E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mbështes Prokurorinë për hetimin e gardistëve”

27/01/2011  Kryeministri Berisha pas takimit me ndërkombëtarët garanton bashkëpunimin me çdo institucion

Pas takimit me përfaqësues ndërkombëtarë, më i fundit me të dërguarin e BE-së, drejtorin ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm Miroslav Lajcak, kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për hetim të plotë ndaj 21 janarit e në mënyrë të veçantë mbështetje ndaj Prokurorisë në punën e saj për transparencën e atyre ngjarjeve. Në mbledhjen e përjavshme të qeverisë Berisha informoi mbi përfundimet e të gjitha takimeve që ka zhvilluar këto ditë me përfaqësitë diplomatike në vendin tonë. “Në të gjitha këto biseda ka një dënim unanim të përdorimit të dhunës, si akti më i papranueshëm. Ka një kërkesë për hetim të plotë, transparent dhe të pavarur të asaj që ndodhi, të rrethanave të vrasjes, por në tërësi të problematikës. Gjithashtu ka edhe një kërkesë të tretë të ligjshme që të shmangen përplasjet e dhuna në mitingje dhe aktivitete të tjera. Kam pasur kënaqësinë t’ju faktoj të gjithë bashkëbiseduesve të mi vullnetin tim të plotë për hetim të plotë e të gjithanshëm, t’i garantoj se asnjë anëtar i Gardës së Republikës, polic e zyrtar nuk ka asnjë lloj mbrojtjeje ndaj hetimit jopolitik”, - tha Berisha në fjalën e tij. Duke risjellë në vëmendje të gjithë skenarin, që sipas kryeministrit kreu i opozitës përdori për të marrë pushtetin me dhunë, ai nënvizoi kërkesën drejtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës për hetim ndërkombëtar, kërkesë e cila kishte marrë përgjigje të menjëhershme. Në këtë kuadër, pavarësisht akuzave dhe sulmeve drejtuar këto ditë kryeprokurores Ina Rama, ashtu si dhe dje, shefi ekzekutivit shqiptar garantoi bashkëpunimin e qeverisë ndaj organit të akuzës. “Garantoj institucionin e hetimit se do të ketë bashkëpunim të plotë të të gjitha agjencive për të kompletuar transparencën e të gjitha këtyre zhvillimeve. Askujt nuk do t’i ndërhyjmë, nuk do të pengojmë, do të ndihmojmë në zbatimin ligjit. Por sërish dua t’i them dy fjalë zyrtares në krye të Prokurorisë. E ftoj të vazhdojë hetimin, por se çfarë u thotë shqiptarëve kur i gënjen publikisht se nuk ka padi për ata që organizuan vënien e zjarrit, ajo qoftë. Dje dokumenti është bërë publik. Është një akt i hollësishëm padijeje, që përfshin të gjithë organizatorët”, - deklaroi kryeministri i vendit. Ai kërkoi që “padia” e tij ndaj numrit një të akuzës të mos merret si një atak ndaj institucionit, por si “një transparencë e domosdoshme ndaj atyre që me dy-treqind kriminelë të droguar i lejuan vetes të lozin me zjarr, t’i vënë zjarrin këtij vendi”.

Shpërblimi i dëshmitarëve

Kryeministri ngarkoi ministrin e Financave të përcaktojë një fond shpërblimi për çdo dëshmitar e dëshmi të vyer që do të paraqitet për organizimin, financimin, komandën dhe çdo gjë rreth saj. “I ftoj të gjithë ata që kanë informacione t’i dorëzojnë në komisionin hetimor parlamentar dhe në Policinë Kriminale, të cilët që të gjitha, pa përjashtim, do t’i dorëzojnë në Prokurorinë e Shtetit”, - tha Berisha.

Dëmshpërblimi i ish-të dënuarve

Qeveria miratoi vendimin për dëmshpërblimin financiar për 458 ish-të dënuar politikë të regjimit komunist. Vendimi përcakton masat e dëmshpërblimit për të tjerë të dënuar politikë, kërkesat e të cilëve kanë përmbushur kriteret ligjore dhe të cilët kanë vuajtur dënimin e kryer në burg nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, si dhe për familjaret e të dënuarve me dënim kapital. Shuma e dëmshpërblimit financiar është 1 902 449 981 lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›