Berisha te ministrat e brendshëm, me shifrat e 2008

Kreu i qeverisë gjatë konferencës së djeshme të ministrave të Ballkanit Perëndimor, përsëriti shifrat e dy viteve më parë
Në takim diskutohet siguria e kufijve të rajonit, ndërsa marrin pjesë ministri i Brendshëm i Kosovës dhe ai i Serbisë
TIRANË- Kryeministri Berisha e cilësoi çështjen e sigurisë së kufijve, midis vendeve të rajonit si një çështje madhore dhe të rëndësishme për qytetarët e këtyre vendeve, gjatë fjalës përshëndetëse të tij, të ministrave të Ballkanit Perëndimor. Gjatë fjalës së mbajtur në fillim të Konferencës, Berisha iu kthye edhe rezultateve dhe prioriteteve të qeverisë së tij, duke prezantuar shifra për luftën kundër krimit të organizuar.
Por ai përsëriti shifra që kanë më tepër se dy vite që artikulohen në fjalimet e tij, në lidhje me goditjen e bandave kriminale dhe me personat e vënë përpara ligjit nga agjencitë ligjzbatuese.
"Forcat e rendit dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, në një hark kohor prej 18 muajsh çmontuan njëra pas tjetrës, mbi 206 grupe dhe organizata kriminale, ndaluan, identifikuan, arrestuan, vendosën para ligjit rreth një mijë anëtarë dhe drejtues të këtyre organizatave.
Lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar funksionoi dhe në bindjen time më të thellë, zero toleranca është shtylla kryesore, mbi të cilën duhet bazuar lufta kundër krimit të organizuar"- u shpreh dje shefi i qeverisë shqiptare.
Një shifër të tillë, kreu i ekzekutivit e ka shprehur në 11 takime të tjera të mëparshme, duke nisur që nga viti 2008, në një prej takimeve të tij në Delvinë më 4 maj, gjatë turit të tij të takimeve "Shqipëria në NATO".
Fjalimet i përkasin datave nga fillimi i majit të 2008, deri me 21 qershor të 2008, gjatë një takimi në Korçë, po gjatë turit "Shqipëria në NATO". Ndërkaq, tre rastet e tjera i përkasin, vitit të kaluar, një herë në vitin në mars dhe dy herë në dhjetor. Ndërkohë që në fjalimin e djeshëm, Berisha e përmendi këtë shifër të goditjes së grupeve kriminale si të realizuar nga forcat e ligjit gjatë 18 muajve të fundit.
Për kryeministrin Berisha, Shqipëria ka treguesit e kriminalitetit më të ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian dhe sipas tij ka një rënie dramatike, drejt zeros të trafikut të lëndëve narkotike dhe trafiqeve të tjera kriminale drejt brigjeve të Italisë. Në fjalën e tij Berisha përmendi edhe moratoriumin e skafeve.
"Parlamenti miratoi para tre vitesh dhe rivotoi përsëri para dy muajsh moratoriumin për ndalimin në ujërat e Shqipërisë të të gjitha skafeve, anijeve të shpejta të vogla , të cilat nuk ishin gjë tjetër veçse industri e mafies, me të cilat mafia mbillte trafiqe por edhe vdekje të qytetarëve të pafajshëm në ngushticën e Otrantos.
Që nga moratoriumi i parë, që u rivendos përsëri dhe do të rivendoset për sa kohë qytetarët shqiptarë të votojnë, nuk kemi regjistruar asnjë viktimë në ujërat e Adriatikut"- u shpreh kreu i ekzekutivit shqiptar.
Berisha duke u ndalur tek sigurimi i kufirit përmendi edhe kontrollin dixhital të tyre,ku në të gjitha pikat e kalimit kufitar është instaluar dhe funksionon sistemi TIMS. Konferenca e Shtatë e Ministrave të Brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor me temë "Mbi sigurinë e kufijve" organizohet nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë në bashkëpunim me DCAF (Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura).
Në konferencën që do t'i zhvillojë punimet në datat 4-6 mars, marrin pjesë ministrat e Brendshëm të vendeve të rajonit si të Serbisë, Malit të Zi, Kosovës, Kroacisë, Maqedonisë dhe Sllovenisë dhe përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ambasadori spanjoll Bashkëpunimi midis vendeve të jetë më i sigurtë
Në konferencën e ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor mori pjesë dhe ambasadori Spanjoll në Shqipëri, Manuel Montobio, i cili e ka konsideruar të rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor mbajtjen e kësaj konference, ku si temë qëndroje e saj është bashkëpunimi i këtyre vendeve për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e paligjshëm midis këtyre shteteve.
Sipas ambasadorit Spanjoll, vendi i të cilit mban dhe kryesimin e radhës të Presidencës së Bashkimit Europia, bashkëpunimi mes vendeve të rajonit duhet të jetë më i sigurtë. Montobio u shpreh se Bashkimi Evropian do të mbështesë të gjitha iniciativat për integrim të këtyre vendeve.
"Sot përballemi me planin e veprimit evropian, atë të doganave dhe të instrumenteve të tjera dhe çështjet rajonale janë kyçe për BE-në, në përpjekje për të minimizuar krimin e organizuar.
Evropa është shumë e ndërgjegjshme, për hapat që duhet të marrë për Ballkanin Perëndimor, si liberalizimin e vizave dhe futjen në zonën Shengen."- u shpreh Montobio në fjalën përshëndetëse që mbajti në konferencën rajonale për sigurinë kufijve.
Montobio tha se, rajoni ka bërë përpjeke të dukshme për të minimizuar krimin e organizuar dhe për këtë BE-ja është e vetëdijshme prandaj edhe dyert e saj do të jenë të hapura për këto shtete.
***********************
Përfaqësues i KE
Patrullime të përbashkëta kundër krimit në Rajon
Ndërsa përfaqësuesit i Komisionit Evropian në Konferencën e sigurisë së kufijve, Aneil Sing u shpreh se është e nevojshme për lëvizjen e lirë në zonën "Shengen" edhe përdorimi i sistemeve elektronike ku përmbahen të gjitha të dhënat e shtetasve. Sing sugjeroi që midis vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet që të krijohen grupe të veçanta, të cilat mund të kryejnë patrullime të përbashkëta.
Madje duhet që të kenë edhe bashkëpunime në hetimet që kryhen për çështje të caktuara në kufi. "Në disa raste është e nevojshme që të kryhet edhe demarkacioni i kufijve, pasi është e nevojshme një bashkëpunim midis shteteve kufitare për të arritur rezultatet të dëshirueshme në ruajtjen e kufirit. Komisioni i KE do të vazhdojë që t'ju ketë në monitorim.
Ai duhet të japë këshillat dhe gjithashtu do të vazhdojë që t'ju ndihmojë, që në këtë mënyrë nga të gjithë të ketë rezultate të larta"- mbylli fjalën e tij në konferencë përfaqësuesi i Komisionit Evropian në Konferencën rajonale për sigurinë kufitare.