E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarata e Guvernatorit: “Këtë vit rreziku në ekonomi po vjen në rritje”

Sipas BSH-së pritet rënie e mëtejshme e kredive në vitin 2009. Ekonomia do të përballet me një reduktim të nivelit të remitancave

Ervin KOÇI

Viti 2009 do të jetë i vështirë për vendin tonë pasi kriza ekonomike globale do të krijojë probleme në financimin e ekonomisë. Deklarata është bërë dje nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, për aktivitetin e institucionit që drejton, gjatë vitit 2008. Guvernatori Fullani ka deklaruar qartë se kriza ekonomike botërore përbën rrezik në rritje për vendin tonë, për vitin 2009.
“Zhvillimet e ekonomisë globale sugjerojnë se ekonomia shqiptare duhet të përballet me një reduktim të nivelit të remitancave dhe të hyrjeve në përgjithësitë kapitale gjatë vitit 2009. Këto zhvillime përbëjnë një reduktim të mëtejshëm të mundësive të financimit të aktivitetit ekonomik të vendit, si dhe dëmtojnë balancat e kërkesës dhe të ofertës për valutë. Në optikën e Bankës së Shqipërisë, problemi kryesor me të cilin do të përballet ekonomia shqiptare gjatë vitit në vijim është mungesa e likuiditetit dhe e lidhur me të shtrëngimi i kushteve të aktivitetit ekonomik”- deklaroi Guvernatori Fullani. Ai theksoi më tej se ka pasur rënie të kreditimit nga ana e bankave private për ekonominë si pasojë e krizës. Guvernatori tha gjithashtu se pritet një rënie e mëtejshme e kredive gjatë vitit 2009, edhe pse u bëri thirje bankave private që të kreditojnë sidomos biznesin dhe sipërmarrjet e mëdha.

Pasojat e krizës

Kriza ekonomike financiare që ka filluar të ndihet edhe në Shqipëri është reflektuar me efektet e para në uljen e ritmit të dhënies së kredive apo dhe rënies së likuiditeteve financiare. Sipas Guvernatorit Fullani, është vënë re një rënie e kreditimit prej bankave të nivelit të dytë nga efektet e krizës. “Banka e Shqipërisë ndërhyri për të injektuar para në treg, duke mos lejuar që efektet të ndihen më tej”,- tha ndër të tjera Fullani. Sipas tij, kriza botërore, paraqet rrezik për ekonominë shqiptare sidomos gjatë vitit 2009 dhe konkretisht, kanë për të qenë problem gjatë muajve të ardhshëm likuiditetet financiare të qytetarëve dhe bankave. Gjithashtu, guvernatori i BSH-së vuri në dukje se do të ketë edhe një rënie të kredive nga ana e bankave të nivelit të dytë.

Raporti 2008

Gjatë prezantimit të raportit vjetor 2008, në Komisionin e Ekonomisë, Guvernatori Fullani tha se rënia e kërkesës së jashtme dhe rritja e papunësisë, veçanërisht në vendet fqinje anëtare të eurozonës, ndikoi në rënien e eksporteve dhe të të ardhurave nga emigrantët, duke zbutur kërkesën e brendshme për konsum. Ai u shpreh se të ardhurat dhe shpenzimet në buxhetin e shtetit, me një rritje relative vjetore në masën 15 për qind dhe 23 për qind, u realizuan pranë parashikimeve. Sipas tij, norma vjetore e rritjes së çmimeve të konsumit, zbriti në 2.2 për qind në muajin dhjetor. "Lajmet ndaj zhvillimeve të situatës ndërkombëtare në tremujorin e fundit të vitit, rritën ndjeshmërinë e publikut ndaj sigurisë së kursimeve, por sektori bankar, ashtu siç pritej, e përballoi mjaft mirë këtë situatë duke u paraqitur i mirëkapitalizuar dhe likuid në fund të vitit 2008", deklaroi Guvernatori Fullani. Duke nisur që nga mesi i muajit nëntor 2008, u ndryshua forma e ankandit të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes nga ankand me shumë çmime në ankand me çmim fiks. Përveç kësaj u përdorën instrumente injektimi të likuditetit me afat më të gjatë maturimi deri në shitjet me të drejta të plota. "Në fund të vitit 2008, aktivet e sektorit bankar ishin 834.1 miliardë lekë, duke zënë rreth 86 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe duke qene 12.3 për qind më të larta në krahasim me fundin e vitit 2007",- vijoi Fullani. Sipas tij, rritja e ndjeshmërisë së publikut për sigurinë e kursimeve të tyre në sektorin bankar, e përqendruar në tremujorin e fundit të vitit, për shkak të zhvillimeve në krizën financiare ndërkombëtare, ndikoi në uljen e ritmit të rritjes së veprimtarisë bankare gjatë vitit 2008. Në vitin 2008, kapitali aksioner i sektorit bankar zuri rreth 8.6 për qind të totalit të aktiveve, krahasuar me rreth 7.6 për qind në fund të vitit 2007. Ndërkohë, rezultati financiar i sektorit bankar në fund të vitit 2008, ishte pozitiv për rreth 9.3 miliardë lekë.

9 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›