E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bordi i Kullimit, në prioritet vaditjet dhe kullimin e tokave

10/02/2009  Drejtori i Bordit të Kullimi në Berat, Bujar Dhëmbi: Puna që kemi kryer në funksion të bujqësisë dhe banorëve

BERAT- Janë 23 mijë ha tokë bujqësore të Myzeqesë së Beratit si dhe rreth 7 mijë ha tokë të tjera po nga fondi i tokës bujqësore që brenda një kohe rekord në 2 vitet e fundit dhe 6 muaj punë të viti të shkuar kanë sistem kullimi dhe janë shpëtuar njëherë e përgjithmonë nga përmbytjet e përvitshme nga puna e mjeteve të Bordit të Kullimit si e vetmja ndërmarrje në qarkun e Beratit e përshtatur në ndihmë të bujqësisë dhe të mbrojtjes së fondit të tokës në përgjithësi. Janë mbi 33 rezervuarë në tre rrethet Berat, Kuçovë e Skrapar të këtij qarku, të cilët janë vënë nën kujdesin e këtij bordi si dhe janë mirëmbajtur digat dhe komplet funksioni i tyre normal për të mos krijuar probleme rrezikshmërie. Janë dy hidrovorët kryesor, të cilët janë në funksion të plotë në rast përmbytjesh në po këto zona, duke siguruar në këtë rast mbrojtjen nga përmbytjet nga dy lumenjtë Osum dhe Devoll. Nga ana tjetër Bordi i Kullimit me mjetet e tij ka ndërhyrë për zgjidhjen e menjëhershme në problemet e emergjencave që janë krijuar në bujqësi dhe ato civile kur ka qenë nevoja. Këto dhe dhjetëra probleme të tjera kanë qenë detyrat parësore të Bordit të Kullimit që janë realizuar brenda afateve të përcaktuara në prioritetet e saj gjatë viti 2008 dhe të dy viteve më parë. Por, për të arritur në këto rezultate është dashur një punë voluminoze fal dhe një organizimi të mirë nga këshilli drejtues e drejtuesi i këtij bordi. Puna në këtë bord nuk ka njohur orar apo ditë pushimi. Nga të gjithë punonjësit e tij është punuar me përkushtim në realizimin e tyre, madje mund të them, pohon për gazetën “Metropol” drejtori i këtij bordi Bujar Dhëmbo se mjetet tona të drejtuara nga manovratorë të zotë profesionist, brenda një kohe rekord për gati 6 muaj kanë arritur të pastrojnë dhe të vënë në eficencë të plotë mbi 42 684 ml kanale kullues në fushën bujqësore të mesit të urave që përfshihen në komunën Poshnje, Kutalli, Perondi, Otllak etj, të cilat për 17 vjet nuk është mundur të bëhet pastrimi i tyre.

Kolektorët dhe prodhimi

Janë dy kolektor me gjatësi 15 km i pari fillon në ish-kënetën e Konsebaltës dhe përfundon në Ura e Kuçit në derdhje në lumin Seman si dhe ai, Dushnik-Osum, të cilit pas pastrimit të tyre janë vënë në eficencë të plotë për kullimin e tokave bujqësore të këtyre zonave gjer dje problematike si dhe është përfunduar pastrimin i kanalit ujitës Berat-Ura e Kuçit, i cili vlen për sezonin e ujitjes. Me mjetet e tij, Bordi i Kullimit ka ndërhyrë për pastrimin e kanaleve kulluese në zonat e fushave të Myzeqesë të Beratit të ndara sipas komunave të cilat janë të ngastruara, sipas sipërfaqes të kullimit, dhe që aktualisht këto zona bujqësore tashmë nuk vuajnë më nga kullimi i tokave apo nga përmbytjet masive si tre vjet më parë. Zonat ku Bordi i Kullimit ka ndërhyrë janë: zonat e fushës Berat – Ura e Kuçit, me një sipërfaqe 8099 ha, nga e cila 250 ha me ngritje mekanike, zona e fushës së Kutallisë, me sipërfaqe 4300 ha, zona e fushës së Starovës, me sipërfaqe 250 ha, zona e fushës së Fushë-Peshtan – Uznovë me sipërfaqe 150 ha, zona e fushës së Kozares, me sipërfaqe 2120 ha, zona e fushës së Goraj, Perondi, Gegë, me sipërfaqe 1180 ha, zona e fushës së Tapi, me sipërfaqe 350 ha. “Pastrimi i kanaleve kulluese duke filluar nga kolektori si dhe kanalet e dyta dhe të treta në bazë të projekteve për kullimin dhe ujitjen, ka bërë që në 36 fshatra të zonave në fjalë të rritet prodhimi në kulturat që kultivojnë fermerët e këtyre fshatrave. Për të gjithë këtë volum pune me mjetet tona kemi lëvruar e përpunuar mbi 287 mijë m3 dhera në gati 2 vjet e gjysmë, plus transportit të dherave në vendet ku ka objekte banimi dhe institucione e biznese private, si dhe janë pastruar 42 684 ml kanale, kolektor, kanale të dyta dhe të treta. Vetëm në komunën Poshnje për vitin 2008 me mjetet tona u bë e mundur fal punës organizuese të stafit ing. teknik dhe të manovratorëve, pastrimi i kanalit kolektor që fillon nga ish-këneta në fshatin Konesbale dhe përshkon në këtë gjatësi 10 fshatrat në fushat e mesit të urave të kësaj komune që disponon edhe sipërfaqen më të madhe të tokës të fondit bujqësor”, tha drejtori Bujar Dhëmbo.

Përmbytjet

Po ky kolektor me gjatësi 11.8 km është edhe pritës i ujërave të larta që vijën nga mali Shpirag dhe nga fusha e Rakovës, të fshatra kodrinor Skrevan, Vokopol etj. Mbrojtja nga lumi Osum ka qenë një nga prioritetet tona dhe që në këto tre vjet kemi mundur që në disa segmente që gjatë bregut të këtij lumi ku ky i fundit rrezikonte shtëpi banimi, toka bujqësore dhe biznese private për t’i shpëtuar këto toka dhe biznese duke ngritur në segmentet e pikave të rrezikut edhe argjinatura mbrojtëse me mure si dhe në disa vende të tjera duke ndërtuar edhe penela, mure me rrjeta teli etj. Kështu mundet të përmendim argjinaturën e ndërtuar për gjatë bregut të vitit të fundit 2008, në vendin e quajtur pularia, në dalje të lagjes “Çlirim” në afërsi të shkollës “Irfan Ngjeqani”. Me ndërtimin e kësaj argjinature me gjatësi 630 ml, është arritur të shpëtohet nga përmbytja një pjesë e lagjes në fjalë, disa biznese dhe shtëpi banimi të fshatit Dushnik, Otllak dhe Orizaj si dhe ish-pularinë e vjetër, shkollën jo publike “Irfan Ngjeqani” etj. E njëjta ndërhyrje është bërë edhe në pjesën përballe në bregun e Osumit në fshatin Starovë dhe në dalje të urës së re mbi lumin Osum në qytetin e Urës-Vajgurore, po kështu segmente të tjera në pikat e rrezikut janë ngritur edhe penela në brigjet e Osumit dhe Devollit, të cilat kanë ndihmuar në mbrojtjen e tokës bujqësore nga gërryerjet e ujërave të dy lumenjve. Edhe në emergjencat civile mjetet e bordit janë gjendur në gatishmëri dhe kanë ndërhyrë për riparimin edhe vënien në funksion të rrugëve dhe ujësjellësve. Shembulli më i qartë është ai i ndërhyrjes të mjeteve të Bordit të Kullimit në riparimin e ujësjellësit të qytetit të Çorovodës në rrethin e Skraparit ku reshjet e dëmtuan duke prekur drejtpërsëdrejti 8 mijë banorë. Në një kohë rekord me mjetet e tija Bordi i Kullimit në bashkëpunim edhe me drejtorin e ujërave të Skraparit ka bërë që t’i jepet ujë komplet qytetit të Çorovodës me 8 mijë banorë. Të njëjtat veprime në kryer mjetet e Bordit të Kullimit në ndihmë të hapjes të rrugëve nacionale dhe ato rurale etj të bllokuara nga rrëshqitjet e masive të dherave dhe shkëmbinjve. Po me mjetet e tij, ky bord u ka ardhur në ndihmë bordeve të Lushnjës dhe Fierit për të hapur dhjetëra kilometra kanale kulluese e kolektor për të mbrojtur tokat e këtyre rretheve nga përmbytjet si dhe për kullimin.

Ujitja një problem më vete

Vihen në eficencë 33 rezervuarë

BERAT- Janë 33 rezervuarë në të gjithë qarkun e Beratit, të cilët janë të ndërtuar vite më parë dhe që administrohen për mirëmbajtje nga Bordi i Kullimit. Ndërsa për ujitjen janë vënë në eficencë nga shoqatat e ujit në të gjitha zonat ku janë të ndërtuar. Para tre vjetësh në shumë prej rezervuarve nuk funksionoi për arsye të ndryshme si prishje të kanaleve mosfunksionimit të mirëfilltë të shoqatave dhe për arsye të tjera subjektive. Por pas vitit 2005 thuajse në të gjithë rezervuarët është punuar për t’u vënë në funksionim dhe se përdoren nga shoqatat e ujitjes, ndërsa në disa prej tyre është investuar nga BB në kanalet vaditëse. Bordi i Kullimit po punon me projekte konkrete për ndërhyrjen më pas në teren ne secili rezervuar ku është e nevojshme që për sezonin e ardhshëm të vaditjes ato të jenë eficentë. Në këtë rast vëmendje i është kushtuar të 33 ujëmbledhësve, pasi për vet territorin ku dhe janë të ndërtuar në zonat kodrinore në tre rrethet e qarkut të Beratit është një sipërfaqe e konsiderueshme toke për vaditje.

Flet kryekomunari i Poshnjes, Meleq Lila

Pastrimi i kanaleve kullues,

për herë të parë pas 17 vitesh

BERAT- “Jam në mandatin e dytë si kreu i komunës Poshnje pohon për gazetën kryetari i komunës Poshnje, Meleq Lila, edhe më parë kam punuar në këtë komunë si agronom i mbrojtjes të tokës për më shumë se 7 vjet. Por pastrimi i kanaleve kulluese në komunën ku unë drejtoj bëhet për herë të parë në 17 vitet e demokracisë. Tre vjet më parë në komunën tonë, tokat kanë ngelur djerrë, pasi përmbyteshin dhe fermerëve u iknin prodhimet nga duart, ndërsa në shumë raste vlera e prodhimeve nuk arrinin të mbulonte shpenzimet. Janë me qindra ha tokë të mbjella me sera që më parë përmbyteshin dhe prodhimet qelbeshin në arë, ndërsa në kulturat e tjera në drithëra dhe në foragjere as që mendohej të korreshin nga përmbytjet. Dhjetëra herë ishin përmbytur edhe shtëpi të veçanta dhe lagje të fshatrave Çiflik, Arrezë, Banaj, Syzes, Sheq-Gajd, Poshnje etj. Komuna Poshnje ka një veçanti nga komunat e tjera, pasi fshatrat e saja janë të vendosur përgjatë bregut të lumit Osum Devoll dhe Seman, madje në fshatin Arrezë bëhet edhe bashkimi i dy lumenjve ku niveli i ujërave rritet nga prurjet e shumta sa herë që bien reshjet”.

Flet kryekomunari i Perondit, Ramiz Oboni

Shpëtuam nga emergjencat

civile dhe ato në bujqësi

BERAT- “Shpeshherë kërkonim ndihmë për të ndërhyrë me anë të ish-prefektit të qarkut të Beratit, Roland Bejko, dy vjet më parë pohon kryetari i komunës Perondi Ramiz Oboni, ndërsa këtë dy vjetët e fundit falë punës të mirë që ka bërë Bordi i Kullimit në fshatrat e komunës, të cilën unë drejtoj prej 8 vjet kemi shpëtuar njëherë e përgjithmonëë nga emergjencat në bujqësi dhe ato civile nga përmbytjet. Mund të them se dy vjet më parë në fshatin Tapi në “Metehor” dhe në “Magjat” si dhe në qendër të komunës Perondi të gjitha fushat përmbyteshin. Ndërsa me përfundimin e pastrimit të kolektorit Goraj, lumi Osum me gjatësi 12.5 km e gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore ka shpëtuar nga përmbytjet, ndërsa këtë vit po ky kolektor ka filluar të pastrohet dhe që sërish do të ndikojë në përmirësimin e kullimit të tokave bujqësore në këtë komunë. Po kështu nga përmbytjet ka shpëtuar edhe mbi 45 shtëpi të lagjes “Metehor”, të cilat edhe me rënien e pak reshjeve aty përmbyteshin shtëpitë dhe komplet prodhimet e tyre bujqësore”.

Flet drejtori i Bordit të Kullimit Berat, Bujar Dhëmbo

Perspektivat dhe mbështetjet

për kullimin dhe vaditjet

BERAT- Nisur nga përvoja në drejtimin e Bordit të Kullimit si dhe në specialitetin e punës që drejton, por dhe nga përvoja e mëparshme në drejtim në pushtetin lokal e në institucione të ndryshme të kësaj natyre, për problemin e ujitjes drejtori aktual Bujar Dhëmbo komentoi në gjuhën e specialistit për vaditjen. Sipas tij, krahas kullimit të tokave një vend të veçantë në bujqësi zë edhe vaditja e bimëve bujqësore dhe asaj të pemëtarisë e perimeve në përgjithësi. “Ne do të vëmë në eficencë të plotë kullimin e tokave që në qarkun e Beratit me tre rrethet e tij ka arritur të realizojë projekte të mëdha duke hequr njëherë e përgjithmonëë përmbytjen e tokave edhe kur reshjet kanë qenë me intensitet të madh dhe të vazhdueshëm. Në këtë sektor vlen të përmendet zona fushore në mesin e urave, ultësira që është me një sipërfaqe mbi 8500 ha tokë bujqësore dhe që këtë vit nuk u përmbyt as një m2. Por ajo që dua të them është se përvoja e fituar në kullime nga specialistët e degës teknike dhe manovratorët tanë në hapjen e pastrimin e kolektorëve, kanaleve kulluese të dyta e të treta. Duhet që këtë përvojë ta kthejmë në përpilimin e projekteve për kanalet ujitëse në zonat fushore dhe ato kodrinore dhe malore. Ndryshe nga qarqet e tjera vendimmarrës për bujqësinë. Qarku ynë i Beratit ka një specifik tjetër. Në administrim ne kemi toka bujqësore në “Myzeqen” të Beratit që shtrihet në komunat Poshnje, Otllak, Kutalli, Perondi e Kozare. Ndërsa tokat bujqësore që janë të vaditshme, por që janë në kodra janë të shtrira në komunat Cukalat, Roshnik, Vërtop, Tërpan Sinjë etj. Dhe tokat bujqësore, por që janë në terren malor janë në rrethin e Skraparit në të tetë komunat e tij që janë Gjerbës, Potom, Bogovë, Vëndresh, Çepami, Konak, Lushnjë, Qendër. Në të gjithë këtë territor që përmenda pak më larët them se ne kemi në administrim 33 rezervuar (ujëmbledhëse), si dhe disa kanale vaditës që janë kanali vaditës Berat-Ura e Kuçit, Velabisht-Veterrik, Vërtop- Vodicë, Gigë Vlashuk- Kozare, Ferras- Otllak, Lapardha, Perondi, Tapi etj. Ndërsa në lidhje me vaditjen nisur nga pikëpamja e organizimit të strukturave të ngritura në bazë komune e bashkie, bazuar në ligjin mbi kullimin e vaditjen. Organizatat e përdorimit të ujit (OPU), duhet të jenë qeliza bazë e organizimit të punës që ky proces të jetë efektiv. Në krye të këtyre organizatave ujitëse duhet të kenë specialistët e bujqësisë, të cilët kanë përvojën e duhur në këtë fushë. Ndërhyrja e shtetit duhet të jetë e drejtpërdrejtë nëpërmjet drejtorit të bujqësisë së rrethit apo qarqeve dhe Bordit të Kullimit (ndërmarrja e ujërave). Po këto struktura duhet të kenë mbështetjen teknike dhe organizative nga bordet e kullimit si dhe nga pushtetet lokale ku këto organizata ujitëse kryejnë aktivitetin. Si përfundim me një koordinim nga ana organizative e pushtetit qendror e atij lokal, si dhe me mbështetjen e financuar nga Qeveria, këto organizata do të bëjnë të mundur që ujitja në vitin që vjen dhe në vazhdimësi të jetë në lartësinë që kërkon koha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›