BSH: “Kambistët e paligjshëm spekulojnë dhe rrezikojnë tregun valutor”
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dha një përgjigje të prerë kur u pyet për të ardhmen e vlerës së lekut: "Kursi i këmbimit në Shqipëri është i luhatshëm", - u shpreh ai. Leku ka humbur 7 për qind kundrejt euros gjatë muajit shkurt, por u stabilizua në kuotën 130 lekë gjatë marsit. Fullani nuk e përjashton mundësinë që kursi të ketë luhatje, por dha indikacion të qartë se nuk ka ndërmend të parandalojë nënçmimin e lekut. Fullani duket se është mes "dy zjarreve". Nga njëra anë, nënçmimi i lekut sjell automatikisht rënie të importeve dhe balancim. Nga ana tjetër, rrezikon të ulë aftësinë paguese të kredimarrësve në valutë. Teorikisht, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë në tregun valutor vetëm në rast se sheh veprime spekulative nga subjekte të caktuara, ndërsa luhatjet që vijnë nga deficitet, janë të mikëpritura për shkak se shërbejnë si vetëkorrigjim i tregut. Nga ana tjetër, Fullani përmendi faktin se luhatjet e tepruara të lekut mund të ulin besimin e tregut te monedha kombëtare, gjë që sjell pasoja negative. "Lëvizjet e shpejta dhe të pakontrolluara të kursit të këmbimit ndikojnë negativisht në psikologjinë e publikut dhe fshehin brenda tyre veprime spekulative të subjekteve të ndryshme", - tha Fullani. Shumë qytetarë janë të shqetësuar nga perspektiva e rënies së vlerës së lekut, gjë që do të ulë automatikisht vlerën reale të pagave të veta kundrejt mallrave të importit dhe kësteve të kredive në euro. Por tani për tani, Banka e Shqipërisë bën të qartë se leku do të ndjekë kërkesën dhe ofertën.
Ankandi i BSH-së, dalin në shitje 8.9 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ka përfunduar të dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand janë shitur bono me maturim 6 dhe 12 mujor, që do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën e Shqipërisë. Vlera totale e shitur në ankand është 8.9 miliardë lekë. Për bonot me maturim 12-mujor nga 16 kërkesat konkurruese të paraqitura u pranuan 15 prej tyre. U kërkuan për shitje bono me vlerë 6,111,670,000 lekë dhe u shitën bono me vlerë 6,100,000,000 lekë. Yield-i maksimal i pranuar është 8.25 për qind, yield-i minimal i pranuar është 8.1 për qind, yield-i mesatar i thjeshtë është 8.15 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 8.17 për qind. Këto bono maturohen më 8.04.2010. Për bonot me maturim 6-mujor u pranuan 7 nga 10 kërkesat konkurruese të paraqitura, dhe u shitën 2,800,000,000 lekë nga 3,471,600,000 lekë që ishte vlera e kërkuar. Ndërkohë që Yield-i maksimal i pranuar është 7.53 për qind, yield-i minimal është 7.38 për qind, ai mesatar i thjeshtë është 7.44 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 7.51 për qind. Këto bono do të maturohen më datën 20.09.2009.
9 Prill 2009