Mbërrin për herë të parë në Shqipëri sporti i badmintonit
Korça do të ketë një ekip badmintoni (sport me raketa, ku topi ka formën e një "parashute", e cila bën ndryshimin e papritur të trajektores), që do të përfaqësojë vendin në kampionatet evropiane të këtij sporti, i cili nuk njihet në vendin tonë. Kjo arsye ka sjellë në Korçë një përfaqësuese të federatës evropiane. Trajnerja Korina Dan, prej disa ditësh po stërvitë sportistë të rinj dhe trajnerë korçarë për teknikat dhe rregullat e lojës. Ardhja për herë të parë e këtij sporti në vendin tonë bëhet me aprovimin e federatës evropiane. Qëllimi i federatës është që të shtrijë këtë sport në më shumë shtete evropiane. Të rinjtë do të trajnohen për të qenë pjesë e garave dhe kompeticioneve të të rinjve në turnetë evropiane, ndërsa trajnerët marrin edhe udhëzimet kryesore, mbi këtë sport për të stërvitur sa më mirë ekipin. Kjo eksperiencë është aplikuar edhe në shtete të tjera, të cilat nuk e kanë praktikuar më parë sportin e badmintonit. Vendi ynë tashmë pritet të përfaqësohet në aktivitetet e këtij sporti nëpërmjet ekipit korçar, të sapokrijuar.