Shqipëri-Kosovë, kuvend të përbashkët në nëntor! Rama: T’u tregojmë kritikëve që sloganet e mbledhjeve tona s’janë boshe

Shqipëria dhe Kosova do të mbajnë një Kuvend të përbashkët në nëntor me rastin e 110-vjetorin e pavarësisë. Kjo kërkesë fillimisht u bë nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e 8-të të përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, ndërsa u pranua nga Kurti më vonë gjatë konferencës për shtyp.
Rama ka kërkuar të hidhet një hap më tej, një Kuvend i përbashkët mes parlamenteve të dy vendeve. Rama propozoi që këtë Kuvend të përbashkët ta mbajnë në nëntor ku përkon me 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Rama tha se mbledhja në një dhomë e dy parlamenteve, ku ai dhe Albini të adresojnë çështjet, do i jap fund të gjithë zërave kritikë që mendojnë se sloganet e mbledhjeve si ky i sotmi “Të Përbashkuar” nuk janë boshe por kanë rëndësinë e tyre për të dy qeveritë dhe popullin shqiptar.
“Në nëntor të zhvillojmë të parin Kuvend të përbashkët, ku dy parlamentet tona të mblidhen në një dhomë. Po u ra dakord të na jepet dhe mua dhe Albinit privilegji të adresojmë këtë dhomë të përbashkët të kuvendit. Nëse kemi një kuvend të përbashkët japim mesazhin për të gjithë ata që lexojnë sloganet se ato nuk janë boshe dhe se slogani i sotëm ‘të përbashkuar” do të përcillet me kuvendin e nëntorit duke i dhënë fund edhe zëra kritikë. Pas çdo mbledhje të përbashkët ne i afrohemi dokumentit të partneritet strategjik, të nënshkruar në Prizren në vitin 2014. Rama dakord që në kuadër të 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë të organizojmë për herë të parë Kuvendin e përbashkuar të të dyjave republikave. Seancë jubilare ku deputetët e të dyja shteteve do të jenë bashkë për t’i adresuar popullit shqiptar në të dy anët e kufirit”, tha Rama në konferencë për mediat me Albin Kurtin.
Rama foli edhe për marrëdhënien e tij me Albin Kurti, ku përmes batutave dhe ironisë, tha se persona nga jashtë duan të fusin ‘xixa’ mes tyre, por ata kanë një marrëdhënie të mirë pa çështje të hapura.
“Faleminderit për ndalimin e shiut se ka pasur herë pas herë reshje 20 minutëshe. Ishte një qen që lehte para se të nisnin himnet, por pas këndimit dhe qeni nuk lehu më, çka jep një mesazh për të ngjashmit e tij në botën e njerëzve që kërkojnë të fusin vazhdimisht xixa mes nesh dhe të shikojnë të shohin çështje të hapura mes meje dhe homologut këtu. Nuk ka të tilla, ne jemi shumë të hapur dhe për çështjet që nuk merremi vesh, kemi kënaqësinë e madhe t’i ndajmë duke u marrë vesh të mos merremi vesh, kështu që me të falat përkatëse për qenin e konsideroj të hapur këtë mbledhje”, tha Rama.
Në mbledhjen e 8-të të përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë që u mbajt në Prishtinë logo kishte fjalën “të përbashkuar” me një shenjë infiniti në ngjyrat kombëtare kuqezi.
Logo e mbledhjes së 8-të të përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës
/rtsh.a/