E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vështirë të kuptosh humbjen

(In memoriam për z. Vladimir Prela)
Nga Shpëtim  LAME   
Si emër, z. Prela, kisha vite që e njihja, nëpërmjet shkrimeve në gazeta të ndryshme, para dhe pas vitit 1990- të. Njëkohësisht si një ndër pjesëtarët më veprues të grupit të studiuesve të institutit për rajonin e Ballkanit në tërësi dhe për Kosovën në veçanti. Me ardhjen e PD- së në pushtet, ky institut u mbyll. Qëllimi ishte lehtë i kuptueshëm. Largimi nga puna i tyre,  pra edhe i z. Prela. E mbylli institutin PD- ja në pushtet, pra ajo forcë politike, që aq fort i mëshonte deklarimeve për angazhim të plotë, për zgjidhjen sa më të drejtë të çështjes kombëtare. Koha nuk e dëshmoi plotësisht këtë. Nëse, sidomos  për ndërkohën e viteve 90-të, i ballafaqojmë këto deklarime me veprimtarinë konkrete të saj, mund të arrijmë në përfundimin se ato nuk janë aq pranë, madje në jo pak raste, në momente shumë kyçe të zhvillimeve në Kosovë, janë të turbullta, të nxituara dhe sosh prej tyre, jo shumë ndihmuese. Pas qershorit të vitit 1999, vende të ndryshme të botës, duke u prirë nga më të fuqishmit, hapën Zyrat e Ndërlidhjes të shteteve përkatëse, në Prishtinë.  Shqipëria, këtë e realizoi në fund të shtatorit të këtij viti, por pak me vonesë, pas rreth njëzetë vendeve të tjera, sepse kërkesa e qeverisë tonë, nuk merrte pëlqimin, miratimin e plotë, nga ana e disa shteteve me peshë, që në politikat e tyre, sa i përket Kosovës, ishin dhe vijojnë ende sot të jenë, në përkrahje të politikës së të Serbisë. Caktimi i z. Prela, në krye të trupit diplomatik të Zyrës së Ndërlidhjes së Shqipërisë, në Kosovë, përfaqësonte një gjetje të spikatur, një tregues të përgjegjësisë së lartë, të seriozitetit të plotë, ashtu siç u ka hije shtetarëve të denjë, pra të kryeministrit Nano dhe presidentit Mejdani. Ishte një gjetje aq e spikatur, sa të detyronte të të lëkundej mendimi, se është e vështirë të verifikosh së paku një rast të vetëm, pavarësisht se në cilin nivel të pushteteve dhe të administratës, ku realizohet një përputhshmëri e duhur, ndërmjet punës dhe njeriut, detyrës së ngarkuar dhe aftësisë së tij. Kjo më përforcohej dita ditës edhe nga vizitat, takimet, bisedat zyrtare dhe jo të tilla, me ata që vinin nga Tirana zyrtare, në të cilat kam pasur rastin dhe fatin e madh të jem i pranishëm, ku lehtësisht vërehej kundërkahja, ndërmjet nivelit të tyre zyrtar dhe intelektual dhe profesional, krahasuar me atë të z.Prela. Fatkeqësisht ky mbeti vetëm një rast, pra kishte qenë thjesht një iluzion i përkohshëm, hutues, sepse pas qëndrimit më pak se dy vjet në Prishtinë, z. Prela u ngarkua me detyrën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë, në Maqedoni. Tani edhe për këtë zyrë, vijoi praktika e mirënjohur si kudo, madje diametralisht e kundërt me rastin e parë. Dyshja Meta - Angjeli, që në atëkohë po përjetonin muajin e përbashkët të mjaltit, bënë gjetjet më pak të përshtatshme, mbase më të gabuarat e mundshme, me rrjedhojë sulmin e defiçentëve profesionalë dhe intelektualë mbi themelet e sigurta dhe të mirëmenduara, të Zyrës së Ndërlidhjes së Shqipërisë, të ngritura me aq dashuri, përkushtim dhe profesionalizëm, nga ana e z. Prela. Mjerisht që mbi ato themele, nuk vijoi ngritja e godinës moderne, që përveç të tjerash do të shërbente si nevojë, si model i gjallë ndihmues, nga ana e shtetit amë, për diplomacinë e re të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë. Mbi ato themele, që vështirë se tashmë u kanë mbetur edhe konturet, nuk mund të them se më pas nuk u ndërtua asgjë. Nëse nuk gabohem shumë duke e përdorur këtë term, mbase janë ndërtuar kioska si ato që pushtuan dhe dhunuan për shumë vite gjelbërimin e Tiranës, që pa dashje, për ngjashmëri dhe bashkëshoqërim, na sjellin në kujtesë, atë thirrjen e të parëve, te Dhëmbi i bardhë i Xhek Londonit. Z. Prela kishte arsimim real solid, pa asnjë gjurmë të mangësive të hershme dhe të vona, që shpesh aq keqas paditin, lakuriqësojnë, një pjesë të atyre, që kjo gjasme demokracia e jonë, nga askushi i ktheu në dikushi, pra nga një hiç i shndërroi në një diç, por që ne ende jetojmë me shpresën, se vetëm përkohësisht. Nuk kishte grada dhe tituj shkencorë, sepse as i kishte shkuar ndonjëherë në mënd të binte në kurthin e joshjes për kallpin e dukjes, si dukuri me shpeshtësi jo të vogël te ne. Ai ashtu si respektonte të tjerët, respektonte edhe veten, prandaj nuk mund të lejonte që, në formacionin muzikor të dijes së njëmendtë, vendin e tij të një violine virtuoze, ta këmbente me lodrën e madhe zhurmëshumë. Rrallë jepte intervista. I zgjidhte me kujdes miqtë dhe nuk kishte asnjë të tillë, që të pranonte  porosi për shkrime, lidhur me aftësitë e tij, as para ardhjes dhe as pas largimit nga Kosova. Këtë ia kishte besuar vetëm mos mburrjes dhe punës së përditshme. Kulturë e tij profesionale dhe e përgjithshme shumëdimensionale shërbente si bazament i sigurt, si garanci e rrallë, për  dashurinë, përkushtimin, seriozitetin, efektivitetin e veçantë, gjithnjë në rritje, në punë. Si mik besnik i dijes, çdo ditë e tij, ngjante krejtësisht me atë të një studenti të shkëlqyer, në sezon provimesh. Kënaqësi dhe fat, fat dhe kënaqësi,  investim dhe përfitim i madh shpirtëror profesional, të kesh qenë qoftë edhe për një ndërkohë të shkurtë, pothuajse dyvjeçare, bashkëpunëtor dhe bashkëbisedues me z. Prela. Vështirë të kuptohet në thellësinë e duhur, humbja që sjell largimi nga kjo jetë e z. Prela, sidomos sa i përket diplomacisë, që ka për zgjidhje  çështje të mprehta të së shkuarës dhe të së sotmes, të rajonit të Ballkanit. E dhimbshme, e pazëvendësueshme për familjen, të afërmit, miqtë dhe bashkëpunëtorët e shumtë të tij, në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare.

Last Updated on Tuesday, 17 February 2009 13:22

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›