E Diel, 1 Nëntor 2026

Punësimi sezonal në Itali, miratohen 60 mijë kuota

SHKRUAN: Jonida Tashi 09-03-2011 11:25

Qeveria italiane u hap dyert 60 mijë punonjësve sezonalë jokomunitarë, që janë një krah pune i domosdoshëm për sektorë të ekonomisë si bujqësia dhe turizmi. Më 17 shkurt qeveria ka firmosur dekretin e flukseve sezonale 2011, që është një mundësi më shumë për të futur këmbët ligjërisht në Itali, tashmë pritet të botohet në Gazetën Zyrtare për t’i hapur rrugën paraqitjes së kërkesave. Në krahasim me vitin e shkuar, kur u vunë në dispozicion 80 mijë kuota, hyrjet e autorizuara për këtë vit janë tkurrur me 25%, por, sipas shoqatave të punëdhënësve, ato përsëri do të jenë mëse të mjaftueshme. Edhe këtë radhë kërkesat do të paraqiten online, por pa qenë e nevojshme të nxitohet si për flukset e jo-sezonalëve, pasi vitet e fundit kanë treguar që kuotat i kapërcejnë kërkesat. Në tekstin e dekretit do të tregohen edhe vendlindjet e punonjësve që vitin e shkuar ishin: Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia, Kroacia, India, Pakistani, Bangladeshi, Sri Lanka, Ukraina, Tunizia, Maroku, Moldavia dhe Egjipti. Në dekretin e këtij viti është shumë e mundur që kësaj liste t’i shtohet edhe Kosova. Sipas autoriteteve italiane, gjithçka është gati për ardhjen në Itali të 60 mijë punonjësve sezonalë jokomunitarë. Megjithëse pritet botimi i dekretit të flukseve në Gazetën Zyrtare, por ndërkohë punëdhënësit mund të përgatisin kërkesat, vetë apo me ndihmën e konsulentëve të punës, patronateve dhe shoqatave të kategorisë. Prej disa ditësh shoqatat e kategorisë kanë nisur përpilimin e kërkesave për anëtarët e tyre. “Gjithçka shkon mirë, dhe e vetmja gjë që urojmë është që dekreti të shpallet sa më shpejt në Gazetën Zyrtare, pse jo brenda mesit të muajit mars. Vetëm kështu punonjësit do të mund të arrijnë në kohë në Itali për vjeljet e para, siç është rasti i luleshtrydheve në Verona”, - thotë Romano Magrini, përgjegjës për politikat e punës në Coldiretti. Një risi e rëndësishme që i dallon këto flukse nga të mëparshmit është se këtë vit, për herë të parë, mund të kërkohet një autorizim shumëvjeçar. Për punonjësit sezonalë që kanë qenë për të paktën dy vjet rresht në Itali, punëdhënësit do të mund të kërkojnë një autorizim shumëvjeçar. Në këtë mënyrë, vitin e ardhshëm, këta punonjës sezonalë do të mund të vijnë në Itali, duke mos kaluar më mes flukseve. “Pasojat do të ndihen nga viti 2012, kur këta punonjës do të mund të hyjnë në Itali pa pritur një dekret fluksesh. Por risia është shumë e rëndësishme, sepse do të thjeshtojë mjaft hyrjet për punonjësit sezonalë, që në shumicën e rasteve janë të njëjtët nga një vit në tjetrin”, - thotë më tej Magrini. Ndonjë komplikim më shumë mund të arrijë me kundërmasat e adoptuara për të luftuar kërkesat e rreme. Mes këtyre, detyrimi për punëdhënësin që të paraqitet pranë Sportelit Unik bashkë me punonjësin për të nënshkruar kontratën e qëndrimit. “Qëllimi është i mirë, por sigurisht është një barrë më shumë për Sportelet Unike. Do të ishte më mirë që kjo fazë të administrohet nga shoqatat e kategorisë, që mund të garantojnë që marrëdhënia e punës është e rregullt”, - propozon drejtuesi i Coldiretti-t. Vitet e shkuara kanë treguar se kuotat e vëna në dispozicion për sezonalët janë të mjaftueshme, ndaj nuk duhet nxituar. Dërgesat do të mund të bëhen nga ora 8.00 e ditës pasuese të botimit të dekretit në Gazetën Zyrtare deri më 31 dhjetor 2011.

60 mijë punonjës sezonalë jokomunitarë, midis të cilëve përfshihen edhe shqiptarët, janë miratuar më 17 shkurt nga qeveria italiane, e cila ka firmosur dekretin e flukseve sezonale 2011

80 mijë kuota ishin në dispozicion vitin e kaluar. Hyrjet e autorizuara për këtë vit janë tkurrur me 25%, por, sipas shoqatave të punëdhënësve, ato përsëri do të jenë mëse të mjaftueshme

Kërkesat e rreme

Këtë vit, kontrolle më të rrepta

Kërkesat e punësimit do të shqyrtohen sipas datës së fillimit të marrëdhënies së punës, me qëllim që të arrihet ardhja e punonjësve në kohën e duhur për “sezonin” kur nevojiten, por edhe për të kontrolluar me rigorozitet kërkesat në mënyrë që të mos kalojnë kërkesa të rreme, që nuk janë tjetër veçse rrugëzgjidhje për legalizimin e të afërmve apo më keq akoma të paguara shtrenjtë nga të interesuarit e personave të paskrupuj. Në veçanti do të verifikohet që punëdhënësit të mos kenë kërkuar në të shkuarën punonjës sezonalë që më pas nuk kanë pranuar të punësojnë. Për më tepër, punëdhënësve do t’u duhet të shoqërojnë punonjësin në Sportelin Unik për të nënshkruar kontratën e qëndrimit dhe për të komunikuar marrëdhënien e punës. Nëse, për motive të justifikuara, nuk do të duan të punësojnë punonjësin, do t’i jepet mundësia një tjetër punëdhënësi të punësojë punonjësin me të njëjtat kushte kontrate. Sa për vlerësimin e të ardhurave të sipërmarrësve në bujqësi, nuk do të merret parasysh vetëm fitimi agrar, zakonisht i pamjaftueshëm, por në llogaritje do të futen edhe deklaratat IVA, Irap dhe kontribute komunitare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›