E Diel, 1 Nëntor 2026

Osmanaj: Mungesa opozitës - faktor në votimin me shumicë të cilësuar

27/01/2011  Mungesa e anëtarëve të opozitës nuk i ka bllokuar punimet në KQZ

Anëtarët e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk janë paraqitur sërish në mbledhjen e radhës të zhvilluar dje nga KQZ-ja, ku u diskutua mbi ndarjen administrative të KZAZ-ve në vend për zgjedhjet e ardhshme vendorem që do të zhvillohen më 8 maj. Mungesa e përsëritur e anëtarëve të KQZ-së vazhdon të jetë shqetësuese edhe për kolegët e tyre që përfaqësojnë Partinë Socialiste në institucionin më të lartë zgjedhor në vend. Teksa justifikoi mosparaqitjen e anëtarit Pandeli Varfri, anëtari i KQZ-së Hysen Osmanaj e shikon mungesën e nënkryetares dhe të anëtarit tjetër si një rast të paprecedentë në historinë e këtij institucioni. Në një prononcim të dhënë dje për “Metropol” ai u shpreh: “Më shqetëson mungesa e kolegëve të opozitës. Unë mund të them se është shkelur Kodi Zgjedhor, konkretisht neni 18, pika 1/e e tij.” Duke iu referuar kërkesës së bërë në mbledhjen e fundit nga përfaqësuesi i PD-së në këtë komision, Njazi Kosovrasti, për dërgimin e një shkrese në Kuvendin e Shqipërisë, ku të kërkohej shkarkimi i tyre për shkak të mosjustifikimit të arsyeshëm të mungesës së kolegëve të majtë, Osmanaj shpjegoi se “pavarësisht se deri tani kolegët kanë shkelur Kodin Zgjedhor, ne duhet të presim justifikimin e tyre zyrtar e më pas duhet të bëhet dhe vlerësimi i shkaqeve që ata mund të paraqesin për këtë mungesë, e cila e përsëris, për mua është e pajustifikueshme”. I pyetur nëse mungesa e anëtarëve socialistë në këtë komision mund të shkaktojë probleme në organizimin e garës së ardhshme politike, që do të zhvillohet më 8 maj, Osmanaj tha: “Deri tani komisioni nuk ka pasur votime dhe miratime me shumicë të cilësuar, që do të kërkonte votat e pesë anëtarëve, ndaj mund të them se deri tani veprimtaria e KQZ-së nuk është penguar. Por mungesa e tyre bëhet faktor në momentin kur kërkohet kjo shumicë e cilësuar në votim.”

Ristani

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, njoftoi se i ka vënë në dijeni anëtarët që nuk janë paraqitur në mbledhjet e zhvilluar nga ky komision me anë të një shkrese, ku i ka kërkuar zyrtarisht arsyet e kësaj mungese nga ana e tyre. “Sigurisht që është e rëndësishme që kolegët të jenë prezent. Ne jemi shprehur dhe në disa mbledhje rresht, ku me të vërtetë kemi kërkuar me domosdoshmëri kontributin e tyre. Ata dhanë patjetër një kontribut të spikatur në mbledhjen e fundit, ku u miratua buxheti i institucionit, por përsëri kemi nevojë për ta. Unë kam komunikuar zyrtarisht me anë të një shkrese, ku u kërkoj zyrtarisht të më njohin me shkaqet e mungesës. Menjëherë sa po të marr përgjigjen, do t’jua vë në dispozicion”, - tha Ristani. Mungesa e tre anëtarëve vazhdon të jetë shqetësuese për zhvillimet e punimeve të këtij komisioni, pasi ndër të tjera ata janë drejt shkarkimit të tyre nga detyra për mosjustifikim të këtij veprimi.

Punimet e djeshme të KQZ-së

“Brenda dy ditësh përfundon djegia e materialeve”

Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së u bë me dije se ka përfunduar pjesa më e madhe e hapjes dhe e pastrimit nga dokumentacioni të kutive zgjedhore të përdorura në zgjedhjet e kaluara elektorale. I gjithë procesi i nxjerrjes së dokumentacionit nga kutitë pritet të përfundojë sot dhe brenda 2 ditësh përfundon djegia e materialeve. Ndërkohë menjëherë pas këtij procesi grupi i punës i ngarkuar nga KQZ-ja do të fillojë pastrimin me lëndë të posaçme të materialeve zgjedhore dhe të kutive të votimit nga etiketat. Për sa i përket evidentimit dhe seleksionimit të kutive të dëmtuara, do të bëhet vlerësimi tërësor i materialeve dhe kutive që do zëvendësohen nga dëmtimi i mundshëm i tyre me anë të solucionit që do përdoret për asgjësimin e këtyre materialeve. “Mund të dëmtohen nga pastrimi me solucionin e posaçëm, sepse hollon paretet e kutive”, - theksoi specialistja e vlerësimit në KQZ. Ndërsa në lidhje me bashkëpunimin mes KQZ-së dhe punonjësve të Arkivit të Shtetit, të cilit do t’i dorëzohen materialet zgjedhore të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 për arkivim, u bë me dije se KQZ-ja ka ngritur një grup pune prej pesë vetash, të cilët po merren me grupin e materialeve sipas udhëzimeve që kanë dhënë

punonjësit e Arkivit. “Është kontaktuar me ata dhe ka përfunduar grupimi i materialeve sipas udhëzimeve të tyre për tri qarqe, konkretisht për Vlorën, Lezhën dhe Kukësin dhe po punohet me Tiranën. Ndërkohë vjen dokumentacioni tjetër dhe është në vazhdimësi ky proces”, - raportoi specialistja e KQZ-së, e cila shtoi se i gjithë ky proces mund të përfundojë brenda shkurtit. Ndërsa në lidhje me aktin e ndarjeve zonale të KZAZ-ve për zgjedhjet e 8 majit, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, bëri me dije se të gjitha KZAZ-të janë të njëjta me ato që u përdorën në zgjedhjet elektorale të 28 qershorit 2009. Gjithashtu Ristani theksoi se ka disa raste që janë përfshirë KZAZ-të që janë jashtë zonës administrative zgjedhore, kjo për shkak të barazisë së largësisë ndërmjet KZAZ-ve të tjera, siç janë KZAZ-ja numër 9 (Durrës), KZAZ-ja numër 14 (Elbasan) dhe KZAZ-ja numër 20 (Korçë).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›