Sigurimet e makinave online, liberalizohen tarifat
Tarifat e sigurimit të automjeteve do të liberalizohen këtë vit për shkak se, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Financiare (AMF) ka vënë në punë regjistrin elektronik online të shitjeve të sigurimeve. Informatizimi do të mundësojë aplikimin e bonuseve për përdoruesit e automjeteve që kanë vite në përdorimin e makinës dhe nuk kanë shënuar incidente. Në zyrat qendrore të AMF funksionon tashmë regjistri online, për sigurimet e detyrueshme çka do të mundësojë gjatë këtij viti aplikimin e parametrave të Bashkimit Europian për tarifat e sigurimit. Tarifat e sigurimit për zotëruesit e automjeteve nuk do të jenë të njëjta. Nga ana tjetër, projektligji për liberalizimin e tarifave të sigurimit është gati. Tarifat dhe modeli i tyre ende nuk janë përcaktuar, pasi ato do të jenë objekt debati me kompanitë e sigurimeve. Me liberalizimin e tarifave, çdo klient do të mund të paguajë në bazë të historikut të dëmeve, viteve të eksperiencës në drejtimin e mjetit motorik, vjetërsisë së tij dhe shumë komponentëve të tjerë, që në total do të formulojnë politikën e individualizimit të tarifës nga kompanitë. Tregu i sigurimeve të detyrueshme për mjetet motorike, me përgjegjësi ndaj palëve të treta, është i paliberalizuar në Shqipëri. Në projektligjin e ri synohet një rregullim më i mirë fushën e sigurimeve të detyrueshme, ku parashikohet futja e produkteve të reja të sigurimeve të detyrueshme, si për mjetet fluturuese (avionët), mjetet lundruese dhe sigurimin e pasagjerëve me mjetet e transportit publik. Gjithashtu janë rishikuar limitet e përgjegjësisë, duke i përafruar me ato të vendeve me kushte të njëjta zhvillimi. Kompanitë tashmë detyrohen me ligj që për 90 ditë nga data e aksidentit të aplikojnë dëmshpërblimin. Gjithashtu për herë të parë parashikohet sigurimi i detyrueshëm të aksidenteve për mjetet e transportit publik. Minimumi i shumës për pasagjer, për çdo rast dëmi apo humbjeje, për të cilën është lidhur një kontratë sigurimi për një mjet transporti, është në rast vdekjeje 2 000 000 lekë, ndërsa në rast të paaftësisë së përhershme, 4 000 000 lekë. Projekti parashikon që kontrata të lidhet nga pronarët e autobusëve urbanë. Industria e sigurimeve të detyrueshme motorike, aktualisht prezanton rreth 75 për qind të portofolit të tregut në përgjithësi. Duke i konsideruar të tejkaluara, masat e ndërmarra kohë pas kohe, nga vetë operatorët dhe mbikëqyrja, Shoqata së Siguruesve ka kërkuar edhe në rrugë zyrtare liberalizimin e plotë të tarifave të produktit TPL”, thanë anëtarët e shoqatës. Në 90 për qind të shteteve të BE-së, ky prim është tërësisht i liberalizuar, sipas shoqatës, madje të njëjtin standard po aplikojnë tashmë edhe vendet e Europës Lindore. Sa i përket argumentit të rritjes së shërbimit dhe ruajtjes së interesave të konsumatorit, liberalizimi i primit të produktit TPL, çdo kompani do të individualizojë primin për çdo klient. Në këtë rast, kompanitë i referohen sistemit “bonus – malus”, ku çdo klient do të paguajë në bazë të historikut të dëmeve, viteve të eksperiencës në drejtimin e mjetit motorik, vjetërsisë së tij dhe shumë komponentëve të tjerë, që në total do të formulojnë politikën e individualizimit të tarifës nga kompanitë. Në këtë mënyrë, klienti do të jetë subjekt i veçantë tarifimi dhe jo hallkë e një zinxhiri, ku kostoja shpesh herë mund të rëndojë apo lehtësojë padrejtësisht klientin në favor apo disfavor të pjesës tjetër të klientelës, thanë përfaqësues të kompanive.