E Diel, 1 Nëntor 2026

Prodhimet “Made in Albania” drejt tregjeve evropiane, mbështetur nga GTZ



Prodhimet e veshjeve “Made in Albania” pritet të prekin tregjet evropiane. Kompanitë shqiptare në industrinë e veshjeve do të asistohen nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GTZ), me qëllim rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe krijimin e koleksioneve për të dalë në tregjet evropiane me markën "Made in Albania". Për t’i shërbyer këtij qëllimi, dje GTZ organizoi workshop-in me temë "Nga prodhimi me porosi tek krijimi i një koleksioni të vogël vetjak", ku ishin të pranishëm menaxherë dhe drejtues të prodhimit nga industria e veshjeve, stilistë, përfaqësues të shoqatave dhe dhomave të sektorit të veshjeve, si dhe pedagogë të Inxhinierisë së Tekstileve në Tiranë. Enkelejda Goxhaj, përfaqësuese e GTZ-së, tha dje për median se prej më se një viti, në kuadrin e "Programit ekonomik dhe të nxitjes së punësimit", po mbështesim industrinë e veshjeve ose të njohur ndryshe sektorin e prodhimit me fason në Shqipëri, me qëllim krijimin e koleksioneve brenda kompanive, si dhe eksportin në tregjet evropiane. Ajo theksoi se janë parashikuar një sërë trajnimesh me firmat shqiptare, që duan të hyjnë në tregun evropian, duke shtuar se "meqenëse tashmë është kthyer vëmendja e firmave gjermane dhe atyre evropiane, pas hyrjes së Bullgarisë dhe Rumanisë në Bashkimin Evropian, drejt Evropës Juglindore, ky është momenti më i përshtatshëm që këto kompani të mund të hyjnë në treg". Sipas saj, kompanitë shqiptare në këtë sektor janë ende të papërgatitura dhe ajo që ne po bëjmë është një konsulencë direkte në kompani, duke analizuar linjat e tyre të prodhimit, rendimentin aktual që ato kanë dhe mundësitë për rritjen e rendimentit të tyre deri në 25 %. Në vijim të asistencës së GTZ-së, një ndër masat e tjera që janë parashikuar është edhe pjesëmarrja në panairet gjermane për industrinë e veshjeve, konkretisht në Duseldorf, ku ne parashikojmë edhe një vizitë të përfaqësuesve të kompanive shqiptare të fasonit dhe pse jo edhe të stilistëve. Në këtë panair, kompanitë shqiptare do të mund të marrin pjesë si vizitorë, për të krijuar kontakte, si dhe mund të bëjnë vizita në kompani gjermane, për të parë se si janë realizuar linjat e prodhimit, ndërsa në të ardhmen, ndoshta brenda vitit 2009, mendohet që të bëhet edhe prezantimi i një grupi nga Shqipëria në këtë panair me stendë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›