Mbaron sigurimi i makinës, njoftohesh me SMS
Gjatë këtij viti, personat e interesuar, mund të verifikojnë nga telefoni sigurimin e automjetit. Burimet zyrtare të AMF, njoftojnë se, të interesuarve do t’u kërkohet të shtypin targën e automjetit në tastierën e telefonit dhe do të informohen direkt. AMF njofton se sistemi telefonik i ndihmës së konsumatorëve është modifikuar dhe përshtatur nëpërmjet konfigurimit të sistemit të përgjigjes automatike, në të cilën përfundojnë telefonatat nga numri i konsumatorit 35542269329, i publikuar në faqen zyrtare të internetit të ANMF-së. Sistemi mundëson gjithashtu kontrollin e policës së sigurimit dhe rikujtesën automatike nëpërmjet dërgimit të mesazhit SMS në datën e përfundimit të periudhës së sigurimit. Ky sistem do të vihet në punë gjatë këtij viti. Të ardhurat bruto për kompanitë e sigurimeve gjatë vitit 2010 arritën në 6.2 miliardë lekë , nga të cilat 5.6 miliardë lekë për jo jetën dhe 586 milionë lekë për jetën. Rritja, në krahasim me një vit më parë ka qenë shumë modeste në vetëm 0.31%, kur në vitin 2010 në krahasim me 2009 këto të ardhura u rriten me gati 9 për qind. Ndërsa raporti dëme/ të ardhura arriti në mbi 30 për qind, por që konsiderohet ende në nivele të ulta, në krahasim me rajonin dhe vendet e tjera të zhvilluara.