E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mbështesim çdo pakicë kudo ku jeton”

29/12/2009  Ministri i Jashtëm Ilir Meta shpjegon pozicionin e qeverisë për pakicat kombëtare
“Ftesë për të hyrë në debat folklorik” i ka cilësuar ministri i Jashtëm Ilir Meta të gjithë zërat komentues të vizitës më të fundit që përfaqësues të minoritetit serb zhvilluan në vendin tonë. Qeveria shqiptare është akuzuar se nuk po bën mjaftueshëm për pakicat shqiptare në Mal të Zi, për të cilat numri dy i qeverisë ka siguruar mbështetje. “Përpjekja për të keqkuptuar një politikë kaq largpamëse dhe kurajoze është thjesht një ftesë për të hyrë në një debat folklorik. Po ju e dini se nuk më pëlqejnë folklorizmat, aq më tepër në politikë. Vëmendja jonë ka qenë edhe deri në skajet më të largëta ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, deri edhe në Plavë e Guci, dhe do të vazhdojë e tillë kudo që jetojnë shqiptarët. Edhe në Ukrainë, ku ju e dini se ka një komunitet shqiptarësh, edhe ndaj tyre do të vazhdojmë të jemi të vëmendshëm”, - tha ai gjatë një prononcimi për mediet. Duke deklaruar se qeveria shqiptare nuk do të përdor standarde të dyfishta në mbështetjen ndaj pakicave, Meta tha se kjo politikë është në shërbim të proceseve integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian. “Ju e dini shumë mirë se politika e Kosovës është për të mbështetur dhe për të mirëpritur komunitetin serb për t’u integruar në institucionet e Kosovës dhe për të marrë pjesë në mënyrë aktive në gjithë jetën institucionale, ekonomike dhe shoqërore. Ne nuk mund të synojmë standarde të dyfishta, pra të kërkojmë diçka tjetër për pakicat shqiptare dhe të mos tregojmë vullnetin për të mbështetur pakicat e tjera, qoftë edhe brenda në Shqipëri”, - vijoi ai. Ai tha gjithashtu se qeveria shqiptare është e vendosur të ecë drejt politikës së bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit tonë, si një politikë që e kërkon vetë domosdoshmëria për shpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe të vendeve të tjera të rajonit. Për sa u takon shqiptarëve të Preshevës, zv.kryeministri përmendi si prioritet të qeverisë nënshkrimin e një marrëveshjeje me qeverinë e Serbisë për njohjen reciproke të diplomave. Kjo do t’u mundësonte të rinjve nga Presheva që kanë studiuar apo që vazhdojnë të studiojnë në Shqipëri, që të kenë mundësinë për t’u punësuar dhe për të kontribuar atje në administratën vendore apo qendrore.
I pyetur mbi rrezikun e zbehjes së politikës për njohjen e Kosovës për shkak të përqasjes së Tiranës ndaj Beogradit, Meta e mohoi në mënyrë kategorike. “Çështja e pavarësisë së Kosovës ka qenë dhe do të mbetet një prioritet i qeverisë shqiptare derisa Kosova të ulet në vendin që i takon në OKB. Dhe për këtë ka një politikë të qartë, ka një vijimësi të padiskutueshme. Për sa i takon raportit të Shqipërisë me Serbinë, nuk shtrohet çështja se Shqipëria kërkon të vendosë një prioritet të jashtëzakonshëm në këto raporte. Duhet të kemi parasysh se politika e Shqipërisë është politika e bashkëpunimit rajonal, është politika e integrimit rajonal, si parakusht për integrimin evropian”, - ishte përgjigja e numrit dy të ekzekutivit. Sipas tij, në raportet e Shqipërisë me Serbinë ka një boshllëk, që nuk është i dobishëm për të dyja vendet dhe për vetë aspiratën që vendi ynë ka për të mos lejuar zbrazëti të tilla në funksion të integrimit evropian.
Oferta e qeverisë
Kreu i diplomacisë shqiptare konfirmoi vullnetin e palëkundur të qeverisë dhe të maxhorancës për të ecur përpara në rrugën e dialogut me opozitës shqiptare, me qëllim përshpejtimin e integrimit evropian të vendit. “Dialogu kërkon të paktën dy palë. Natyrisht që mbetet në vullnetin e palës tjetër që edhe ajo vetë të kuptojë filozofinë e dialogut, dhe unë shpresoj që ata do ta kuptojnë”, - tha Meta. Ai garantoi gjithashtu për vullnetin e hapur për të mbështetur çdo kërkesë legjitime, demokratike dhe kushtetuese të PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›