Nën hetim kongresi i zëvendësministrit Gurakuqi

TIRANË - Kongresi i Jashtëzakonshëm i thirrur nga zëvendësministri i Jashtëm, Anton Gurakuqi, në bazë të firmave të mbledhura nga anëtarët e Këshillit Kombëtar, do të jetë zyrtarisht objekt hetimi i Prokurorisë së Tiranës. Organi hetimor i kryeqytetit ka regjistruar një procedim penal, pas kallëzimeve të depozituara nga kreu i demokristianëve, Nard Ndoka dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të kësaj partie, Ilmi Kaziu, të cilët akuzojnë Gurakuqin si falsifikator të firmave që thirrën kongresin e jashtëzakonshëm më datë 8 maj të këtij viti. Këto dy kallëzime të paraqitura përkatësisht më datat 13 maj dhe 2 qershor, do të hetohen deri në fund nga organi i akuzës, i cili pak ditë më parë vendosi të regjistrojë edhe procedimin penal. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat thanë se kallëzimi i penal i kreut të PDK-së, Nard Ndoka, i cili akuzon Anton Gurakuqin se ka përdorur pa të drejtë simbolet dhe vulën e partisë, i është bashkangjitur kallëzimit tjetër penal të depozituar nga Ilmi Kaziu, i cili pretendon se firma e tij është falsifikuar. Sipas të njëjtave burime, mësohet se është vendosur që të dy këto kallëzime të bashkohen në një procedim penal nr. 1978, datë 12.06.2008, me objekt “Falsifikimin e dokumenteve”. Të dy këto kallëzime që tashmë do të hetohen në një procedim penal të vetëm, kanë si objekt pretendimin e kreut të demokristianëve dhe një prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar, të cilët thonë se Anton Gurakuqi në kërkesën që i ka drejtuar Gjykatës së Tiranës për regjistrimin e kongresit të jashtëzakonshëm të mbajtur më datë 8 maj, është përdorur një vulë e falsifikuar e PDK-së. Pas kallëzimit të Kaziut, i cili pretendon se firma e tij është falsifikuar për të mbledhur kongresin e jashtëzakonshëm, përkrahësit e Ndokës kanë arritur të marrin deklarimet edhe nga pesë anëtarë të Këshillit Kombëtar të PDK-së, të cilët ngrenë pretendimin se u është falsifikuar firma. Këto deklarata mësohet se janë depozituar në Prokurorinë e Tiranës, së bashku me disa dokumente që tashmë ndodhen në dorën e grupit hetimor që po heton çështjen. Mësohet se hetimet janë përqendruar mbi dokumentacionin që Anton Gurakuqi ka depozituar në Gjykatën e Tiranës për legalizimin e kongresit të jashtëzakonshëm, nga i cili u zgjodh kryetar. Por paralelisht me këtë proces gjyqësor, Prokuroria e Tiranës po heton rreth firmave të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, të cilat në rast se dalin të falsifikuara, rrëzojnë tërësisht kongresin e jashtëzakonshëm të PDK-së, pa përjashtuar edhe përgjegjësitë ligjore që do të kenë personat përgjegjës.
“Gurakuqi falsifikoi firmën e të dënuarit”
Krahas pretendimeve për falsifikimin e firmave të personave që ndodhen në Shqipëri, anëtarët e PDK-së thonë se Anton Gurakuqi ka falsifikuar edhe firmën e një personi, i cili aktualisht ndodhet i dënuar me 8 vite burg në Greqi. Kreu i grupit parlamentar të demokristianëve, Ndue Shpani, tha se “në listat e depozituara në gjykatë nga Anton Gurakuqi, për të legjitimuar të ashtuquajturin kongres të jashtëzakonshëm, figuron edhe emri i një shtetasi nga Gjirokastra, i cili prej vitesh vuan dënimin në një burg në Greqi”. Kjo deklaratë e firmosur nga ky person së bashku me deklarata të tjera të personave që pretendojnë se u është falsifikuar firma, janë depozituar në Prokurorinë e Tiranës, e cila do të verifikojë me imtësi të gjithë dokumentacionin që disponon.