundit ka pranuar se ishte thjesht një "korrier" që kishte marrë 4200 euro nga pronari i mallit Ernest Alia për transportimin e 14 kg hashash nga Mamurrasi në drejtim të Italisë.
Me marrjen e këtij informacioni, me urdhër të policisë, është arrestuar Alia ku dhe i është nënshtruar kontrollit të banesës. Nga kontrolli i banesës janë gjetur dhe sekuestruar edhe 10 kg të tjera hashash të paketuara dhe gati për nisje si dhe dy armë të modeleve 54 dhe 56, 1065 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy presa për presim të lëndës narkotike, si dhe 7000 lekë të reja"-thuhet nga burimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Mësohet se dosja po hetohet nga prokurori Ardian Nezha dhe pak ditë më parë i ka komunikuar akuzat zyrtare dy të arrestuarve Xeka dhe Alia, atë të "trafikut të lëndëve narkotike" në bashkëpunim. Sipas hetimeve, mësohet se në Itali një kg hashash do të shitej me 2000 mijë euro kg, për të cilat do të kujdesej "korrieri" Xeka.
Arrestimi i tyre u krye mbrëmjen e 22 janarit 2010, pasi në makinën e tip "Fiat" me targa italiane "BG820XV" të drejtuar nga emigranti 27 -vjeçar Xeka janë gjetur të fshehura në vende të ndryshme të makinës 14 kg hashash të paketuar dhe mbështjella me ngjitës.