Mbërrijnë kuponët e kartave të identitetit në Berat, mungon linja on line
Ndonëse në qytetin e Beratit ka nisur shpërndarja e kuponëve për pajisjen me karta identiteti, procesi ende nuk ka nisur si pasojë e mosinstalimit të linjës on line. Ndërkaq, një mungesë interesi është vënë re edhe nga ana e qytetarëve. Këta të fundit ende nuk kanë pasur fatin për të aplikuar për pajisjen me letër njoftimet e reja dhe pse afati i paracaktuar ka pesë ditë që ka kaluar.
Shkak për këtë, sipas prefektit të qarkut të Beratit, Thoma Rumniçi, janë bërë neglizhenca e firmës koncensionare që ka fituar tenderin. Prej datës 12 të muajit shkurt, dita e caktuar për nisjen e procedurave për pajisjen e qytetarëve beratas me letërnjoftimet e reja, ka përfunduar me shitjen e vetëm 100 kuponëve nga 5 mijë të tilla. Lajmi bëhet i ditur nga sportelet e caktuara nga Filiali i Postës Shqiptare Berat, ku thuhet se interesi nga ana e qytetarëve është tejet minimal. Sipas burimeve nga prefekti i qarkut, afati i paracaktuar për caktimin e zyrave që do të shërbejnë për realizimin e këtij procesi tashmë janë gati, por për shkaqe teknike që varen nga firma e prodhimit të letër njoftimeve procesi ka mbetur në mes. "Nga ana jonë janë bërë të gjitha përpjekjet për realizimin e kërkesave të firmës dhe udhëzimeve të qeverisë për objektet dhe nisjen e procesit, por shkak i mosecjes së këtij procesi tashmë është bërë moslidhja on line e zyrave nëpër rrethe me zyrën qendrore, çka po bën dhe rënien e interesimit të qytetarëve për blerjen e kuponëve, të cilët ndodhen në sportelet e filialit të postës", ka vijuar më tej prefekti i qarkut, Rumniçi. Sipas informacionit të marrë nga drejtoria e këtij filiali, që prej datës 12 shkurt ka mbërritur furnizimi i parë me rreth 5 mijë kuponë, të cilët janë shpërndarë në 18 sportele për përballimin e fluksit të qytetarëve, por duket se si pasojë e mosnisjes së aplikimit për problemin teknik që është detyrë e firmës, interesi për blerjen e kuponëve është shumë i ulët duke bërë që të rrezikohen afatet e pajisjes me letër njoftime.
Email This Klikime: 2
Email This Klikime: 2