E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimi, Meta paraqitet te kryeprokurorja Rama

27/01/2011  Kreu i LSI-së shkon vetë në Prokurori

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në mungesë të thirrjes së Prokurorisë për videon e publikuar disa ditë më parë, ku ai ishte përgjuar në një bisedë me ish-ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti, ka shkuar vetë të dëshmojë. Gjatë një konference për shtyp mbajtur prej tij dje pasdite kreu i LSI-së deklaroi se ka shkuar dhe është paraqitur vetë në Prokurori në fillim të javës. “Kam kërkuar dhe jam paraqitur vetë në Prokurorinë e Përgjithshme pasditen e së hënës për të dhënë sqarime nga ana ime, pra me vullnetin tim lidhur me këtë çështje. Kam kërkuar që hetimi mbi këtë çështje të bëhet sa më shpejt, të jetë i paanshëm dhe larg ndikimeve politike. Kjo është arsyeja për të cilën kam dhënë dorëheqjen edhe nga funksionet qeveritare. Kjo është arsyeja që i kam drejtuar që në fillim Kryetares së Kuvendit një letër, ku kam demonstruar vullnetin tim të lirë për të lënë imunitetin. Çdo kërkesë për heqjen e imunitetit unë e përshëndes dhe do t’i kërkoja edhe një herë Kryetares së Kuvendit që në një rast të tillë të zhvillonte procedurat e menjëhershme”, - tha Meta. Qëllimi i konferencës ishte mbështetja e vendimit të kryeministrit për të anuluar protestën e së shtunës. I pyetur mbi protestën e PS-së, ndryshe nga hera e fundit, ai garantoi se nuk dispononte informacion për dhunë. “Ky do të jetë një manifestim hipokrizie, një përpjekje për të treguar se ‘ne mund të bëjmë protesta edhe pa dhun뒔, përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›