E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Shqipërisë ul çmimet e qarkullimit të lekut

SHKRUAN: Sabina Veizaj 09-03-2011 11:35

Banka e Shqipërisë zbardhi dje vendimin se si do të ulen komisionet e bankave të atakuara kaq shumë kohë e fundit, për vlerën e lartë të tyre. Në këtë mënyrë, duke iu referuar ndryshimeve të propozuara, Banka e Shqipërisë rrit vlerën kufi të pagesave që procesohen në sistemin e klerimit për pagesat me vlerë të vogël AECH, nga 1 milion në 1.5 milion lekë. Rritja e shumës synon të nxisë përdorimin e këtij sistemi më gjerësisht nga bankat, të favorizuara nga tarifat më të leverdishme që ky sistem ofron aktualisht tarifa e një pagese në sistemin AECH kushton 4 lekë, kundrejt 250 lekë të tarifës që aplikohet në sistemin AIPS, për një pagesë që shlyhet në kohë reale. Rritja e vlerës limit për pagesat e vogla nënkupton që bankat mund të përdorin sistemin AECH, për të ekzekutuar pagesat e klientëve deri në 1.5 milionë lekë, duke përfituar nga tarifat e ulta të klerimit të pagesave. Gjithashtu Banka e Shqipërisë parashikon shtimin e seancave të klerimit të pagesave në sistemi AECH, duke ju mundësuar bankave të shlyejnë pagesat e klientëve pothuaj në kohë reale, me një komision të ulët. Aktualisht zhvillohen dy seanca dhe shtimi i një seance të tretë të klerimit, sipas BSH-së, do të bëjë një shpërndarje pothuajse të njëtrajtshme të pagesave të kleruara gjatë një dite pune. Në ndryshimet që iu bënë rregulloreve të funksionimit të sistemeve të pagesave parashikohet edhe ndryshimi i tarifave të pjesëmarrjes së bankave, në sistemet AIPS dhe AECH, kundrejt kërkesës për ulje të komisioneve për shërbimet e pagesave ndaj klientëve. Kjo sipas BSH-së, rishikimi i tarifave në ulje, në parim, kërkon të ndihmojë përdorimin me eficiencë të sistemeve të pagesave nga ana e bankave, por nëse kostoja e shërbimit për këtë produkt do të vazhdojë t’ju aplikohet “apriori” tërësisht klientëve nga bankat dhe jo sipas një politike ose metodologjie, ky rishikim në ulje nuk do të japë efektin e kërkuar ose të llogaritur nga Banka e Shqipërisë. Për këtë qëllim, vendimi i aplikimit të tarifave në ulje është shoqëruar me ndryshime të kontratës së pjesëmarrjes nga bankat. Njëkohësisht, vendimi parashikon aplikimin e tarifave të diferencuara, sipas seancës në të cilën klerohet pagesa, si një politikë, e cila zbatohet në disa prej vendeve të rajonit (si Bullgari, Bosnjë, Slloveni, Serbi, etj..). Tarifat për sisteme të ngjashme në vendet e rajonit dhe në veçanti në vende që kanë hyrë në Bashkimin Europian, variojnë nga 0.01 në 0.30 Euro (BSh aktualisht aplikon një tarifë prej 0.03 eurosh për pagesën në sistemin AECH dhe tarifën 1.9 euro, për një pagesë të shlyer në sistemin AIPS. Diferencimi i tarifave, sipas seksioneve, nxit përdorimin e sistemeve të pagesave nga bankat gjatë orareve të fillimit të ditës, pasi tarifa në seksionin e parë kushton 2 herë më lirë se tarifa e seksionit të fundit (nga 4 në 8 lekë), me synimin e shpërndarjes së pagesave gjatë gjithë ditës, për të pakësuar dërgimin e pagesave në oraret pikë të trafikut të transmetimit. Në të njëjtën kohë, BSH parashikon gjithashtu ndryshimin e kontratës së pjesëmarrjes në sistemet AIPS dhe AECH, me qëllim përcaktimin e një çmimi tavan që bankat mund t’u aplikojnë klientëve të tyre për pagesat/transaksionet që procesohet nëpërmjet këtyre sistemeve. BSH gjykon se zbatimi i një praktike të tillë është i rrallë midis vendeve të ngjashme me Shqipërinë, por kjo është një zgjidhje e drejtë, sipas saj që do t’i japë një hov të ri besueshmërisë së publikut në sistemin tonë bankar si dhe gjykohet i nevojshëm në vijim të propozimit të tretë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›