E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata shpall të pafajshëm 2 "kryengritësit" anti Bollano-Ksera

Merr fund lavari i gjyqit ndaj të rinjve tepelenjotë që protestuan kundër kryebashkiakut dhe prefektit
Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër ka vendosur dje pushimin e çështjes ndaj dy djemve të fshatit Toç të Tepelenës, Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili, të cilët u akuzuan nga Prokuroria e Gjirokastrës për veprën penale të organizimit të paligjshëm të tubimeve. Në seancën e fundit gjyqësore, kryesuesi i trupit gjykues të kësaj çështjeje, Shkëlqim Mustafa, i ka rrëzuar të gjitha akuzat e ngritura nga ana e prokurorit të çështjes, Përparim Mele për dënimin e tyre me 1 milionë lekë, duke e cilësuar hetimit të nxituar. Sipas gjykatësit Mustafa, çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë gëzon të drejtën për të protestuar paqësisht edhe pa lejen paraprake nga ana e autoriteteve policore. "Prokuroria e Gjirokastrës duhet ta kishte pushuar çështjen vetë, pasi dy të pandehurit Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili nuk kanë konsumuar asnjë vepër penale", është shprehur në vendimin e dhënë nga gjykatësi Mustafa, sipas të cilit, tubimi ka qenë tërësisht paqësor dhe larg frymës konfiktuale. Për sa më sipër, Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër vendosi që dy të pandehurit të lirohen nga akuzat e ngritur nga prokuroria dhe të gjitha shpenzimet operative i ngarkohen organit të akuzës.
Ngjarja për të cilën u akuzuan 2 të rinjtë
Ngjarja për të cilën u akuzuan dy të rinjtë, zë fill më 28 qershor të vitit të kaluar. Banorët të fshatit Toç, rreth 20 kilometra larg qytetit të Tepelenës, organizuan një tubim në hyrje të fshatit të tyre, 100 metra larg rrugës kombëtare Tepelenë-Ballsh, për të protestuar ndaj deklaratave antishqiptare të kryetarit të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, si dhe ndaj prefektit të qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, për pjesëmarrjen e tij në takimin panepirot në Konicë të Greqisë. Kanë qenë kërkesat për autonomi të të ashtuquajturit Vorio Epir nga Prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera dhe kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano që kanë hedhur në protestat paqësore banorët e fshatit Toç në Tepelenë. Rreth 100 banorë, kryesisht të rinj janë grumbulluar në fshat me parulla në duar, ku shkruhej se Shqipëria është e shqiptarëve, jo e grekëve dhe se prefekti Spiro Ksera duhet të largohet nga posti që drejton. Protestuesit kanë kërkuar nga kreu i qeverisë, Sali Berisha dhe presidenti i vendit, Bamir Topi shkarkimin e menjëhershëm të prefektit të Gjirokastrës dhe fillimin e ndjekjes penale për të, por dhe kreun e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Protestuesit nga fshati Toç kanë dalë në aksin Fier-Tepelene, duke bllokuar për disa minuta rrugën nacionale. Situata është qetësuar me ndërhyrjen e forcave blu, ku u prangosën dhe dy të rinjtë Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili. Që pas asaj dite, Teplena është përfshirëq disa herë në protesta duke kundërshtuar gjyqin ndaj dy të rinjve. Përfaqësues të disa shoqatave atdhetare si dhe qytetarë të Tepelenës dhe Memaliajt, kanë protestuar pak ditë më parë në sheshin qendror të qytetit, kundër kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano dhe prefektit të Qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera, me thirrjet Poshtë Bollano dhe Spiro Ksera. Tubuesit kanë kërkuar që të ndalohen të gjitha veprimet antikombëtare dhe njëkohësisht lirimin e dy të rinjve nga çdo akuzë e ngritur. Pasi kanë protestuar për rreth një orë, duke sfiduar dhe kushtet e këqija të motit, protestuesit janë drejtuar më pas në ambientet e godinës së Gjykatës së Tepelenës, ku kanë marrë pjesë në seancën gjyqësore në ngarkim të të dy të rinjve.

Email This Klikime: 6

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›